Durrësi përkujton “babain e arkeologjisë”, në 100 vjetorin e lindjes së Vangjel Toçit

Qytetarët e Durrësit përkujtuan një javë më parë në ditën e lindjes personalitetin e shquar të kulturës në Durrës, Vangjel Toçin, që ja kushtoi jetën kontributit për arkeologjinë e qytetit bregdetar.

Më 12 tetor, në ditën e lindjes duket se institucionet hodhën një sy ndaj kontributit të jashtëzakonshëm të arkeologut Vangjel Toçi. Bashkia e Durrësit e nderoi atë me titullin “Qytetar Nderi”, duke ja dorëzuar titullin të birit të tij, Plarentit.

Vangjel Toçi e nisi kontributin për qytetin duke themeluar bibliotekën në vitin 1945, ku dhuroi 1000 libra dhe e drejtoi me sukses këtë institucion. Në vitin 1951 ai ngriti muzeun e parë arkeologjik të Durrësit dhe e drejtoi atë paralel me zbulimin e monumenteve madhështore të qytetit.

Në vitin 1966 ai zbuloi Amfiteatrin e Durrësit, një monument unikal në hapësirën shqiptare. Arkeologu Toçi ka udhëhequr të gjitha gërmimet arkeologjike në Durrës nga viti 1947, deri në vitin 1982.


Gjatë ceremonisë së nderimit të arkeologut Vangjel Toçi, në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Foto: Amfora.al

Kontributi i tij për muzetë ka qenë i gjithanshëm, duke ngritur edhe Muzeun e Luftës, Muzeun Etnografik dhe Galerinë e Arteve në Durrës, si edhe muzetë historik në Kavajë e Shijak. Të pranishmit ndoqën dokumentarin kushtuar jetës së Vangjel Toçit, përgatitur nga gazetari, Gëzim Kabashi dhe telekronisti, Astrit Tahiri.

Në aktivitetin e moderuar nga gazetari Bashkim Hoxha, arkeologu Afrim Hoti prezantoi librin që i kushtohet figurës së Vangjel Toçit, libër i cili do të mund të lexohet edhe në mënyrë elektronike në faqen web të Muzeut Arkeologjik të Durrësit.  

Arkeologu Vangjel Toçi u lind më 11 tetor 1920 në qytetin e Elbasanit dhe ndërroi jetë më 29 janar të vitit 1999, në Durrës, në moshën 79 vjeçare. Vangjel Toçi mban firmën mbi zbulimet më madhështore të Durrësit, ndër to zbulimi i Amfiteatrit 1900-vjeçar, mozaikut të njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit”, termat (banjat) e periudhës romake në themelet e Teatrit Aleksandër Moisiu, mozaikun me kalë deti, si edhe zbulime të tjera.

Ai njihet edhe si “nuni i shqiptarëve”! Zbulimi prej tij i mbi 300 emrave ilirë në shtyllëzat funerale provoi praninë e elementit ilir në Durrës, emra me të cilët i janë vendosur mijëra shqiptarëve.

Në ceremoninë e organizuar në Teatrin “Aleksandër Moisiu” mori pjesë kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, ministrja e kulturës, Elva Margariti, drejtori i Qendrës Muzeore të Durrësit Alban Ramohitaj, si edhe shumë personalitete të njohura të qytetit.

_______

*Foto në krye: Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, duke dorëzuar titullin “Qytetar Nderi” për arkeologun Vangjel Toçi, të birit, Plarentit. Foto: Amfora.al


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109