Operacion i SPAK dhe antimafias italiane në tre shtete

Një ekzekutim mafioz në jug të Italisë çoi hetuesit drejt një rrjeti shqiptaro-italian të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Operacioni i përbashkët i SPAK dhe antimafias italiane solli 15 masa sigurie në Shqipëri, Itali dhe Spanjë, si dhe sekuestrime kompanish, llogarish bankare.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit (DDA) njoftuan të martën zhvillimin e një operacioni të përbashkët në Shqipëri, Itali dhe Spanjë kundër një organizate kriminale të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

“Është një element i rëndësishëm i këtij rasti, jo vetëm goditja e këtij aktiviteti të krimit të organizuar të drogës, por dhe produkti i krijuar nga ky aktivitet i paligjshëm”, tha Kreu i SPAK, Klodjan Braho gjatë konferencës për shtyp në Bari të martën.

Operacioni i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane u shtri në disa shtete dhe çoi në ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar si pjesë e rrjetit kriminal.

“SPAK ka lëshuar 10 masa sigurimi personal, ndërsa 5 të tjera janë lëshuar nga autoritetet gjyqësore italiane. Këto masa janë vendosur ndaj 11 shtetasve shqiptarë, 4 italianë, përfshirë 4 gra, të vendosura nën masën e arrestit në shtëpi dhe detyrim paraqitje”, shkroi SPAK në njoftimin për shtyp.

Masat u ekzekutuan në bazë të një urdhri arresti ndërkombëtar në Tiranë, Fier, Vlorë, në Barletta, në burgun e Romës dhe Agnani, si dhe në Madrid.

Hetimet që bashkuan autoritetet shqiptare dhe italiane u përqendruan në zbardhjen e vrasjes së Francesco Diviesti-t, ngjarje e ndodhur më 25 prill 2025 në Canosa di Puglia, në jug të Italisë, e cila çoi në zbulimin e organizatës kriminale shqiptare të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave nga Italia në Shqipëri.

Autoritetet italiane thanë se provat e mbledhura deri tani mbështesin dyshimet ndaj tre personave të përfshirë në vrasjen e Francesco Diviesti: një shtetasi shqiptar, i dyshuar si autor i krimit, dhe dy italianëve nga Barleta, një burrë dhe një grua, të cilët akuzohen se ndihmuan në fshehjen e gjurmëve dhe nuk e raportuan ngjarjen tek autoritetet.

Sipas hetimeve, Francesco Diviesti, një 26-vjeçar italian nga Barletta që sipas mediave italiane punonte si berber në biznesin e familjes së tij, u përfshi në një konflikt në një bar mbrëmjen e 25 prillit dhe më pas u dërgua në një zonë të izoluar në Canosa di Puglia, ku u vra me armë zjarri dhe trupi i tij u dogj për të fshehur gjurmët e krimit. Për shkak të mënyrës së ekzekutimit, çështja u mor në hetim nga autoritetet antimafia të Barit, të cilat nisën bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për dyshimet mbi përfshirjen e të akuzuarve.

Më 25 qershor, shtetasi shqiptar i dyshuar për përfshirje në krim, i cili ishte larguar dy ditë pas ekzekutimit të 26-vjeçarit, u arrestua në qytetin Roshe të Hungarisë, jo për vrasje, por për posedim të 24 kilogramëve kokainë të pastër, në kuadër të procedimit të Prokurorisë së Tranit. Drejtoria Antimafia e Barit i kishte dërguar provat kësaj prokurorie për të bërë të mundur arrestimin e tij si i dyshuar për krimin. Në të njëjtën kohë, tek familjarë të tij u sekuestruan mbi 412 mijë euro cash, si dhe u dokumentua përfshirja e tre shtetasve italianë në këtë çështje penale në hetim.

Personat nën hetim akuzohen për një sërë veprash penale, mes tyre vrasje me paramendim me metoda mafioze, tentativë zhvatjeje, armëmbajtje pa leje, favorizim të autorëve të krimit, shkelje të masave parandaluese dhe pastrim të produkteve të veprës penale nga Italia në Shqipëri.

Lidhur me personat nën hetim, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar sekuestrimin e 4 shoqërive tregtare, 8 automjeteve, 10 llogarive bankare dhe mbi 680 mijë euro cash, të sekuestruara nga Policia e Shtetit në Pikën Kufitare të Muriqanit në nëntor të vitit 2024, pas informacioneve të marra nga autoritetet antimafia në Bari.

Operacioni i bërë publik paraditen e 26 qershorit është pjesë e një bashkëpunimi disa-vjeçar mes SPAK dhe Drejtorisë Distriktuale Antimafia të Barit (DDA) kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuar nga organizata kriminale shqiptare. Hetimet lidhen edhe me operacionet e mëparshme të koduara “Shefi”, “Kulmi”, “Shpirti” dhe “Ura”.

Nga viti 2018 deri në vitin 2025, këto operacione kanë çuar në 170 masa sigurimi, sekuestrimin e pasurive me vlerë miliona euro dhe kapjen e më shumë se 7 tonëve drogë, përfshirë kokainë, heroinë dhe kanabis. Sipas SPAK, në disa prej këtyre çështjeve janë dhënë dënime deri në 20 vite burg.