Deputetët si sekser të popullit

Degradimi i figurës së deputetit nuk ka ardhur nga poshtë, por nga lart. Ka ardhur si pasojë e degradimit me dashje që ka pësuar vetë figura e deputetit ndër vite me vullnet të kryetarit. Nga një elitë e mendimit, deputeti është kthyer në një magnet votash.

Foto kortezie: "Facebook" - Kuvendi i Shqipërisë

Po rrëshqisja sot në mëngjes në murin e Facebook-ut tim, kur papritur u përplasa me shënimin serioz të një mikeshe të Partisë Socialiste. Ftonte dynjanë të votonin njëfarë deputeti që sipas saj, “zgjedh hallet dhe problemet e komunitetit”. U sikletosa! Së pari sepse me siguri ka dashur të shkruaj “zgjidh” dhe ka shkruajtur “zgjedh”, duke spikatur brishtësinë intelektuale të partive politike. Ose këtu kemi të bëjmë me një lapsus frojdian, përmes të cilit mikesha socialiste shpreh bindjen e represuar se në fakt ky kandidat në vend të një grupi hallesh “zgjedh” që ne të kemi një grup tjetër hallesh. Së dyti sepse kuptova që mikesha ime, ashtu si shumëkush në këtë milet, kishte ngatërruar rolin e deputetit me atë të sekserit. 

Në fakt Neni 70 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përcakton rolin e deputetit si “përfaqësues” në Parlament, në kuptimin e të zgjedhurit, të deleguarit, i cili ngre në tryezën e politikës së madhe “hallet dhe problemet e komunitetit”. Pra jo përfaqësues për shembull tek drejtorët për të gjetur një vend pune, për të marrë ndonjë tender apo për të “maru nai punë” me shtetin. Esencialisht deputeti ndërton dhe propozon ligje, për të cilat ai gjykon se zgjidhin (me “i” jo me “e”) “hallet dhe problemet e komunitetit”. Pra ai përfaqëson popullin në Kuvend jo tek, fjala bie, Hipoteka.

Gjithsesi fenomeni këtu është shqetësues dhe shumë më i gjerë. Një nga elementet e tranzicionit është se një pjesë e popullit nuk e ka kuptuar kurrë demokracinë. Domethënë e ka kuptuar siç i leverdis. E ka kuptuar ashtu si i mbaron punë. Sistemi ka degraduar në deputet që strehojnë kriminel në shtëpi, deputet që ndëryjnë për lirimin e krimineleve nga burgu, deputet që negociojnë për vende pune, etj. Këtu askush nuk di të mbajë vendin që i takon. Mandati i deputetit është njëfarë Nihil Obstat për të mbaruar çdo punë. Një çelës anglez i cili futet e del kudo sipas epshit popullor dhe personal. Ja pse jemi këtu ku jemi!

Ky degradim nuk ka ardhur nga poshtë, por nga lart. Apo siç do ta quanin politologët, “Top-Down”. Ka ardhur si pasojë e degradimit me dashje që ka pësuar vetë figura e deputetit ndër vite me vullnet të kryetarit. Nga një elitë e mendimit, deputeti është kthyer në një magnet votash. Për të marrë votat e një populli thellësisht të palexuar nuk duhen inteletualë, por analfabet funksional që dinë të komunikojnë me masat përmes gjesteve dhe tingujve. Njerëz që hanë vezë “Ovvital” dhe pijnë “Trodo Caffe” në mëngjes, mbushin makinën me karburant “Kastrati” në drekë dhe shohin “Big Brother” në darkë. Fuqia e ideve dhe fjalëve zëvendësohet nga forca për me “zgjedh halle”. Vota nuk është më një projeksion për të ardhmen, por një do-ut-des (pra “më jep të jap”) banal, ku secili kërkon “me kap nai gjo”. 

Pa u kulturuar ky popull, nuk do ketë kurrë demokraci të vërtetë. Mund të duket sa më sipër një detaj i vogël dhe i parëndësishëm, por demokracia fillon me dijen apo më mirë më vetëdijen e asaj se çfarë po bëjmë.