Lukreci dhe arkitektura filozofike e një bote pa frikë

Lukreci paraqitet si poet-filozof që, përmes “De rerum natura”, ndërton një vizion materialist të botës për të çliruar njeriun nga frika e perëndive dhe e vdekjes, duke e zhvendosur shpjegimin e realitetit nga miti te arsyeja. Duke bashkuar atomizmin, etikën epikuriane dhe poezinë si mjet didaktik, ai ofron një filozofi të qetësisë, moderimit dhe lirisë mendore që mbetet surprizueshëm aktuale edhe sot.

Titus Lucretius Carus, i njohur zakonisht si Lukreci, është një nga figurat më të veçanta të mendimit antik romak. Ai nuk ishte as politikan, as retor publik në kuptimin klasik, por një poet-filozof, i cili përmes veprës së tij të vetme të ruajtur, “De rerum natura” (“Mbi natyrën e gjërave”), ndërtoi një sistem filozofik bashkëkohor që synonte të shpjegonte botën pa iu referuar ndërhyrjes hyjnore dhe, njëkohësisht, të çlironte njeriun nga frika.

Ai jetoi rreth viteve 99–55 p.e.s., megjithëse të dhënat biografike janë të pakta dhe të pasigurta. Përpos veprës së shkruar, jeta e tij mbetet në hije, gjë që e zhvendos vëmendjen pothuajse tërësisht te mendimi i tij filozofik.

Kjo mungesë e të dhënave personale nuk është rastësi, por përkon në mënyrë ironike dhe me vetë frymën e filozofisë së Lukrecit. Ai nuk kërkon të vendosë veten në qendër të diskursit; përkundrazi, synon të zhdukë rëndësinë e individit si qenie e privilegjuar në një kozmos të rregulluar sipas ligjeve të domosdoshme natyrore.

Jeta e tij, ashtu siç shfaqet në burimet antike, duket e heshtur dhe e tërhequr, ndërsa vepra e tij flet me një zë të fortë, sistematik dhe polemik.

Filozofia e Lukrecit është, në thelb, një përkthim poetik dhe një zhvillim besnik i epikurianizmit grek. Ai e konsideronte veten pasues të Epikurit dhe “De rerum natura” është një përpjekje e vetëdijshme për të sjellë filozofinë epikuriane në gjuhën dhe kulturën romake. Qëllimi kryesor i veprës është etik: çlirimi i njeriut nga frika e perëndive dhe nga frika e vdekjes.

Mirëpo, ky qëllim etik nuk mund të arrihet pa një themel të fortë fizik dhe epistemologjik. Për këtë arsye, Lukreci ndërton fillimisht një teori të natyrës, e cila shërben si bazë për çdo përfundim moral.

Në qendër të filozofisë së tij qëndron atomizmi. Sipas Lukrecit, gjithçka që ekziston përbëhet nga atome dhe boshllëk. Atomet janë grimca të padukshme, të pandashme dhe të përjetshme, që lëvizin në hapësirë sipas ligjeve të tyre.

Asgjë nuk krijohet nga hiçi dhe asgjë nuk zhduket në hiç; çdo ndryshim është rezultat i riorganizimit të atomeve.

Ky parim, i trashëguar nga Demokriti dhe Epikuri, ka pasoja të thella filozofike. Ai përjashton ndërhyrjen hyjnore në rendin e botës dhe e zhvendos shpjegimin e fenomeneve nga miti te arsyeja.

Lukreci e përdor këtë teori jo thjesht si një shpjegim shkencor, por si një mjet çlirimi. Nëse stuhitë, tërmetet, sëmundjet dhe vdekja nuk janë shenja të zemërimit hyjnor, por pasoja të domosdoshme të proceseve natyrore, atëherë frika fetare, sipas tij, e humbet bazën e saj.

Këtu filozofia e tij merr një ton polemik, por jo emocional; argumenti ndërtohet me qetësi, si një strukturë logjike që synon bindjen, jo tronditjen.

Një element i rëndësishëm i atomizmit lukrecian është koncepti epikurian i clinamen-it, ose devijimi i rastësishëm i atomeve. Sipas kësaj ideje, atomet nuk lëvizin gjithmonë në vija të drejta dhe paralele; herë pas here ato devijojnë në mënyrë minimale dhe të paparashikueshme.

Ky devijim i vogël dhe rastësor hap hapësirën për liri dhe ndryshim. Pa të, gjithçka do të ishte e vendosur në mënyrë absolute. Lukreci e përdor clinamen-in për të mbrojtur mundësinë e vullnetit të lirë në një univers materialist.

Kjo është një pikë kyçe e filozofisë së tij, sepse ndryshe nga çfarë do të ndodhte me shumë materialist modernë, tregon se materializmi nuk çon domosdoshmërisht në fatalizëm.

Një tjetër shtyllë e mendimit lukrecian është teoria e njohjes. Sipas tij, shqisat janë burimi themelor i dijes dhe, në vetvete, ato nuk gabojnë. Gabimi lind nga interpretimi i pasaktë i të dhënave shqisore.

Kjo tezë ka rëndësi të dyfishtë: nga njëra anë, ajo konfirmon besimin te përvoja empirike; nga ana tjetër, ajo kritikon spekulimet metafizike që shkëputen nga realiteti i perceptueshëm.

Lukreci këmbëngul se filozofia duhet të mbështetet në atë që shfaqet, jo në frikëra të trashëguara apo autoritete të padiskutueshme.

Në lidhje me shpirtin, Lukreci mban një qëndrim qartësisht materialist. Shpirti nuk është një substancë e pavdekshme, por një përbërje e imët atomesh, e lidhur ngushtë me trupin. Me vdekjen e trupit, edhe shpirti shpërbëhet.

Ky përfundim, sipas Lukrecit, nuk duhet të shkaktojë ankth, por qetësi. Vdekja është mungesë e ndjesisë dhe, për rrjedhojë, nuk mund të jetë e dhimbshme.

Ai e krahason gjendjen pas vdekjes me gjendjen para lindjes: Një mungesë e plotë e përvojës, që nuk përbën asnjë arsye për frikë.

Etika lukreciane buron drejtpërdrejt nga këto premisa fizike dhe psikologjike. Qëllimi i jetës është kënaqësia, e kuptuar jo si shfrenim, por si mungesë e dhimbjes trupore dhe trazimit shpirtëror.

Ky ideal, i njohur më parë tek Epikuri si ataraksia, kërkon moderim, dije dhe çlirimin nga dëshirat e panevojshme. Lukreci e sheh filozofinë si një mjekësi të shpirtit, një disiplinë që shëron ankthin duke shpjeguar natyrën e gjërave.

Edhe pse “De rerum natura” është shkruar në vargje, forma poetike nuk e zbut karakterin rigoroz të argumentimit. Përkundrazi, poezia shërben si mjet didaktik, një mënyrë për t’a bërë doktrinën më të pranueshme dhe më të kujtueshme.

Metaforat e Lukrecit janë të kontrolluara dhe funksionale; ato ndriçojnë argumentin, por nuk e errësojnë atë. Kjo përputhet me synimin e tij themelor: Qartësinë.

Ndikimi i Lukrecit u zbeh për shekuj me radhë, për shkak të kundërshtimit të filozofisë së tij me botëkuptimin fetar dominues. Megjithatë, rizbulimi i veprës së tij në Rilindje pati një ndikim të thellë në zhvillimin e mendimit modern, veçanërisht në materializëm, shkencë dhe kritikën e fesë.

Lukreci nuk është thjesht një relike e antikitetit, por një nyje lidhëse mes filozofisë greke dhe mendimit modern.

Në përfundim, Lukreci paraqet një model të rrallë të filozofit që ndërton një sistem të plotë mendimi me një qëllim praktik: Çlirimin e njeriut nga frika. Filozofia e tij është e ftohtë në ton, por jo e zbrazët; ajo synon qetësinë, jo mohimin e jetës.

Duke shpjeguar botën si një rend natyror atomesh dhe duke zhveshur vdekjen nga tmerri metafizik, Lukreci propozon një etikë të matur dhe një vizion të qartë për ekzistencën njerëzore.

Në këtë kuptim, ai mbetet aktual jo përmes polemikës, por përmes bashkëkohësisë së mendimit të tij.

ARTIKULL I MËPARSHEM

ARTIKULL TJETËR

Dorian Hatibi

Është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, parë Universitetit të Tiranës dhe në Fakultetin e Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale, pranë Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", Tiranë. Për më shumë se një dekadë ka ushtruar kompetencën në fushën e çështjeve sociale dhe politike, brenda dhe jashtë vendit, duke shërbyer për disa vite edhe si lektor i Psikologjisë Kulturore dhe Sociologjisë, në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës. Aktualisht është fokusuar në zbardhjen e identitetit kulturor dhe historisë sociale të qytetit të Durrësit. Është autor i disa botimeve ndër të cilat "Historia e Durrësit. Shënime kronologjike", "Ecclesia Dyrrhachiensis" dhe "Qyteti që rrëfen".

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *