Aristoteli: Lumturia si përmbushje e vetes
Aristoteli u formësua nga prirja mjekësore dhe oborri maqedonas, duke zhvilluar interes për biologjinë dhe hetimin empirik. Ai kritikoi Platonin dhe krijoi një sistem gjithëpërfshirës që lidh logjikën, biologjinë, etikën dhe politikën, duke integruar arsyetimin me vëzhgimin dhe vendosur bazat e filozofisë perëndimore.
Monument nga Greqia e Lashtë. Burimi: Pexel
Aristoteli lindi në vitin 384 para erës sonë në Stagirë, një koloni greke në Traki, në Gadishullin Halkidik. Babai i tij, Nikomaku, ishte mjek në oborrin e mbretit Amintas II të Maqedonisë, anëtar i shoqërisë mjekësore të Asklepiadëve. Nëna e tij, Faistida, vinte nga një familje e Chalkidës në Eube.
Prindërit e Aristotelit vdiqën kur ai ishte ende i ri, dhe ai u rrit nën kujdesin e një të afërmi, Proxenit nga Atarneu. Ky sfond familjar, i lidhur me praktikën mjekësore, ndikoi në interesin e tij të hershëm për biologjinë dhe hetimin empirik, pasi babai i tij merrej me diseksione dhe vëzhgime anatomike.
Si djalë, Aristoteli vizitoi oborrin maqedonas në Pella, duke krijuar lidhje që do të ndikonin në karrierën e tij të mëvonshme.
Në moshën 17 ose 18 vjeçare, rreth vitit 367 para erës sonë, Aristoteli u zhvendos në Athinë dhe u bashkua me akademinë e Platonit. Ai qëndroi aty për rreth 19 vjet, deri në vdekjen e Platonit në vitin 347 para erës sonë.
Gjatë kësaj periudhe, Aristoteli ndoqi mësimet e Platonit, duke zhvilluar respekt dhe admirim për mësuesin e tij, të cilin e përshkroi si një shembull të lumturisë dhe mirësisë njerëzore përmes jetës dhe shkrimeve.
Megjithatë, ai filloi të kritikojë disa nga doktrinat platonike, veçanërisht teorinë e formave si entitete të pavarura dhe të pandryshueshme.
Në veprat e tij të hershme, kryesisht sot të humbura, Aristoteli trajtoi tema si pavdekshmërinë e shpirtit dhe natyrën e filozofisë, duke treguar një zhvendosje drejt një qasjeje më empirike.
Largimi i tij nga akademia pas vdekjes së Platonit lidhet me faktorë si zgjedhja e Speusipit si drejtues, fryma anti-maqedonase që sundonte në Athinë dhe ftesat për të ushtruar zejen e dijes filozofike diku tjetër.
Sidoqofte, pavarësisht kritikave, ky largim nuk përbën një thyerje doktrinore të plotë me Platonin, por një ndryshim gradual në mendimin e tij në një filozofi të re, më konkrete dhe empirike.
Pas largimit nga Athina, Aristoteli udhëtoi në Azinë e vogël rreth vitit 347 para erës sonë, i ftuar nga Hermiasi, një ish-anëtar i akademisë që sundonte Atarneun dhe Assosin.
Atje, ai formoi një grup studiuesish, duke përfshirë Ksenokratin dhe Teofrastin, dhe u angazhua në kërkime biologjike intensive, veçanërisht në jetën detare.
Ai u martua me Pitiasin, mbesën dhe bijën e birësuar të Hermiasit, dhe pati një vajzë me të njëjtin emër. Pas vrasjes së Hermiasit nga persianët, Aristoteli u zhvendos në Lesbos për dy vjet, ku vazhdoi kërkimet biologjike. Kjo periudhë udhëtimi forcoi metodën e tij empirike, e cila bazohej në vëzhgime të drejtpërdrejta ndryshe nga idealizmi abstrakt i Platonit i cili shkonte tek e vërteta përmes arsyes.
Në vitin 343 para erës sonë, Aristoteli u kthye në Maqedoni, i ftuar nga Filipi II për t’u kujdesur per edukimin e të birit, Aleksandrit 13-vjeçar, i cili më pas do të merrte nofkën “Aleksandri i Madh”.
Edukimi i tij zgjati dy ose tre vjet në Pella dhe Mieza, ku Aristoteli studioi kushtetutat greke dhe shkroi mbi monarkinë dhe kolonitë.
Ky rol ndikoi në mendimin e tij politik, duke theksuar nevojën për edukim jo vetëm përmes dijes por edhe përmes virtytit për sundimtarët. Pas vrasjes së Filipit në vitin 336 para erës sonë, Aristoteli qëndroi në Stagirë deri në vitin 335 para erës sonë, ku drejtoi rindërtimin e qytetit dhe hartoi ligjet e tij.
Në vitin 335 para erës sonë, Aristoteli u kthye në Athinë dhe themeloi Liceun, shkollën e tij jashtë qytetit, në një pyll të dedikuar apollonit Likeios.
Si jo-qytetar athinas, ai kishte kufizime ligjore, por shkolla u mbështet nga Aleksandri. Këtu, ai zhvilloi një periudhë produktive 13-vjeçare, duke mbledhur një bibliotekë të madhe dhe duke kryer kërkime në fusha të ndryshme.
Pas vdekjes së Pitiasit, ai krijoi një lidhje me Herpilisin nga Stagira, me të cilën pati djalin Nikomakun. Veprat e tij nga kjo periudhë përfshijnë traktate sistematike, jo më dialogje divulgative.
Pas vdekjes së Aleksandrit në vitin 323 para erës sonë, fryma anti-maqedonase çoi në akuza për mosrespekt ndaj perëndive, duke e detyruar të ikte në Chalkidë, ku vdiq në vitin 322 para erës sonë nga një sëmundje stomaku, në moshën 62 vjeçare.
Mendimi i Aristotelit përbën një sistem gjithëpërfshirës, i ndarë në shkenca teorike, praktike dhe produktive. Kontributin kryesor ai e jep në shkencën e logjikës, permes “Organon”-it të tij të famshëm, një grup veprash si “Kategoritë”, “Mbi Interpretimin” dhe “Analitikat”, etj, ku krijon sistemin e silogjizmit si metodë deduktive.
Silogjizmi bazohet në premisa universale për të nxjerrë konkluzione të veçanta, duke vendosur bazat për arsyetimin racional.
Në kuptimin analitik, kjo metodë dallon nga qasja dialektike e Platonit, dhe thekson vlefshmërinë formale të shqisave mbi spekulimin metafizik.
Kjo metodë ka dominuar mendimin perëndimor për më shumë se dy mijë vjet dhe sot është baza e shkencave natyrore.
Në metafizikë, Aristoteli refuzoi Format e Platonit si të paafta për të shpjeguar ndryshimin dhe ekzistencën fizike, duke propozuar problemin (kritikën) e “njeriut të tretë”. Ai përcaktoi si entitet fillestar jo më formën por substancën (ousia), e cila përbëhet nga materia dhe forma, dhe ka katër lloj shkaqesh: materiale, formale, efikase dhe finale.
Ndryshimi ndodh kur mundësia realizohet në akt, me shpirtin si formë e trupit. Kështu njeriu merr një qëllim, nuk është më një aksident. Ai me Aristotelin ka përfundimisht një finalitet (teleologji).
Në fizikë dhe kozmologji, Aristoteli pa natyrën (physis) si lëvizje drejt realizimit të mundësisë të vetë, duke refuzuar vakumin dhe atomizmin. Universi është gjeocentrik, me sfera qiellore të lëvizura nga lëvizës të palëvizshëm, dhe katër elementët (tokë, zjarr, ajër, ujë) kanë tendenca natyrore.
Metodologjikisht kjo qasje, e ndikuar shumë nga biologjia, pengoi përparimin shkencor modern duke refuzuar forcat dhe dinamikën, por ofroi një kornizë sistematike për shpjegimin e fenomeneve natyrore bazuar përmes vëzhgimit.
Kontributet e Aristotelit në biologji janë empirike, me vepra si “Historia e Kafshëve” dhe “Pjesët e Kafshëve” bazuar në diseksione dhe vëzhgime detare nga periudhat në Assos dhe Lesbos.
Ai klasifikoi speciet, studioi riprodhimin dhe lëvizjen, duke aplikuar teleologjinë për të shpjeguar funksionet organike.
Kjo metodë integron vëzhgimin me arsyetimin, duke dalluar nga abstraksionet platonike dhe duke vendosur bazat për shkencën natyrore.
Në etikë, Aristoteli zhvilloi etikën e tij të virtytit në Etikën Nikomake dhe Etikën Eudemiane, duke përcaktuar lumturinë (eudaimonia) si aktivitet i shpirtit sipas virtytit individual.
Njeriu pra për të qenë i lumtur duhet të realizonte veten sipas talenteve të tij. Për Aristotelin virtyti është mesatarja e artë midis ekstremeve, si guximi midis frikës dhe papjekurisë.
Për të jeta me arritje është më e larta e mundshme. Metodologjikisht, kjo qasje integron biologjinë njerëzore me arsyetimin, duke kritikuar hedonizmin dhe duke theksuar rolin social të virtytit, me ndikim të vazhdueshëm në etikën normative.
Në politikë, Aristoteli e pa polis–in si komunitet vetëmjaftues për jetën e mirë. Kushtetuta më e mirë është një përzierje midis oligarkisë dhe demokracisë, duke shmangur ekstremet.
Ashtu si filozofët e tjerë grekë, edhe ai ishte kundër demokracisë së pastër. Ai analizoi 158 kushtetuta të botës greke, duke kritikuar demokracinë athinase si të prirur ndaj tiranisë.
Mendimi i tij politik integron etikën me realitetin empirik, duke mbrojtur skllavërinë natyrore por duke njohur gjithashtu edhe miqësinë midis zotërinjve dhe skllevërve.
Në poetikë dhe retorikë, Aristoteli trajtoi krijimin si imitimin e natyrës, me tragjedinë si katarsis emocional. Këto fusha prodhimtare plotësojnë sistemin e tij, duke aplikuar logjikën në art.
Mendimi i Aristotelit paraqet një koherencë te qëndrueshme, duke integruar vëzhgimin empirik me arsyetimin deduktiv, ndryshe nga idealizmi i Platonit. Metoda e tij, e bazuar në induksion nga të veçantat në universale, si në “Analitikat e Pasme”, ka ndikim të thellë në filozofinë e shkencës. Megjithatë, teleologjia e tij dhe refuzimi i vakumit vonuan zhvillimet moderne.
Trashëgimia e tij është themelore në mendimin perëndimor, duke ofruar një kornizë për hetimin racional dhe shkencor. Sot filozofia e tij në disa çështje bashkëkohore konsiderohet si e tejkaluar.