Mbetjet e rrezikshme kaluan përmes institucioneve si “të padëmshme”
Hetimi i Prokurorisë së Durrësit nxjerr në pah përfshirjen e institucioneve kryesore të shtetit dhe biznesit të madh për çështjen e mbetjeve të rrezikshme, me 20 urdhra arresti të ekzekutuara dhe 13 persona në kërkim.
Kontejnerë në Portin e Durrësit. Foto ilustruese nga Media Amfora
Një hetim i Prokurorisë së Durrësit, i nisur në vitin 2024, zbuloi se kontejnerët me 2 800 ton mbetje të rrezikshme me origjinë nga kompania “Kurum International” ishin përgatitur për eksport nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, përmes një zinxhiri institucional dhe privat që i trajtoi ato si mall tregtar, pa kryer verifikimet teknike të kërkuara për natyrën dhe rrezikshmërinë e tyre.
Nga ky hetim, të martën Prokuroria e Durrësit kërkoi vendosjen e 33 masave të sigurisë për persona të dyshuar si pjesë e këtij zinxhiri, ndërsa të mërkurën këto masa u ekzekutuan nga policia, duke prekur një spektër të gjerë aktorësh publikë dhe privatë. Arrestimet dhe masat e tjera sigurie u shtrinë nga kompani të mëdha industriale dhe ndërmjetëse tregtare, te dogana, porti dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, duke e zhvendosur çështjen nga një episod i izoluar në një hetim me përmasa të gjera institucionale.
Të prekurit nga masat e sigurisë nuk janë hallka të rastësishme apo teknike, por drejtues dhe përfaqësues ligjorë të kompanive industriale, ndërmjetës tregtarë, punonjës të doganës dhe portit, si edhe drejtues dhe inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Përfshirja e këtyre niveleve tregon se hetimi nuk fokusohet në veprime individuale të izoluara, por në funksionimin e një zinxhiri vendimmarrës që ka lejuar përgatitjen dhe kalimin e materialit drejt eksportit.
Sipas vendimit për masë sigurie, të cilin Media Amfora e disponon, materiali i destinuar për Tajlandë është trajtuar në të gjithë dokumentacionin shoqërues si mall tregtar industrial dhe jo si mbetje, duke u mbështetur në deklarimet e subjekteve private dhe në lejet administrative ekzistuese.
Në vendim thuhet shprehimisht se “materiali është përshkruar në dokumentacionin shoqërues si produkt industrial dhe është trajtuar si mall tregtar, pa u kategorizuar si mbetje që kërkon procedurë të posaçme verifikimi”.
Nuk rezulton që përpara lejimit të eksportit të jetë kryer një vlerësim i plotë teknik apo analizë laboratorike që të përcaktonte natyrën reale dhe nivelin e rrezikshmërisë së materialit.
Vendimi thekson se “nga shqyrtimi i dokumentacionit nuk rezulton se përpara lejimit të eksportit materiali t’i jetë nënshtruar një vlerësimi të plotë teknik apo analizash laboratorike për përcaktimin e natyrës dhe rrezikshmërisë së tij”.
Analizat dhe ekspertimet mbi përbërjen e materialit janë kryer vetëm pas sekuestrimit të kontenierëve dhe lindjes së dyshimeve, në kuadër të hetimit penal, përfshirë edhe përgjigjet e kryera mga monstrat e mara,
Sipas vendimit, “marrja e mostrave dhe kryerja e ekspertimeve teknike janë realizuar pas sekuestrimit të ngarkesave, në kuadër të hetimit penal”.
Kjo përgjigje, sipas hetimeve, nuk shërben si bazë për dhënien e lejeve, por si element mbështetës për dyshimin e arsyeshëm, duke evidentuar mospërputhje mes përshkrimit dokumentar dhe përmbajtjes reale të materialit.
Sipas hetimeve paraprake rezulton se institucionet shqiptare i trajtuan mbetjet si të padëmshme pa kryer verifikimet që kërkon ligji. Hetimi fokusohet te ky boshllëk institucional, ku supozimi i padëmshmërisë ka zëvendësuar vlerësimin teknik, duke lejuar që materiali të qarkullojë dhe të përgatitet për eksport jashtë vendit.
Kjo çështje godet një zinxhir të gjerë institucional dhe ekonomik, duke përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, doganat, Autoritetin Portual të Durrësit, si edhe subjekte të mëdha private me peshë në treg, si “Kurum International” dhe kompani të lidhura me eksport–importin e mbetjeve.
Pesha e hetimit rëndohet edhe më tej nga përfshirja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, institucioni që sipas ligjit ka kompetencën për të autorizuar, kontrolluar ose ndaluar çdo veprim që lidhet me menaxhimin dhe lëvizjen e mbetjeve. Në kuadër të masave të sigurisë, nën hetim janë vënë jo vetëm drejtues dhe inspektorë të kësaj agjencie, por edhe ish-drejtues dhe drejtues aktualë, duke e vendosur AKM-në në qendër të skemës së dyshuar dhe jo thjesht në rolin e një institucioni anësor.
Dosja tregon se autorizimet dhe praktikat administrative të ndjekura nga AKM nuk e kanë trajtuar materialin si mbetje që kërkon procedurë të posaçme, por si material industrial të zakonshëm. Kjo ka bërë që të mos aktivizohen mekanizmat e parashikuar nga ligji për klasifikimin, analizimin dhe kontrollin e mbetjeve potencialisht të rrezikshme, duke lejuar vijimin e procesit pa ndërhyrje parandaluese.
Në të njëjtën linjë, hetimi ka përfshirë edhe Degën e Doganës Durrës, e cila përbën filtrin ligjor të daljes së çdo malli nga territori i vendit. Arrestimi i disa punonjësve doganorë tregon se, sipas prokurorisë, procedurat e kontrollit doganor nuk kanë funksionuar si mekanizëm mbrojtës, por janë bërë pjesë e zinxhirit që ka lejuar kalimin e ngarkesave drejt portit dhe destinacionit final.
Autoriteti Portual Durrës dhe kompania koncesionare që administron shërbimet portuale janë gjithashtu pjesë e hetimit, duke e zhvendosur fokusin nga një dështim i vetëm institucional në një problem më të gjerë të funksionimit të kontrollit shtetëror dhe privat në pikat kyçe të tranzitit. Porti, si pika e fundit fizike e kontrollit përpara eksportit, nuk ka ndalur ngarkesat dhe nuk ka kërkuar verifikime shtesë, pavarësisht natyrës industriale të materialit.
Sipas dosjes, i gjithë procesi i përgatitjes për eksport është ndërtuar mbi dokumentacion që e përshkruante materialin si “oksid” ose “material industrial”, duke shmangur kategorizimin e tij si mbetje. Ky përshkrim ka qenë përcaktues për mënyrën se si institucionet e kanë trajtuar rastin, pasi ka bërë që të mos kërkohen analiza laboratorike paraprake dhe të mos zbatohet parimi i kujdesit që kërkon ligji shqiptar dhe ai ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve.
Vetëm pas sekuestrimit të kontenierëve dhe nisjes së hetimit penal janë kryer analizat teknike dhe janë marrë mostra për vlerësim, përfshirë edhe ekspertimin e ardhur nga autoritetet italiane. Këto analiza, sipas dosjes, kanë evidentuar mospërputhje mes përshkrimit dokumentar dhe përmbajtjes reale të materialit, si edhe elementë që e afrojnë atë me kategorinë e mbetjeve që kërkojnë trajtim të posaçëm.
Hetimet e deritanishme tregojnë se nuk janë përqëndruar vetëm tek rezultati përfundimtar i analizave laboratorike, por te fakti se procesi i kontrollit shtetëror ka dështuar që në fazën paraprake. Hetimi ngre dyshime serioze se institucionet kanë vepruar duke supozuar padëmshmërinë e materialit, pa e provuar atë përmes verifikimeve teknike që ligji i kërkon.
Dosja e Prokurorisë së Durrësit ndërton kështu një akuzë që shkon përtej një rasti të izoluar kontrabande, duke nxjerrë në pah një mënyrë funksionimi ku përgjegjësia shpërndahet në disa nivele, nga biznesi privat te institucionet publike që kishin detyrimin ligjor për të ndaluar ose verifikuar procesin. Në vendim theksohet se “nga aktet e administruara rezulton ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për një veprimtari të koordinuar, e cila ka krijuar rrezik për interesin publik dhe mjedisin.”
Çështja e mbetjeve të rrezikshme nisi në korrik 2024, kur 102 kontejnerë me rreth 2 800 ton mbetje metalike, të gjeneruara nga aktiviteti industrial i “Kurum International”, u ngarkuan në Portin e Durrësit dhe u nisën për eksport drejt Tajlandës. Në dokumentacionin shoqërues, ngarkesa u deklarua si material tregtar jo i rrezikshëm, pa iu nënshtruar verifikimeve teknike të detyrueshme për përbërjen dhe nivelin e rrezikshmërisë së saj, duke kaluar përmes një zinxhiri institucionesh shtetërore dhe subjektesh private.
Ngarkesa nuk u pranua në destinacion dhe u kthye mbrapsht, ndërsa në tetor 2024 kontejnerët mbërritën sërish në Portin e Durrësit. Pas kthimit, mbetjet qëndruan për disa ditë në port dhe më pas u zhvendosën në zona të tjera për administrim dhe verifikim, ndërkohë që nisën hetimet penale për kontrabandë dhe shkelje të legjislacionit mjedisor. Analizat laboratorike të kryera më vonë konfirmuan se materiali i eksportuar klasifikohej si mbetje e rrezikshme, në kundërshtim me deklarimet fillestare.
Prania dhe zhvendosja e mbetjeve të rrezikshme në territorin shqiptar nxiti protesta të banorëve dhe reagime të shoqërisë civile, të cilët kërkuan transparencë mbi trajtimin e tyre dhe garanci se nuk do të rrezikohej shëndeti publik dhe mjedisi. Protestat u fokusuan veçanërisht në mungesën e informacionit zyrtar për vendndodhjen dhe fatin përfundimtar të mbetjeve, si edhe në përgjegjësinë institucionale për lejimin e eksportit të tyre si mall tregtar.

Ekzekutimi i masave të sigurisë ka prekur institucione kyçe shtetërore, duke përfshirë drejtues aktualë dhe ish-drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, mes tyre ish-drejtoresha e përgjithshme Arta Dollani dhe drejtoresha aktuale Marjeta Përlala, si edhe zyrtarë të Drejtorisë së Inspektimit dhe Kontrollit dhe sektorëve të lejeve mjedisore. Masat janë zbatuar gjithashtu ndaj punonjësve të Degës së Doganës Durrës, përfshirë Julian Kapedanin, Indrit Likajn, Helidon Lilën, Edmond Vodën dhe Shkëlqim Jakupin, si edhe ndaj inspektorëve të Autoritetit Portual Durrës, Iva Musa dhe Xhulio Golgota, duke nxjerrë në pah përfshirjen e disa hallkave të kontrollit shtetëror në këtë çështje.
Në sektorin privat, masat e sigurisë janë ekzekutuar ndaj drejtuesve dhe punonjësve të kompanive të përfshira në eksportin dhe administrimin e mbetjeve, përfshirë drejtues të kompanisë “Kurum International”, si Mujo Ilazaj, Rami Bunga, Harun Sarica, Arif Shkalla dhe Shaban Hyseni, si edhe përfaqësues të kompanive “Sokolaj”, “D.o.o Minerals”, “Alliance Resource”, “Bajrami N”, “Joti Spedition” dhe kompanisë koncesionare “EMS APO”. Ndërkohë, administratorët e “Kurum International”, Erdal Demir dhe Yusuf Sezai Kurum, së bashku me disa drejtues të tjerë të kompanive private, janë shpallur në kërkim, ndërsa autoritetet vijojnë veprimet për ekzekutimin e plotë të vendimeve gjyqësore.
Çështja e mbetjeve të destinuara për Tajlandë shfaqet si një test i rëndë për funksionimin e shtetit dhe për zbatimin e ligjit në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Edhe pa një përfundim shkencor përfundimtar mbi nivelin e rrezikshmërisë, dosja tregon se dështimi kryesor ka qenë mungesa e kontrollit dhe verifikimit paraprak, duke lejuar që materiale me natyrë të paqartë të trajtohen dhe të qarkullojnë si të padëmshme.