A ka socializëm të djathtë? Një artikull i “The Atlantic” më surprizoi…
Artikulli i The Atlantic mbi “socializmin e djathtë” të Trump ngre pyetje mbi kufijtë klasikë mes të majtës dhe së djathtës. Megjithëse vendime si blerja e aksioneve të Intel nuk përbëjnë akte socializmi, ato tregojnë një të djathtë që ka braktisur neoliberalizmin dhe ka pranuar një rol më aktiv të shtetit në ekonomi, duke mbrojtur punëtorët dhe interesin kombëtar. Ky trend, i quajtur kapitalizëm kombëtar ose nacional-kapitalizëm, shihet si një rrugë e re për të djathtën, sidomos në SHBA dhe Evropë.

Foto ilustruese e presidentit Donald Trump nga Pixabay.com
Një artikull i fundit që lexova në prestigjiozen “The Atlantic” titullohej (e perifrazuar në shqip): “Socializmi i djathtë i Trump-it”. Ky artikull u shkrua si pasojë e një vendimi të papritur nga administrata Trump, e cila lajmëroi se qeveria federale amerikane do të blinte 10% të aksioneve të gjigandit të gjysmëpërçuesve Intel, si pasojë e shqetësimeve për sigurinë kombëtare. Vlen të thuhet se oferta globale e gjysmëpërçuesve dhe çipave është e rëndësishme, duke ditur që 80% e tyre prodhohen në Republikën e Kinës, alias Tajvani dhe ambiciet e Republikës Popullore të Kinës, alias Kina Komuniste, për të pushtuar Tajvanin mund t’i vënë telefonat, frigoriferët dhe makinat në dorën e komunistëve kinezë. Prandaj përfshirja e shtetit amerikan në këtë marrëveshje nuk bëhet pa qëllim.
Në pamje të parë, terminologjia “socializëm i djathtë” është paradoksale dhe oksimoronike, duke ditur që i lexuar nga studiues të politikës gjatë shekujve dhe i teorizuar nga figura si Marksi, Engelsi, Trotski, Lenini dhe të tjerë, socializmi është përkufizuar si ideologji e majtë. Kjo sepse nga shekulli i 19-të e deri në vitet e fundit, e majta dhe e djathta janë përkufizuar në bazë të teorive dhe ideve mbi raportet socio-ekonomike. Rrjedhimisht, e majta si shtetiste, duke huazuar idetë e Marksit por edhe të Keynesit, ka qenë dhe mbetet e bindjes se shoqëria fiton kur kapitalin e shpërndan dhe rishpërndan shteti. Ndërkaq, e djathta liberale, e mbështetur mbi idetë e liberalizmit klasik të Smithit, Friedmanit, Millit dhe Sowellit, ka qenë dhe mbetet e bindjes se kapitali në shoqëri alokohet më mirë nga tregu. Kuptohet që mbi këto dy supozime mund të ngrihen shumë pyetje, një prej të cilave do duhej të ishte: “Çfarë do të thotë alokim i mirë i kapitalit në shoqëri?” Më imtësisht, cili është kuptimi i fjalës “i mirë” në pyetjen e mësipërme? Dhe pyetja më e rëndësishme: “A përkufizohet sot më ideologjia nga tezat ekonomike? Pra a është e majta sot shtetiste dhe e djathta liberale?”. Ekosistemi politik në Amerikë por edhe artikulli i “The Atlantic” na thotë që jo.
Sigurisht që nuk bie dakord me idenë se Trump është socialist, pavarësisht flirteve të Trump me politikat kejnziane dhe intervencioniste. Pavarësisht mbi-përdorimin e termit “socialist” apo “marksist”, socializmi sot është ideologji e vdekur. Gjithashtu duhet thënë që Kejnsianizmi, proteksionizmi dhe intervencionizmi nuk janë socializëm e nuk janë as variante të socializmit. Si ideologji, socializmi përkufizohet nga kontrolli i mjeteve të prodhimit nga punëtorët, e cila në vendet me diktaturë proletariati, si Kuba, Venezuela apo Koreja e Veriut sot, por edhe Shqipëria dikur, u manifestua me kontrollin e mjeteve të prodhimit nga shteti. Rrjedhimisht, tarifat mbi produktet e huaja apo vendimi më i fundit i administratës amerikane për ta bërë shtetin amerikan aksioner 10% të gjigandit të gjysmëpërçuesve Intel, nuk mund të konsiderohen socializëm sepse nuk paraqesin një plan të koordinuar të qeverisë federale amerikane për të marrë nën kontroll mjetet e prodhimit. Rrjedhimisht, Trump nuk është socialist, por përfaqëson një lloj tjetër të djathtë. Një e djathtë që e ka hedhur neoliberalizmin oligarkik të Bushit dhe Reaganit në plehra dhe ka përqafuar sigurimin social, shtetin me rol rregullator në ekonomi, kapitalizmin kombëtar të bazuar tek tarifat mbi produktet e huaja, si edhe mbrojtjen e klasës së bardhë punëtore, e cila është shtrydhur ekonomikisht e kulturalisht nga korporatizmi dhe postmodernizmi. Konservatorët e nacionalistët e kuptojnë sot se tregu nuk është e nuk mund të jetë besim fetar; Tregu prodhon të mira e mirëqenie, por shteti ekziston për t’u marrë me problemet dhe perversitetet e tregut. Nëse ndiqet vetëm pjesa e parë e kësaj aksiome dhe neglizhohet e dyta, kombi e shoqëria vuajnë. Të djathtët e kuptojnë këtë.
Artikulli i “The Atlantic” vijon duke i krahasuar politikat e Trump me ato të presidentëve progresistë si Franklin Roosevelt dhe Theodore Roosevelt. Ngjashmëria në fakt është e madhe, duke ditur që edhe pse nga parti të ndryshme, Franklin Roosevelt nga Partia Demokrate ose Theodore Roosevelt, e Trump nga Partia Republikane, kanë zgjeruar shtetin në shkallë të paprecedentë për kohërat e tyre. Konservatori progresist Theodore Roosevelt u bë pionieri i veprimtarisë anti-monopol në fillim shekullin XX, me ligjet e famshme anti-trust. Mbrojtja e konsumatorit nga spekulantët e bankave tregtare dhe mbrojtja e punëtorit nga kushtet jo të mira të punës në miniera u kthyen në prioritete politikash në një kohë kur zërat libertarianë të kohës kërkonin vijimin e stagnimit të standardit të jetesës në emër të “tregut të lirë”. Theodore Roosevelt ishte republikan dhe në atë kohë republikanët ishin, siç edhe janë sot, partia e të djathtëve në SHBA. E sqaroj këtë sepse konsensusi i studiuesve të politikës në Amerikë është se shkëmbimi ideologjik midis demokratëve e republikanëve, pra periudha kur demokratët u bënë të majtë nga të djathtë, e kur e anasjella ndodhi me republikanët, ishin vitet ’50, por në fakt kjo ndodhi pas luftës civile. Pra në vitet 1900, kur Theodore Roosevelti ishte president, republikanët ishin konservatorë por konservatorë-progresistë, pra të djathtë në mbrojtjen e familjes dhe mbrojtjen kombëtare, por me bindje më të majta në sferën ekonomike. Lëvizjet “Amerika e Para” (“America First”) dhe “Bëje SHBA-në të Madhe Sërish” (“Make America Great Again”) janë në vetvete kombëtariste dhe siç e kam shpjeguar edhe në një artikull të mëparshëm, kombëtarizmi apo ajo që rëndom quhet “nacionalizëm” dhe i ashtuquajturi “treg i lirë” nuk funksionojnë dot në unison. E për hir të së vërtetës, e djathta amerikane, me përjashtim të Reaganit, ka ndjekur gjithmonë linjën ekonomike intervencioniste. Mjafton të shohësh taksat 90% mbi të pasurit në kohën e presidentit Eisenhower, krijimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) në kohën e presidentit Nixon apo edhe krijimin e Departamentit për Mbrojtjen e Atdheut (DHS) pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në kohën e presidentit Bush. Pra lëvizjet e Trump për të zmadhuar e forcuar shtetin si mjet për të nxjerrë propagandën “woke” jashtë shkollave apo për të ulur fuqinë e oligarkisë mbi shoqërinë amerikane nuk janë të paprecedentë. Madje janë “status quo”-ja politike e së djathtës.
Deri vonë, e djathta kryesisht në SHBA, por edhe pjesërisht në Evropë, e ka barazuar ideologjinë konservatore me dogmat libertariane. Të ishe i djathtë deri vonë, të fuste në një thes me korporatistët e tregtarët e lirë, që nëse lexojmë mësimet e konservatorëve si Burke, Oakeshott, Goldwater e Scruton, as nuk kanë lidhje me të djathtën, konservatorizmin apo kombëtarizmin. Sot e djathta në SHBA përfaqësohet nga ish-demokrati katolik Steve Bannon, i cili në një intervistë për prestigjiozen “The Financial Times”, kritikoi oligarkinë amerikane, vjedhjen e punëve të amerikanëve për shkak të emigracionit të nxitur nga dëshira e kapitalistëve për ulje kostosh prodhimi dhe kërkoi taksa më të larta për të pasurit, të paktën 40%. Vlen të thuhet se nga partia e elitave bankare, republikanët janë bërë partia e klasës punëtore konservatore, një ndërrim korsie ideologjik që në fakt është vënë re edhe në vende evropiane, ku partia Fidesz e kryeministrit Orbán po mbështet fuqimisht politikat sociale “carefare”, pro-krijimit të familjeve, që sigurisht bien ndesh me mësimet e “skifterëve fiskalë” që besojnë te balancimi i buxheteve, e ulja e shpenzimeve qeveritare. Sigurisht që këto politika nuk i bëjnë Trump e Orbán socialistë apo të majtë, por politikanë me mend në kokë.
Socializëm të djathtë nuk ka. Por siç të majtët po kuptojnë se politika identitare po i shkatërron e po i humbet zgjedhje në çdo vend, të djathtët po kuptojnë se liria, familja e kombi nuk mbrohen me pabarazi të lartë, polarizim apo mosmbrojtje të konsumatorit e punëtorit në emër të “tregut të lirë”. E jo më kot po mbështesin një tjetër lloj kapitalizmi. Atë që të tjerë, por edhe unë, e kemi quajtur kapitalizëm kombëtar apo nacional-kapitalizëm. Nacional-kapitalizmi është e ardhmja…