Durrësi, qyteti që nuk u bë!
Nëse do të ishin mbajtur premtimet e bëra gjatë 3 dekadave të fundit, Durrësi do të ishte sot një qytet tjetër. Fatkeqësisht ai është imazhi i dekadencës dhe i dështimit të një modeli monokratiko-tiranik, i cili nuk synon zhvillimin, por pasurimin e një kaste të vogël njerëzish.

Sheshi "Veliera". Foto: Media Amfora
Pak javë na ndajnë nga zgjedhjet e 11 majit dhe partitë politike kanë shpalosur tashmë programin e tyre elektoral për Shqipërinë e katër viteve të ardhshme. Nuk bëj pjesë tek ata njerëz që mendojnë se në këtë vend programet elektorale shtojnë qoftë edhe një votë tek thesi i partive politike. Ato mes shqiptarëve janë po aq të dobishme sa fleta e sallatës në një pjatë bifteku. Është ndoshta për këtë arsye që edhe partitë politike shtinë në ajër çdo lloj borçkulle që i rrok fantazia vetëm e vetëm për të shtuar ndonjë klikim më shumë apo për t’i dhënë instrumente politike fansave respektiv, të përballojnë mikrodebatet e politikës së përditëshme.
Për të vërtetuar saktësinë e pohimeve të mësipërme, po sjellim për ju 10 premtimet elektorale që Partia Socialiste ka bërë që nga vitet 2000, kur edhe e qeveris në mënyrë monokratike qytetin e Durrësit, por të cilat nuk i ka realizuar kurrë. Këtu po marrim premtimet e Partisë Socialiste jo për ndonjë tifozllëk ndaj Partisë Demokratike, por sepse duke mos e pasur ata pothuajse në asnjë çast gjatë pushtetit monokratik të PS-së, nuk mund t’i kërkojmë më shumë se asgjë. Mund të ishin sigurisht më shume se 10, pasi vetëm në katërvjeçarin 2011-2015 Vangjush Dako nga 55 premtime elektorale ka mbajtur vetëm 16 dhe nuk ka realizuar 26 të tilla. Por për arsye vendi dhe audience po rendisim këtu vetëm 10.
1. Ujë në 24 orë pa ndërprerje
Në fushatën e vitit 2021 Edi Rama jo vetëm premtoi ujë 24 orë, por pati guximin të thotë se mos realizimi i këtij premtimi do të ishte “përgjegjësia e tij personale”. Nuk dihet saktësisht çfarë nënkuptonte Rama me “përgjegjësi personale”, por fakti që është vetëshkarkuar si deputet i qarkut ndoshta tregon se akoma ka një atom ndërgjegje poshtë asaj bluzës së zezë.
2. Hekurudha Durrës-Tiranë brenda vitit 2024
Legjendat thonë se hekurudha duhet të përfundonte në vitin 2024. Por përpara hekurudhës përfundoi vetë viti 2024 dhe ajo tashmë është shtyrë për në vitin 2026, duke kushtuar 30 milion euro më shume. Dhe 30 milion euro më shumë nuk janë pak gjë…”if you know what I mean!”
3. Kompleksi sportiv i emërtuar “Kutia e ujit dhe e dritës”
U premtua nga Vangjush Dako në vitin 2011. Nuk dihet çfarë ka ndodhur me projektim dhe as ka ndonjë detaj rreth tij. Ajo që dihet është që i vetmi park sportiv që kishte qyteti është kthyer në një mega pallat të shëmtuar, që i ngjan më shumë kabinave të plazhit se sa strukturave moderne.
4. Projekti “Paulownia”
Në fushatën e vitit 2015 Vangjush Dako do të deklaronte se, “Do të bëj projektin e jetës sime, do të mbjell gjithë zonën informale me këtë pemë. Këtë projekt me investim 100 mijë euro do ta bëjmë realitet në fillim të vitit të ardhshëm”. Paulownia është një pemë e cila pretendohej të mbillej masivisht në zonën e Durrësit të Ri edhe për të mbuluar kaosin urban. Ndoshta kur Gjushi kuptoi se pema nuk ishte prej betoni, ndryshoi mendim. E ndërsa sot në Durrësin e Ri po zbatohet projekti, “Kanali i Bretkosave”.
5. Rehabilitimi i Kodrës Currila
“Do të marrë fund makthi i qytetarëve durrsakë lidhur me rrëshqitjet e dheut në Kodrën e Currilave apo të Vilës së Zogut.” – shkruante një media pranë PS-së në vitin 2015. Projekti u inagurua nga vetë Rama dhe u shit si një premtim i realizuar i Lefter Kokës, por në fakt ishte një nga dështimet inxhinierike më spektakolare të rilindjes. Kodra e cila dikur edhe nuk rrëshqiste, sot rrëshqet me siguri sa herë “dy pika shiu ranë mbi Kodër”.
6. Ujitja përmes rezervuarëve
Në vitin 2015 Vangjush Dako, pasi nuk i kishte realizuar pjesën me të madhe të premtimeve të dhëna, ishte që ishte, vendosi “t’i fuste” edhe një premtim tjetër që kësaj herë prekte fermerët e zonës së Rrashbullit. Premtoi se do të krijonte kushtet që rezervuarët e zonës të përdoreshin për ujitjen e tokave bujqësore. Bujqit e zonës falënderojnë Zotin e Madh që herë pas here i dërgon shi, se të ishte për rezervuarët e Vangjush Dakos sot do ishin duke vdekur për bukë.
7. Biblioteka e qytetit
Ky është një premtim që socialistët e kanë aq përzemër, sa nuk e realizojnë qëllimisht në mënyrë që të kenë mundësi ta ribëjnë si premtim sa herë ka zgjedhje. Ndryshe nga premtimet e tjera që janë bërë një apo maksimumi dy herë, ky i bibliotekës është një premtim që bëhet çdo 2 vjet. Pra nga viti 2000 është berë plot 13 herë. Dyshimi i bazuar në prova të arsyeshme është se duke qenë se djegia e librave do ngjante keq në sytë e botës atëherë është vendosur një aleancë e fshehtë me molën për asgjesimin e këtij armiku të çdo tiranie.
8. Akademia e Manchester City
Ky premtim u bë nga Kryeministri Rama në vitin 2023. Duke qenë se akademia e futbollit kërkon dushe dhe këto të fundit ujë, pa u zgjidhur problemi i furnizimit me ujë për qytetin, “hë për hë” nuk mund të procedohet më tutje me realizimin e këtij projekti sa largëpamës aq edhe jetik për fatet historike të qytetit tonë mijëvjeçar.
9. TID Durrës
Një projekt ky i AADF i cili pritet të nisi…dje! Pra duhej të kishte nisur. Por mes arnimesh dhe shpronësimesh të padrejta, projekti ka ngecur. Është ndryshuar me dhjetra herë dhe nuk dihet më asgjë për zbatimin e tij. Është një nga ato projektet që Durrësit po ja sjell dëmin më të madh se bereqetin. Pronarë të zhvendosur pa dinjitet dhe me dëmshpërblime qesharake, një menaxhim okult i të ardhurave, një selektim klientelist i godinave që do të ruhen, prishen apo restaurohen dhe shumë paqartësi në lidhje me identitetin dhe historinë e shkruar. Duke qenë se këtë investim e ka marrë përsipër një fond amerikan, i cili në fakt me Amerikën s’ka më asnjë lidhje, “katundi” jonë hesht.
10. Veliera
Do thoni ju se Veliera është një premtim i realizuar, ç’punë ke me të. Fillimisht nuk i përtyp dot ato 10 milion eurot që janë shpenzuar për atë shëmti që ka filluar të bjeri copa-copa pa përfunduar ende. Së dyti sepse përfundimi i saj është shtyrë të paktën 3 herë. Herën e fundit “Edi i Madhërishëm” premtoi se do të përfundonte në qershor 2024. Por struktura jo vetëm nuk ka përfunduar por ka nisur të prishet. Rruga përmbytet, pllakat që zakonisht përdoren për banjo kanë nisur të bien, ndërsa hekurat të deformohen. “Kullës Eiffel” i është dashur 2 vjet, 2 muaj dhe 5 ditë për tu përfunduar – Velierës së Vangjush Dakos 9 vite dhe…”to be continued”…
Nuk kemi ndonjë iluzion se këto premtime të pambajtura do të prekin zemrën e votuesve pragmatik shqiptar, të cilët tashmë e kanë shitur të ardhmen për një rrogë mujore, për një palë atlete apo për një thes miellë. Ky artikull i drejtohet atyre pak durrsakëve që e kanë Durrësin në zemër dhe që duan ta çlirojnë nga triumvirati, “Gjushi-Gysi-Poja” dhe bretkosat e tyre politike.