E la Londrën për Durrësin, pedagogia britanike kontribuon për arkeologjinë e Shqipërisë

Për pjesën më të madhe të të rinjve shqiptarë, Britania e Madhe është një ëndërr, por për Carolyn Perry, Durrësi është vendi ku dëshiron të vazhdojë pjesën tjetër të jetës. E lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore dhe me arkeologjinë, këtë verë ajo u përfshi si vullnetare në gërmimin arkeologjik në Forumin Rrethor.

Në zhegun e vapës së kësaj vere, bashkë me ekipin e arkeologëve shqiptarë në Forumin Rrethor në Durrës dallohej edhe Carolyn Perry.

Ajo ishte entuziaste si një fëmijë kur arkeologia që drejtoi gërmimin, Brikena Shkodra-Rrugia, e pranoi si vullnetare në grupin e punës që zbuloi për herë të parë në Durrës një banjë të shekullit të gjashtë.

“Unë isha shumë me fat që kam mundur të bashkohem si vullnetare në gërmimet e Dr. Brikena Shkodra-Rrugia në Forumin Bizantin”, rrëfeu Perry për Median Amfora. 

Ajo është një britanike që prej gati 6 vitesh është vendosur në Durrës dhe ndihmoi vullnetarisht në gërmimin e rrënojave arkeologjike të Forumit Bizantin në Durrës, një hapësirë antike ende e pazbuluar tërësisht dhe që çdo herë nxjerr në dritë thesare të fshehura nëntokë. 

Kjo nuk ishte hera e parë që ajo mori pjesë në një gërmim arkeologjik, por në “shtëpinë e saj të dytë” pati një eksperiencë më të veçantë.

“Më parë në karrierën time kam marrë pjesë në projekte të ndryshme arkeologjike, në vende të ndryshme si në Itali, Spanjë dhe Oman, por nuk kam marrë pjesë asnjëherë në një projekt të kësaj periudhe, ndaj ka qenë magjepsës dhe i jam shumë mirënjohëse grupit të punës për mundësinë”, rrëfeu Perry për emocionet e saj pas përfundimit të kërkimit arkeologjik.  

Ajo e filloi karrierën e saj si lektore për Historinë e Lashtë dhe Mitologjinë, në Departamentin e Studimeve Mesdhetare në Universitetin e Londrës. Pjesën më të madhe të kohës e kalon e angazhuar në drejtimin e Fondacionit Britanik për Studimin e Arabisë.

Në Shqipëri ajo i ndërron shpesh herë rolet. Herë e gjen si pjesëmarrëse, herë si organizatore apo si vullnetare në aktivitetet ku promovohet trashëgimia kulturore. Edhe ky muaj e gjeti të përfshirë në aktivtetet e Javës së Kulturës Britanike, duke sjellë edhe në Durrës aktivitetet që ambasada e vendit të saj organizon.  

Carolyn Perry gjatë organizimit të një aktiviteti kulturor, përkrah ambasadorit britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith. Foto: Arlind Veshti/ Media Amfora

Carolyn erdhi në Shqipëri shumë vite më parë sesa të vendoste që të vazhdonte jetën këtu. Fillimisht e tërhoqi historia e vendit dhe më pas zbuloi dëshirën e saj për të mësuar “mbi tokën e shqiponjave”.

“Fillimisht erdha në Shqipëri për shkak të interesit tim për epiriotët dhe ilirët e lashtë. Kur mësova për Greqinë e lashtë dhe Maqedoninë, [isha] në Mbretërinë e Bashkuar, doja të zgjeroja njohuritë e mia edhe për popujt fqinj”, tregoi Perry për kontaktet e para me Shqipërinë.

Ajo kujtoi edhe grupet e para turistike që ka shoqëruar në Shqipëri dhe se si ata u tërhoqën nga vendi ynë, për të mësuar më shumë për kulturën dhe trashëgiminë kulturore.  

“Fillova të shoqëroja grupet turistike të Britanisë së Madhe në Shqipëri si pedagoge në vitin 2008. Grupet vinin për të parë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, por sigurisht ata shijuan edhe peizazhin, kuzhinën dhe ju krijua kështu një shans për të parë një vend që nuk ishte aq i njohur në Britani në ato vite”, tha ajo.

Sa më shpesh ajo vinte në Shqipëri aq më shumë dashurohej me vendin, veçanërisht me Durrësin, deri sa vendosi përfundimisht të qëndronte këtu. Carolyn tashmë ka aplikuar edhe për qëndrim të përhershëm, me dëshirën që të marri nënshtetësinë shqiptare.

E veshur me bluza që promovojnë simbolet tona kombëtare dhe me veshje tradicionale, ajo promovon trashëgiminë kulturore të çdo zone që viziton në Shqipëri. Teksa fillimisht e tërhoqi Durrësi, me peizazhin që ofron, ku dominon deti dhe trashëgimia kulturore, e dominuar nga monumentet antike.

“Më pëlqen të jem buzë detit. Por zgjodha Durrësin edhe për shkak të historisë së qytetit antik.  Është e pabesueshme të jetosh në një qytet që ka qenë i banuar vazhdimisht për rreth 3000 vjet”, tregoi ajo.  

Për shumë vite lektore në Universitetin e Londrës, ajo nuk ka hequr dorë nga pasioni i saj për mësimdhënien dhe vazhdon të mbajë leksione të hapura për Artin dhe Historinë Islame, në Muzeun Britanik.  

Midis Londrës dhe Durrësit, Carolyn tregoi se në Durrës ka gjetur shtëpinë e saj të vërtetë, në një qytetet që i përcjell emocionet e botës antike, mishëruar në monumentet e shumta të periudhës së antikitetit dhe të mesjetës.

“Lexova për herë të parë për qytetin e Durrësit, kur studioja në shkollë shkrimtarin antik Tukididi. Epidamnus dhe Dyrrachium, atëherë ishin vetëm emra për mua, por tani ky qytet i famshëm është shtëpia ime”, përfundoi Carolyn rrëfimin e saj për qëndrimin në Shqipëri.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109