Fundi i një epoke të artë: Shuarja e zërave të lirisë 

Urdhëri ekzekutiv presidencial që paralizoi Agjencinë Amerikane për Media Globale, duket të jetë hapi i parë i shuarjes së zërave ikonikë të mbrojtjes së vlerave të shtypit të lirë dhe demokracisë, “Zërit të Amerikës”, “Radios Evropa e Lirë” dhe simotrave të saj, që ndër të tjera ishin gardianë edhe të interesit kombëtar të shqiptarëve.

Studio e Zërit të Amerikës. Foto: Geri Emiri, Washington D.C.

Në ndërtesat pompoze të stilit neo-klasik të Washington D.C., në dy ndërtesa valëvitej flamuri shqiptar dhe mbrohej interesi i tij, në ambasadën tonë atje dhe në studion e Zërit të Amerikës, ku ndër shumë gjuhë dallohej tabela, “Mirëserdhët!”.

Përmes transmetimit në mbi 40 gjuhë të ndryshme të botës, Zëri i Amerikës arrinte më shumë se 275 milionë njerëz çdo javë përmes platformave të saj, përfshirë radion, televizionin dhe mediat digjitale.

Por kjo “antentë” e fuqishme e përcjelles së vlerave të demokracisë dhe simotrat e saj, u godit rëndë në errësirën e 14 marsit, duke e kthyer në një të premte të zezë për të gjithë punonjësit me kohë të plotë në Zërin e Amerikës dhe Zyrën për Transmetimin e Kubës, e cila drejton Radio dhe Televizionin Martí.

Urdhëri ekzekutiv të premten mbrëma i presidentit amerikan Donald Trump, për agjencinë mëmë, e quajtur Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM), preku më shumë se 1000 punonjës dhe i kërkoi asaj që të eleminojë të gjitha aktivitetet që nuk kërkohen me ligj. 

Një situatë kaotike, ku mijëra punonjës të USAGM janë ende të paqartë për fatin e tyre. Përveç kësaj, ajo ka shkëputur të gjitha kontratat për transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty, Radio Azia e Lirë dhe Rrjetet e Transmetimeve të Lindjes së Mesme.

Deri më tani zyrtarisht përmes urdhërit ekzekutiv të parë një pjesë e punonjësve janë “lënë në pushim të paguar”, deri në një njoftim të dytë. Por ata duket se do të kenë të njëjtin fat me kolegët e USAID-it, që pezulloi përfundimisht programet e saj. Mbyllja aty u zbut përmes denoncimit të administratës së re për projekte që nuk ishin në përputhje me qëllimet e SHBA-së, por procesi që u kthye në qesharak nuk përmendi anën tjetër të medaljes, me mijëra projekte që kanë forcuar demokracitë në mbarë botën dhe pozitën e SHBA-së. 

Si në çdo veprimtari ka vend për përmirësim, ku mund të zbulohen edhe abuzime apo mashtrime në kurriz të amerikanëve, por kurrësesi që përgjegjësia të jetë kolektive, duke mos e zgjidhur problemin, por thjesht duke u fshehur pas tij me një të rënë të lapsit.

Zëri i Amerikës (VOA) është kritikuar për rolin e tij përgjatë mandatit të parë të Presidentit Amerikan Donald Trump dhe për raportimin mbi pandeminë e COVID-19, po megjithatë moto e saj, “Një shtyp i lirë ka rëndësi”, e kishte shpëtuar nga çdo ide e çmendur për ta kufizuar në raportim.

Gjatë vizitës në studion e Zërit të Amerikës në Washington D.C., gazetarët veteranë që pritën grupin tonë të vizitorëve si pjesë e programit “International Visitor Leadership Program (IVLP)”, tregonin se si ruanin në çdo rast pavarësinë e tyre editoriale megjithëse financoheshin nga buxheti federal.

Kujdesi për detajet ishte mbresëlënës, në çdo rast ata merrnin masa që të financonin udhëtimet e tyre të punës, të ruanin reputacionin e gazetarëve, etikën, aq sa kur ftoheshin të raportonin duke udhëtuar me presidentin e SHBA-së në “Air Force One”, këmbëngulnin që të paguanin një kuotë, me qëllim që të mos shfrytëzonin asetet presidenciale, për të cilin do të raportonin në mënyrë të balancuar.

Prandaj VOA kishte arritur ndër dekada të siguronte mbështetjen e të dyja palëve, republikanëve dhe demokratëve, duke shkuar gjithmonë tek faktet dhe e vërteta. Parime dhe norma që zbatoheshin me rigorozitet edhe nga agjencitë e tjera të USAGM.

“Traditat amerikane dhe etika amerikane kërkojnë që ne të jemi të vërtetë, por arsyeja më e rëndësishme është se e vërteta është propaganda më e mirë dhe gënjeshtra është më e keqja”, janë fjalët e gazetarit Edward R. Murrow, kur drejtonte Agjencinë e Informacionit të Shteteve të Bashkuara në vitet 1961-1964.

Logot e USAGM dhe e agjencive të saj për informimin global. Foto: Geri Emiri, studio e VOA-s, Washington D.C.    
Logot e USAGM dhe e agjencive të saj për informimin global. Foto: Geri Emiri, studio e VOA-s, Washington D.C.    

Por më të shqetësuar kanë qenë gjithmonë drejtuesit kinez, që kritikonin raportimin etik dhe të pavarur të “Radio Free Asia”. Ndërsa autokratët në Rusi dhe aleatët e tyre, kanë shprehur gjithmonë zemërimin për raportimin e Radios Evropa e Lirë/Radio Liberty, aq sa gazetarët e rrjetit janë burgosur ose ndaluar në Rusi, në Krimenë e kontrolluar prej, në Bjellorusi dhe Azerbajxhan.

Por pezullimi dhe dukshëm më vonë mbyllja e këtyre shërbimeve, nuk mund të bëhet duke u fshehur pas “abuzimeve dhe keqpërdorimit të parave të taksapaguesve “, të cilët nuk u shprehën në asnjë protestë, reagim apo peticion kundër këtyre agjencive shtetërore amerikane.

Nëse dalim nga portofoli i gjerë i Agjencisë Amerikane për Media Globale dhe mbetemi tek rasti i “Zërit të Amerikës”, patjetër që ky ishte një simbol i fjalës së lirë dhe mbrojtjes së interesit të kombit shqiptar përgjatë historisë.

Zëri i Amerikës nisi transmetimin në gjuhën shqipe një vit pas krijimit të tij. Plot 82 vite më parë, më 13 maj të vitit 1943, nga studiot e atëhershme të Nju Jorkut, Zëri i Amerikës foli për herë të parë në shqip. 

Ndërsa bota po përjetonte mizoritë e Luftës së Dytë Botërore, folësi i emisionit të parë të Zërit të Amerikës, William Hale, e hapi programin me fjalët që kanë hyrë tashmë në histori: “Ju flet Zëri i Amerikës! Lajmet mund të jenë të mira, ose të këqija për ne, por ne do t’ju themi të vërtetën”. 

Misioni i VOA-s që të përcillte informacione nga vendet ku liria e shtypit ishte e kufizuar, ose nuk ekzistonte, vijoi edhe përballë ashpërsisë së regjimit komunist shqiptar. Ai ishte pranë nesh në ngjarjet më të rëndësishme, si ardhja e pluralizmit politik apo Lufta e Kosovës, duke raportuar me profesionalizëm tiranitë kundër shqiptarëve.

Në një situatë ku polarizimi politik në vendin tonë ka arritur kulmin, mikrofoni i VOA-s shpesh ishte e vetmja dorë e zgjatur pas zhvillimeve të shoqërisë civile, konferencave për të drejtat e njeriut, duke raportuar atë që media tradicionale në vend as nuk e ka në agjendë, fuqizimin e vlerave të demokracisë.

Nga Shkodra në Tiranë, e më tej në Gjirokastër, korrespondentët e VOA-s mbanin ende pishtarin e gazetarisë lokale profesionale. Në një kohë kur gazetaria lokale është në gramat e fundit të raportimit cilësor, VOA transmetonte ngjarje në rajonin verior e jugor të vendit, duke mbajtur përgjegjës abuzuesit e pushtetit dhe censuruesit e demokracisë.

Ndoshta për Washingtonin përtej oqeanit duket banal raportimi që kam pasur nderin të përcjell tek VOA, për ndërrimin e matësve të ujit në Tiranë dhe për kanalizimet e “ujërave të zeza” (përdorura) në Durrës, por që ishin shumë më shumë se kaq.

Në thelb ato lidheshin me korrupsionin kapilar të niveleve të larta të politikës, biznesit dhe krimit të organizuar. Aktorë që jo vetëm po minojnë demokracinë tonë, por më shumë se kaq, po abuzojnë me financat kombëtare dhe ndërkombëtare, përmes kredive, huave dhe që shkelin hapur të drejtat e njeriut.

Zëri i Amerikës ka raportuar për zhvillimet më të rëndësishme botërore. Foto: Geri Emiri, Washington D.C.
Zëri i Amerikës ka raportuar për zhvillimet më të rëndësishme botërore. Foto: Geri Emiri, Washington D.C.

“Ditari i Zërit të Amerikës”, ishte një zakon për shqiptarët kudo në botë, që ndiqnin shqipfolësit në studiot qendrore dhe kronikat e korrespondentëve që në orën 18:00 (me orën tonë), përcillnin informacionet në interesin publik të SHBA-së dhe shqiptarëve.

“Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe të vërtete për qindra miliona anembanë globit, u hesht sot në emër të reduktimit të burokracisë federale”, komentoi ish-drejtori për Euroazinë në Zërin e Amerikës, gazetari shqiptaro-amerikan Elez Biberaj, përmes një postimin në rrjetin social “Facebook”.

“Vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do të shkaktojë dëm të thellë në imazhin e SHBA-së, interesat e saj globale dhe promovimin e vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë”, shtoi Biberaj.

Demokracia amerikane e frymëzuar nga Greqia dhe Roma e lashtë nuk mund të funksionojë kurrësesi pa lajmësit e saj. Nëse agjencitë e saj botërore, me fokus në Evropën Lindore, Azinë dhe Afrikën, do të reshtin së pushuari, zëri i “perandorisë” nuk do të arrijë më të përcillet në kohë dhe i pacenuar.

“Zëri i Amerikës do të paraqesë politikat e Shteteve të Bashkuara në mënyrë të qartë dhe efektive, si dhe do të paraqesë diskutime dhe opinione të përgjegjshme për këto politika”, ishte shënimi i shkruar në murin e studios qendrore të VOA-s, një deklaratë transparente dhe që e poziciononte atë si një prej elementeve të fuqisë amerikane.

Madhështia e SHBA-së ngrihej edhe mbi kolonat e VOA-s dhe të gjitha agjencive të USAGM-së, prandaj nëse Amerika do të jetë përsëri “e Madhe”, ajo nuk duhet të shuaj burimet e fuqisë së saj të butë.