Akuzat për ekonominë gjatë fushatës së 11 Majit, partitë politike si burim i dezinformimit
Në fushatën e 11 Majit, partitë politike u shndërruan në fabrika premtimesh. Të majtë e të djathtë e përdorën ekonominë si skenë propagande, duke shpikur shifra dhe ndjenja. Njëra fliste për varfëri të skajshme, tjetra për bollëk që s’e sheh njeri. Dhe mes këtyre dy ekstremeve, qytetari i zakonshëm humbi, jo për mungesë parash, por për mungesë të së vërtetës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 2025. Foto: Instagram.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, eksponentë të partive politike bënë deklarata për gjendjen ekonomike të shqiptarëve, duke dezinformuar qëllimisht opinionin publik për përfitim politik. Këto deklarata erdhën nga të dyja partitë e mëdha, të cilat e pikturuan tablonë ekonomike sipas interesave të tyre elektorale. Shprehje si “një e treta e shqiptarëve vuajnë për bukë” apo “shqiptarët nuk blejnë dot as bukën me këto çmime” janë tregues të një fushate të mbushur me dezinformim, përfshirë edhe në fushën ekonomike.
Këto deklarata, përveçse të shkëputura nga realiteti, bien ndesh me përfundimet e institucioneve ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB), të cilat e rendisin Shqipërinë si vend me të ardhura “të mesme-të larta”, në të njëjtën kategori me pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës Juglindore. Shqiptarët janë një popull që konsumon në kafene, dreka, darka e bujtina, ndaj teoria e “vuajtjes masive për bukë“ nuk qëndron në një realitet ku restorantet janë plot. Mjafton të ecësh në rrugët e një qyteti të madh shqiptar për ta kuptuar këtë. Sipas të dhënave të INSTAT, shqiptarët shpenzojnë rreth 800 milionë euro në vit për bare, kafene e restorante. Ndërkohë, shitjet e deklaruara në shërbimet ushqimore janë rritur me 3.3 herë në 15 vitet e fundit, çka tregon rritjen e konsumit dhe përmirësimin e nivelit ekonomik të qytetarëve.
Edhe të ardhurat e shqiptarëve janë rritur. Të ardhurat për frymë (GDP per capita), të përshtatura me inflacionin dhe kursin e këmbimit, janë rreth 23 mijë dollarë, rreth dyfish më shumë se një dekadë më parë. Aktualisht, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është 27 miliardë dollarë, gjithashtu dy herë më i madh se dhjetë vite më parë. Përveç viteve 2020–2021, kur pandemia ndikoi negativisht, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje të vazhdueshme; nga 2.2% në vitin 2015 në 4% në vitin 2024.
Shqipëria është kthyer në një destinacion të njohur turistik: gjatë periudhës janar–gusht 2025 e kanë vizituar rreth 8.9 milionë turistë të huaj. Investimet e huaja direkte janë rritur nga 1.4 miliardë euro në 2023 në 1.5 miliardë euro në 2024, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë investuar rreth 760 milionë euro, çka përkthehet në një trend vjetor të ngjashëm.
Sigurisht, këto fakte nuk nënkuptojnë se ekonomia shqiptare është “fushë me lule”. Kjo është veçanërisht e rëndësishme përballë deklaratave si ajo e Kryeministrit për pagën minimale 500 euro, rritjen e pagave në sektorin publik pa rritje taksash, apo ajo e Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, sipas së cilës “me 130–140 euro në muaj nuk konsiderohesh i varfër”. Kjo deklaratë nuk është e saktë, duke qenë se minimumi jetik i llogaritur nga Avokati i Popullit është rreth 17,000 lekë.
Sipas Bankës Botërore, 19.7% e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Kjo përqindje arrin në 40.6% nëse si prag merret 8.30 dollarë në ditë, dhe në 6.6% kur merret pragu 3 dollarë në ditë. Me fjalë të tjera, 40.6% e shqiptarëve jetojnë me 8.3 dollarë në ditë, ndërsa 6.6% jetojnë me 3 dollarë ose më pak. Shqipëria është vendi i gjashtë më i varfër në Evropë, duke lënë pas vetëm Ukrainën, Moldavinë, Bjellorusinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Varfëria dhe mundësitë e kufizuara janë ndër arsyet pse rreth 40% e popullsisë është larguar nga vendi që nga viti 1990, sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Dezinformimi ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi cilësinë e demokracisë shqiptare, pasi qytetarët nuk mund t’u kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre nëse janë të painformuar. Dezinformimi ekonomik ndikon gjithashtu në përfshirjen qytetare në debatet publike për sistemin fiskal, borxhin publik dhe politikat sociale. Është detyrë e klasës politike dhe e shoqërisë civile të promovojnë faktet dhe të vërtetën.