Arnold Toynbee dhe qytetërimi perëndimor sot
Arnold Toynbee ishte një nga ata intelektual ë të cilit revista ‘Time’ i kushtoi një kopertinë më 17 mars të vitit 1947. Ai ishte autori i një libri me shtatë vëllime, i cili kishte arritur të shiste më shumë se 300.000 kopje. Ishte i vetmi autor i cili kishte marrë guximin të jepte një interpretim të ri mbi historinë dhe forcat që shtynin përpara karrocën e qytetërimeve pas Karl Marksit. Si ngrihej një popull, një perandori, një qytetërim?! Si zhvillohej ai?! Dhe mbi të gjitha përse vdiste?!
Në ndryshim nga Marksi, Toynbee besonte se mekanizmat që ndikonin më së shumti në evolucionin e qytetërimeve nuk ishin ekonomik por ato që ai i quante “forca shpirtërore”. Pra besimet, aspiratat, vullneti, kreativiteti, inteligjenca dhe vlerat e popullit (apo popujve) që përbënin qytetërimin dhe mbi të gjitha të elitës së saj drejtuese. Deri në vitin 1961 ai kishte arritur të studionte më shumë se 29 qytetërime dhe të hiqte mes tyre një linjë të përbashkët kur vinte puna tek kolapsi i secilës. Toynbee kishte vënë re në fakt se pothuajse të gjitha perandoritë e fuqishme përballeshin në mënyrë ciklike me sfida të ndryshme. Diku një zi buke, diku një tërmet i fuqishëm, diku tjetër një fqinj agresiv… e kështu me radhë. Por civilizimet nuk binin gjithmonë. Ato binin apo kolapsonin vetëm kur elitat drejtuese të atyre qytetërimeve (lexo edhe popujve) nuk ishin në gjendje që këtyre sfidave t’i përgjigjeshin në mënyrën e duhur.
Për shembull, Perandoria Romake përballej vazhdimisht me presionin e dyndjeve migratore, të paktën që nga shekulli i I e.s. por kolapsoi plot 4 shekuj më pas. Përse? Sepse në atë moment – shkruan Toynbee – pra në shekullin e V e. s. elitat nuk arritën të gjenin një zgjidhje të përshtatshme të krizës. Elitat romake, në rastin tonë, kishin degraduar plotësisht dhe nuk ishin asgjë më shumë se hija e elitave të dikurshme. Ato nuk kishin më forcën, unitetit apo kreativitetin për tu përballur me sfidat e reja. Përkundrazi ato ishin thellësisht të korruptuara, të përçara dhe të babzitura për pushtet. Pra i mungonte “forca shpirtërore” përmes të cilës mund ti përgjigjej krizave.
Këmbana e parë e alarmit – sipas Toynbee – ishte kur popujt rrëshkisnin në “tiraninë despotike të minorancave”, apo e thënë ndryshe në diktaturën e elitave drejtuese të cilat, për ndonjë arsye, shkëputëshin nga populli (demos-i) dhe realiteti. Këto elita nuk kishin më një horizont të qartë të sfidave dhe humbnin në mjegullnajën virtuale që krijonin konjukturat rreth tyre. E famshme për shembull është historia se si me turqit osman te dera e Kostandinopojës, aty nga gjysma e shekullit të XIV, teologët dhe intelektualët bizantin, mbyllur në kishën e Shën Sofisë, debatonin nëse teologjia duhet të ishte apo jo apofatike. Disa dekada më pas osmanët i dhanë zgjidhje përfundimtare debatit duke e fshirë perandorinë bizantine nga faqa e dheut.
Për shkak të rëndësis që Toynbee i jepte Zotit dhe forcave shpirtërore, pra variablave të pamatshëm, ai u la në harresë nga intelektualët e post viteve‘ 70. Por është e vështirë të mos mendosh për teorinë e tij kur ndjek me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve sociale dhe politike sot. Me ekstremizmin politik që po përmbyt parlamentet europiane dhe fushatën elektorale amerikane, të krijohet ideja se qytetërimi perëndimor ka nisur një fazë dekadence nga e cila do të mund të dal vetëm përmes një elite të re politike dhe ideve të reja kreative. Dhe këto të fundit nuk duken kërkund, në asnjë horizont.
Merrni për shembull ata që e quajnë veten progresist. Mund të duket e parëndësishme por fjala progres në këtë rast është huazuar nga latinishtja. Literalisht do të thotë “përpara (pro) me një hap (gressus)” ose “një hap përpara”. Sot ata që pretendojnë se po e çojnë shoqërinë “një hap përpara”, pra progresistët, kërkojnë rrënimin e familjes përmes prindit A dhe prindit B, kërkojnë të promovojnë vrasjen e fëmijëve të palindur ende (të cilët meqë ra fjala nuk i konsiderojnë fëmijë të vërtetë) apo duke luftuar çdo traditë dhe arritje të së shkuarës kur kjo nuk përputhet me bindjen e tyre aktuale. Kësaj të fundit madje i kanë vendosur edhe emrin Cancel Culture nën frymën e së cilës duan për shembull të asgjesojnë Dante Aligerin apo edhe vetë matematiken sepse i konsiderojnë diskriminuese! Po goditet kështu themeli i shoqërisë dhe i individit. Themel mbi të cilin të gjithë ne kemi ndërtuar jo vetëm ekzistencat dhe përditshmërinë tonë, por edhe vetë vizionin për veten dhe për botën. Po goditet pra marrëdhenia që njeriu ka me veten, me tjetrin, me familjen, me shoqërinë, me fenë, me politikën, me kulturen, me Zotin. Dhe kjo nuk mund të shitet si revolucion dhe aq me pak si progres. Shkatërrimi i asaj që njeriu ka ndërtuar për dhjetra mijra vjet nuk mund të jetë kurrësesi “një hap përpara”.
Kjo ndoshta është e vetmja periudhë në historinë e njerëzimit kur fjala progres dhe progresist ka nisur të marrë, për një pjesë të madhe të popullsisë perëndimore, një kuptim negativ. Bashkë me të, një zhgënjim të madh ka nisur të vihet re edhe për të majtën që i strehon dhe i inkurajon këto vizione të realitetit. Rritja e elektoratit të djathtë në Francë (RN), Gjermani (AFD), Spanjë (Vox) dhe SHBA (D. Trump), fuqizimi i qeverive si ajo e Orban në Hungari apo Melonit në Itali, është simptomë se e majta, përtej tërheqes intelektuale që ushtron tek idealistët, po pëson një goditje të dytë pas asaj që mori mes fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90. Dhe kësaj goditje të dytë nuk ëstë e thënë t’i shpëtojë si të parës.
Ndryshe nga bashkëkohësi i tij Oswald Spengler, historiani Toynbee nuk ishte fatalist. “Qytetërimet vdesin nga vetëvrasja jo nga vrasja” – shkruante ai. Pra shkurt, e kemi ne në dorë fatin tonë. Toynbee mendonte se qytetërimet mund t’i kapërcejnë sfidat që i vihen përpara. Madje ai mendonte se sfidat me të cilat qytetërimet përballeshin i japnin atyre mundësi të rriten dhe zhvillohen. Por që kjo të ndodh duhet që ai qytetërim të rinovoj vetëveten përmes elitash dhe ideshë të reja. Vetëm se ato duhet të jenë vërtetë të reja. Jo gjasme apo gjysmë të reja, por plotësisht të reja. Dhe për këtë na duhet të rishohim jo vetëm elitat aktuale por edhe skemat ideologjike të krijuara në shekullin e XIX, të cilat na kanë fosilizuar në qëndrime dhe zgjidhje të cilat sot nuk vlejnë asgjë.