Qeveria i vë kazmën trashëgimisë kulturore, shemb Teatrin Kombëtar dhe vlerat europiane
“Ditë e trishtuar për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe Europë”, kështu nisi postimi i organizatës për tashëgiminë kulturore, “Europa Nostra” paraditen e 17 majit. Në orët e para të mëngjesit qindra forca policie të maskuara nxorrën me forcë aktorët dhe aktivistët që qëndronin në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Operacioni u pasua nga ndërhyrja e fadromave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë që shembën godinaën e ndarë në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental.
Organizata Europa Nostra përfshiu në mars të këtij viti Teatrin Kombëtar në listën e 7 ndërtesave më të rrezikuara në Europë, duke e cilësuar atë si, “Shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane të viteve 1930, i cili është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend”. Kjo përzgjedhje i dha shpresë aktivistëve për të siguruar financime për restaurimin e godinës.
Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi shembjen e Teatrit Kombëtar pasi qeveria i kaloi pronësinë e godinës.
Qeveria shqiptare dhe e Bashkia Tiranës u treguan arrogante dhe shmangën dialogun që ishte këshilluar shumë nga organizmat ndërkombëtarë. 2 ditë më parë komisionerja e BE-së për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel, kritikoi vendimin e Bashkisë së Tiranës për të shembur Teatrin Kombëtar dhe kërkoi dialog mes palëve.
Ndërtesa e teatrit përfundoi në vitin 1939 dhe ishte e vetmja godinë futuriste e inxhinierit dhe arkitektit italian, Giulio Berté, që u porosit nga Mbretëria Shqiptare në bazë të marrëveshjes për planin rregullues të qendrës së Tiranës. Fillimisht aty nisën aktivitete kulturore, artistike, sportive, duke u përdorur edhe si kinema. Në vitin 1945 u bë edhe ndryshimi i fundit, duke u shndërruar në Teatër Popullor dhe më pas në Kombëtar.
Në skenën e teatrit u ngjitën për herë të parë aktorët që spikatën, si: Mihal Popi, Gjon Karma, Liza Vorfi dhe të tjerë, duke ju bashkuar më vonë edhe aktorë si: Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Besa Imami, Violeta Manushi dhe aktorë të tjerë.
Beteja për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar nisi në shkurt të vitit 2018, kur qeveria Rama njoftoi një projekt për ndërtimin e një teatri të ri përmes Partneritetit-Publik-Privat (PPP), që përmes një ligji special do të lejonte kompaninë “Fusha” sh.p.k të ndërtonte pa para godinën e teatrit, duke shfrytëzuar në këmbim një pjesë të pronës publike për të ngritur 6 kulla.
Kontrata dështoi dy vjet më vonë pas rezistencës së aktivistëve, të cilët e denoncuan atë si një shembull i klientelizmit politik dhe si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore të vendit. Në muajin shkurt të këtij viti Bashkia Tiranë që ashtu si qeveria deklaronte se nuk kishte para për të ndërtuar një tetër të ri, papritur njoftoi se bisedimet me kontraktorin privat dështuan dhe se projekti do të zbatohej me paratë e taksapaguesve.
Pas këtij vendimi qeveria dhe bashkia vijuan revanshin që përfundoi ditën e sotme me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Qytetarë të shumtë megjithë kufizimeve në kuadër të masave për ndalimin e përhapjes së COVID-19 protestuan dhe u përballën me policinë përgjatë ditës së sotme kundër shembjes së godinës.
Reagimet pas prishjes së godinave kanë qenë të shumta brenda dhe jashtë vendit, nga përfaqësues të të gjitha fushave. Presidenti i vendit, Ilir Meta, e cilësoi si një akt mafioz dhe duke i krahasuar pamjet me “kazmat” që shembën kishat dhe xhamitë në vitin e mbrapshtë 1967.
Kreu i opozitës, Luzlim Basha, e cilësoi si të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj artistëve dhe gazetarëve nga policia. “Aktivistët, artistët, opozitarët e arrestuar duhet të lirohen menjëherë!”, tha Basha.
Qeveria Rama më herët përmes projektit kontrovers “Veliera” u përball me protestat e qytetarëve që kërkuan të mos dëmtoheshin zbulimet arkoelogjike, që nisnin që nga periudha qytetare-ilire dhe përfundonin me themelet e godinës madhështore të Princ Vidit, njohur si konaku.
Pavarësisht padisë gjyqësore dhe përballjes me kërkesat e qytetarëve, më 15 mars 2019 Bashkia Durrës i vuri kazmën zbulimeve arkeologjike, duke i rrafshuar pothuajse të gjitha mbetjet arkeologjike. Në Durrës projektet publike vijojnë të rrezikojnë mbetjet arkeologjike, teksa kujdesi për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore duket të mos jetë në agjendën e qeverisë.
*Foto në krye: Mbetjet e godinës së prishur të Teatrit Kombëtar, mesditën e 17 majit 2020. Burimi: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit/ Facebook.