Erozioni dhe mbetjet urbane në Kepin e Rodonit: Zgjidhjet për shpëtimin e Kalasë së Skënderbeut

Kepi i Rodonit dhe Kalaja e Skënderbeut, janë dy potenciale të mëdha turistike që vuajnë nga problemet mjedisore, që lidhen me erozionin dhe mbetjet urbane. Media Amfora përmes “Gazetarisë së Zgjidhjeve” ka identifikuar disa masa konkrete për këto dy monumente natyrore dhe kulturore, me qëllim konservimin e tyre.

Kepi i Rodonit është një gadishull që futet në brendësi të Detit Adriatik. Gjurmët e banimit të tij datohen së paku nga shekulli V Para Erës Sonë dhe mendohet se në antikitet kjo ka qenë një zonë e shenjtë dedikuar Redonit, hyjnisë ilire të ujërave, detit dhe tërmeteve.

Sot aty gjenden monumente kulture të kategorisë së parë, si “Kalaja e Skënderbeut” dhe Kisha e Shën Ndojit. Por ekzistenca e tyre po rrezikohet dekadat e fundit nga fenomentet që lidhen me erozionin, ndryshimet klimate dhe mbetjet urbane.

Media Amfora dhe Qendra “EDEN”, e cila ka karakter mjedisor, kanë hulumtuar gjendjen në terren, duke evidentuar zgjidhjet e mundshme që do të përmirësojnë situatën mjedisore në Kepin e Rodonit.

  • Mbjellja e bimësisë dhe shtimi i sedimenteve përballë erozionit

Vetë Kepi i Rodonit dhe më specifikisht Kalaja e Skënderbeut që gjendet në skajin e tij më të largët po përballen prej dekadash me erozionin detar dhe atë tokësor. Për përmirësimin e fenomenit gërryes rekomandohen zgjidhjet bio-inxhinierike.

“Zbutja e valëve të detit përmes shtimit të sedimenteve pranë bregut, të cilat do të zvogëlojnë goditjen e valëve në shpatet e pjerrët ranor”, evidentoi si zgjidhjen e parë ekspertja e mjedisit, Ermelinda Mahmutaj.

“Pra masat do të synojnë të ndikojnë në stabilizimin e këtyre shpateve. Sedimentet pranë bregut e lejojnë një plazh të rigjenerohet vetë, sidomos pas një stuhie bregdetare”, shtoi ajo.

Infografikë nga Media Amfora

Fortifikimi i ndërtuar ngë Skënderbeu ka mbetur tashmë i izoluar nga vizitorët. Prej më pak se një viti shtegu këmbësor ka rrëshqitur dhe e vetmja rrugë për të shkuar aty është përmes detit.

Duke i renditur masat inxhinierike si ndërhyrje që duhen vlerësuar në raport me gjendjen aktuale aty, zgjidhja e dytë sugjerohet mbjellja dhe shtimi i bimësisë natyrore në shpatet e zhveshura të kodrave, përmes fushatava të paracaktuara qartë dhe të lokalizuara në zonat e pjerrëta, me bimësi të shkulur apo të djegur të kepit.

“Duhet të intensifikohen monitorimet dhe raportimet për shkelësit e ligjit në përgjithësi dhe në veçanti për ata që shkatërrojnë mbulesën bimore në Kepin e Rodonit”, sugjeroi Ermelinda Mahmutaj.

Arkeologu nënujor Adrian Anastasi që prej vitit 2003 zhvillon fushata të herëpasherëshme për njohjen e terrenit detar dhe tokësor. Ai analizon se nuk ka të dhëna shumë të hershme për peizazhin e zonës, por burimet mesjetare krijojnë një ide të përafërt.

“Kepi ka qenë shumë i pasur me lëndë drusore, ka qenë i mbrojtur nga pikëpamja e erozionit. Fenomeni nuk ka qenë i dukshëm, pra nuk ka qenë kaq agresiv sa në ditët e sotme”, tregoi Anastasi.

“Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e Detit Adriatik”, evidentohet në kartelën e monumentit të kulturës.  

Fenomeni i erozionit, gërryerjes së sipërfaqes së tokës, rrëshqitjes së kodrës dhe rritja e nivelit të ujit të detit, parashikohen si 2 skenaret që brenda disa dekadave mund ta rrënojnë fortifikimin e ngritur nga Skënderbeu.

Kalaja e Skënderbeut është ndotur nga mbetjet plastike të Lumit Ishëm. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

“Kjo do të sjellë izolimin e kalasë dhe skenari më i keq është shkëputja e saj si një ‘ishull’ në mes të ujit, ç’ka do e bënte edhe më vulnerabël ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Kalaja do të zhytej dhe ‘shkërmoqej’ në ujë, duke ndryshuar peizazhin përreth në mënyrë drastike”, shpjegoi Mahmutaj.

Banorët e fshatit Shetaj e shohin kalanë dhe kishën si simbol të zonës së Ishmit, ndërsa për të rinjtë përbën edhe një mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre përmes turizmit.

Orgito Reka pret çdo vizitor që shkon në Kepin e Rodonit. Me mirësjellje ai nge dhe ul traun hyrës në rrugën që të dërgon në gadishull, territor i cili adiminstrohet nga Kisha Katolike përmes një subjekti privat. 

“Punë të tilla bëjnë edhe moshatarët e mi, në lokale, restorante, kështu punojnë edhe ata”, rrëfeu i riu për Median Amfora. 

“Edhe në dimër ka njerëz. Çdo ditë të vitit, të shtunën dhe të dielën më shumë. Ja sot erdhën një çift të huajsh me rulotë”, tha Reka.

“Të gjithë pyesin për kalanë edhe kur ikin edhe kur kthehen. Ka nga ata që më thonë se përse nuk i tregova që nuk ka rrugë tek kalaja sepse duan ta shohin”, shtoi 18 vjeçari duke qeshur dhe ngirtur supet lartë, për tu shfajësuar se edhe lodhej e harronte të ja kujtonte vizitorëve këtë detaj.

Video e ciklit “Kultura në 1 Minutë” për Kepin e Rodonit

Jo larg fortifikimit gjendet edhe Kisha mesjetare e Shën Ndout, një nga objektet e kultit që ruhet ende sot, teksa burimet tregojnë se zona dikur ka pasur disa kisha, manastire dhe kuvende.

“Kam ardhur nga Korça sepse kam dëgjuar shumë për këtë kishë të shenjtë, ndaj vendosa që ta vizitoj, të lutem për mirësi”, tregoi një burr që e vizitoi kishën së bashku me familjen.

  • Ndërtimi i barrierave natyrore përballë ndryshimeve klimatike

Kepi i Rodonit gëzon statusin e ruajtjes si “Monument Natyre”, për shkak të karakteristikave dhe dukurive të veçanta natyrore, kulturore, historike dhe arkeologjike. 

Një model që mund të zbatohet aty për reduktimin e erozionit është ai i New York-ut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në Oosterschelde, Hollandë. Ai lidhet me ndërtimin e mureve/shkëmbinjve nënujorë artificialë me guaska/goca deti, përmes së cilave është arritur njëkohësisht zbutja e valëve të detit dhe mbrojtja nga erozioni. 

“Me kalimin e kohës këto mure mund të rriten nëpërmjet bllokimit të sedimenteve dhe në këtë mënyrë të kompensojnë rritjen e nivelit të detit”, sugjeroi si zgjidhjen e dytë Mahmutaj.

Efektet e erozionit në Kepin e Rodonit. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

Për fortifikimin e njohur si, “Kalaja e Currilave në Muzhlin e Skënderbeut”, që prej 21 dhjetorit 2020 është miratuar projekti për ndërhyrje konservuese sipas vendimit nr. 508, të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Sipas Ministrië së Kulturës edhe tërmeti i vitit 2019 shkaktoi dëmtime në kala, ndërkohë që pranoi se në 5 vitet e fundit nuk janë kryer ndërhyrje konservuese. Teksa projekti konservues prej 2 vitesh mbetet në letër.

Ndër disa zgjidhje të sugjeruara aty renditet krijimi i një barriere mbrojtëse për pengimin/ngadalësimin e shkarjeve të dheut nga përparimi i ujërave të detit, e cila do të realizohet me 3 rreshta gabionësh (kafazë metalikë të mbushur me gurë) të çimentuar.

Por për eksperten e mjedisit zgjidhjet më të përshtatshme janë ato me bazë natyrore dhe përshtatja e mbështetur në ekosistem, përcaktuar zyrtarisht në Konventën për Diversitetin Biologjik të vitit 2009. Ato janë pjesë e strategjisë globale për të ndihmuar njerëzit të përshtaten ndaj efekteve negative të ndryshimeve klimatike. 

“Duhet theksuar se edhe në rastet kur grumbullimi i barrierave natyrore është më i ngadaltë se rritja e nivelit të detit, ato në përgjithësi përshtaten dhe modifikohen më lehtë sesa zgjidhjet inxhinierike prej betoni për strukturat e mbrojtjes bregdetare”, sugjeroi Ermelinda Mahmutaj.

Për tu njohur me “Vështrimin e përgjithshëm mjedisor” të përgatitur nga Qendra EDEN për Median Amfora, lexojeni të plotë më poshtë:

Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to DearFlip WordPress Flipbook Plugin Help documentation.

Fortifikimi i Skënderbeut ka një planimetri drejtëkëndëshe, të pajisur me katër kulla mbrojtëse dhe me frëngji. Ende sot ruhet kryekulla me lartësi 10 metra dhe disa mure mbrojtëse me trashësi 3.5 metra. Ai e ndërtoi atë në vitin 1451 së bashku me një skelë, që t’i siguronin daljen në det dhe më vonë fortifikimi u përdor nga venecianët. 

  • Investimi në prita për mbetjet plastike dhe pastrimi periodik

Lumi Ishëm formohet nga bashkimi i Lumit të Tiranës, përrenjve Tërkuza dhe Zeza. Ai derdh në Detin Adriatik tonelata me mbetje plastike të grumbulluara përgjatë rrjedhës që përshkon Tiranën, Vorën, Kamzën, Fushë-Krujën dhe zona të tjera të Kurbinit, duke përfunduar deri në brigjet e ngushta të Kepit të Rodonit.

“Bashkitë përgjatë Lumit Ishëm duhet të investojnë seriozisht në grumbullimin e mbetjeve dhe në prita të vogla për pengimin e hedhjes së tyre në lumë, sidomos në zonat e tyre rurale, ku shërbimi i mbetjeve thuajse nuk mbërrin”, renditi si zgjidhjen e parë për mbetjet urbane, ekspertja e mjedisit, Ermelinda Mahmutaj.

Për zgjidhjen e menaxhimit të mbetjeve në Kepin e Rodonit për mirëmbajtjen, administrimin dhe funksionimin e tij si një sit monument natyre dhe i trashëgimisë kulturore, duhet të bashkërendojnë punën disa institucione.

Mbetjet plastike të Lumit Ishëm kanë pushtuar një pjesë të Kepit të Rodonit. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

“Për zgjidhjen e qëndrueshme dhe efektive të prurjes së mbetjeve në Rodon nga Lumi Ishëm, duhet të ngrihet një grup ndërinstitucional që të konkretizojnë ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për zgjidhjen e problemit”, sugjeroi si pjesë e zgjidhjes, ekspertja e mjedisit.

“Bashkia Durrës grykëderdhjen e Lumit Ishëm dhe Erzen e pastron me raste, duke organizuar aksione si bashki,  por jo në përditshmëri”, u përgjigj zyrtarisht Bashkia Durrës.

Si zgjidhje specifikisht për mbetjet plastike sugjerohet vendosja në funksion e impiantit të pritjes së mbetjeve në Rezervatin e Gotullës dhe zgjidhja e procedurës së administrimit.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të bashkëpunojë me nismën ‘The Ocean Cleanup’, për restaurimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së impiantit të Gotullës. Përfaqësues të nismës janë interesuar tashmë për të investuar dhe monitoruar këtë impiant në Shqipëri”, renditi si pjesë të ndërhyrjes praktike Ermelinda Mahmutaj.

Ministria e Turizimit dhe Mjedisit u përgjigj zyrtarisht për Median Amfora se ndërtimi i impiantit kushtoi 202.603.181 lek (rreth 1.7 milion euro) dhe se punimet përfunduan në dhjetor 2017.

Ai u ndërtua nga kompania “Integrated Technology Services”, e cila më vonë u vendos nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për përfshirjen si nënkontraktore në projektet koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve.

Pamje satelitore e impiantit në nëntor 2018, ku ende duket vendosja e pritave në Lumin Ishëm

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit bëri me dije se është kryer procedura e akt-kolaudimit të punimeve, por pa saktësuar për gjendjen aktuale të investimit dhe nëse ishte ende në funksion. Gjithashtu kompania “Integrated Technology Services” nuk ju përgjigj një kërkese për koment.

“Sot impianti nuk funksionon prej mungesës së mirëmbajtjes dhe mosdakortësimit midis pushteteve vendore të zonës ku kalon lumi për administrimin e tij”, konstatoi ekspertja Mahmutaj.

Arkeologu Adrian Anastasi shpjegoi se prej vitesh përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet e varësisë ka bërë të mundur ekspeditat arkeologjike në zonë, por puna nuk ka qenë e lehtë në përballjen me pirgjet e plastikës mbi dhe nën ujë.

Sipas tij nëse erozioni është i shtrirë në dekada apo shekuj, plastika është një fenomen i 30 viteve të fundit, që nuk zgjidhet me aksione pastrimi.

“Ne kemi vajtur e kemi parë, e kemi vizituar për qëllimet tona për të parë fenomenet lidhëse të lundrimit detar”, tregoi Anastasi për vijën bregdetare të Kepit të Rodonit dhe të grykëderdhjes së Lumit Ishëm.

Gjurma ilustruese e fortifikimit të Skënderbeut dhe mbetjet urbane në afërsi. Foto: Arlind Veshti/ Ilustrim nga Media Amfora
  • Ndërgjegjësimi i vizitorëve

Laura Gjyli, e angazhuar prej disa vitesh për Shqipërinë me lëvizjen botërore për lumenj të pastër “River Cleanup” për pastrimin e grykëderdhjes së Lumit Ishëm rrëfeu se nga të dhënat e “The Ocean Cleanup” ai derdh në Detin Adriatik në një vit 730.000 kg mbetje të ngurta, që kryesisht janë plastikë.

“Në angazhimin tonë janë përfshirë 20 shkolla dhe Universiteti  Aleksandër Moisiu Durrës. Fokusi ka qenë riciklimi dhe edukimi mjedisor”, tregoi Gjyli për Median Amfora.

Ajo shpjegoi se strategjia ka qenë e fokusuar në pastrimin e Lumit Ishëm përmes angazhimit të komunitetit, edukimit në shkolla, universitet, përfshirjen e kompanive private dhe të institucioneve.

Gjithashtu për eksperten e mjedisit, Ermelinda Mahmutaj pjesë e zgjidhjes është ndërtimi i një fushate ndërgjegjësuese për vizitorët, që mbeturinat të cilat i krijojnë në sitet arkeologjike dhe natyrore t’i marrin përsëri me vete.

Një prej kullave të mëvonshme të kalasë që u ndërtua në det po rrënohet nga efekti i erozionit. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

Bashkia Durrës u përgjigj zyrtarisht se evadimin e mbetjeve urbane në Kalanë e Rodonit si një monument kulture duhej ta bënin institucionet që kanë në varësi monumentet e kulturës.

“…sepse firma që operon me evadimin e mbetjeve nuk shkon në këtë vend i cili është rreth 20 km larg nga fshati i fundit që është Shetaj (Firma AFA Group operon deri në Shetaj)”, u përgjigj Bashkia Durrës.

Ndërsa Ministria e Kulturës shpjegoi se Instituti i Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore nuk administron informacion apo të menaxhonte infrastrukturën per mbledhjen e mbetjeve urbane.  

Për eksperten e mjedisit, Ermelinda Mahmutaj, ky koncept nuk duhet të ekzistojë sepse nuk është detyrë e institucioneve mbledhja e mbetjeve në këto zona natyrore dhe arkeologjike.

“Institucionet e kulturës dhe ato mjedisore që veprojnë në monumentet e kepit nuk kanë funksion administrativ mbledhjen e mbetjeve. Në të njëjtën kohë, Bashkia Durrës e ka të pamundur të çojë automjete për grumbullimin e mbetjeve në një terren aq të vështirë”, evidentoi ekspertja e mjedisit.

“Ndaj e gjithë situata mbetet në dorë të qytetarit të ndërgjegjësuar. Fokusi i fushatës duhet të jetë informimi i qytetarëve që mbetjet e hedhura në rrugë dhe në natyrë nuk janë kompetencë e asnjë institucioni për t’i grumbulluar, por preken nga Kodi Penale, si ‘Krim Mjedisor’ dhe dënohen me gjobë”, përfundoi Mahmutaj.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109