Kalaja e Bashtovës, thesari i fshehur në fushën pranë Adriatikut
Duke ndjekur autostradën Durrës-Rrogozhinë, fshati Gosë i Kavajës është sinjali që duhet të marrësh djathtas, për të ndjekur rrugën e fshatit Vilë-Bashtovë. Veturat përballë ecin zig-zag në rrugë. Të udhëtuarit me biçikletë të mbron nga shoferët “e dehur nga rruga”! Ka rreth 6 vite që ajo e ka njohur asfaltin, por ai shpejt i kërkoi “divorcin”! Asfalti i çarë për qindra metra dhe ulje-ngritjet e rrugës kanë nxjerrë nga funksioni një pjesë të korsisë së rrugës që lidh 6 fshatrat.
Por kjo nuk zgjat shumë! Banorët e mbetur të këtyre fshatrave të Kavajës, kryesisht merren me bujqësi. Të tjerë kanë emigruar dhe fshati duket sikur është ndërtuar pas viteve’ 90, me shtëpi dykatëshe dhe ato pak investime në sektorin e industrisë dhe hotelerisë, që ofrojnë “ushqime bio”.
Pas zbritjes së dishezës së fshatit Vilë-Bashtovë, në kthesë gomat e biçikletës fërkohen fort mbi asfalt, pas frenimit të beftë. Në fushë shfaqet kalaja përrallore e Bashtovës. Së largu dallohen kullat rumbullake dhe bedenat. Ndërtuar rreth shek. XV, ndër kalatë e rralla fushore në vendin tonë, ajo ka formë drejtkëndëshi të çrregullt dhe përmasa 60 x 90 m.
Në rrugë shkëmbehemi me një auto-kamp me targa europiane. Të shumtë janë edhe vizitorët shqiptarë. Vendasit dallohen më lehtë, nga xhiro që bëjnë me veturë brenda kalasë që gjendet një orë e gjysmë ose 72 km larg kryeqytetit. Për ne, udhëtimi me biçikletë nga Durrësi merr 3 orë udhëtim, duke përshkuar 50 km deri këtu.
Vegjetacioni nuk duket gjëkundi brenda kalasë, punonjësit e Drejtorisë së Kulturës Durrës e kanë kryer pastrimin rutinë. Buzë kalasë Monument Kulture të Kategorisë së Parë, vendasit kanë punuar tokat. Matanë murit jugor, nga ana e detit ka zënë vend një pushtues i vjetër, shkurret. Pak më tutje, aty ku nuk të shkon syri lehtë, një grumbull mbeturinash. Asgjë përpara madhështisë së kullave që dalin jashtë mureve rrethuese, duke kapur lartësinë 10 m.
Kalaja gjendet në Njësinë Administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i Qarkut Tiranë me atë Fier.
Në murin verior të kalasë, ngjitet ngadalë një kërmill goxha i madh, në ngjyrë kafe të errët. Ndoshta është “arratisur” nga ferma e Stavri Lalës. Pasi lë kalanë, në drejtim të plazhit, në të majtë shfaqet ferma e kërmijve prej 12 dynymësh. Përpara 11 vitesh fermeri Lala nisi kultivimin e kërmijve, me qëllim dërgimin për eksport.
“Në fillim më shumë ishte e vështirë nga njerëzit, kur dëgjoje, ja po merret me kërmijtë. Në Vilë-Bashtovë shumica kanë emigruar dhe investimet i kryejnë në shtëpi, e jo në bujqësi, kur tokat janë bosh”, tha Lala për Amfora.al.
Ai tregon se në Shqipëri sot numërohen 18 ferma që kultivojnë kërmijtë dhe ai vetë grumbullon deri në 300 kunital në vit, për t’i shitur në Itali me rreth 6 euro kilogramin, në varësi të bursës. Për të kjo është një punë pa shumë lodhje, pasi Shqipëria ka lagështirë mjaftueshëm; “Duhet krijuar ferma, duke mbjellur çdo vit bimë foragjere, i rrit dhe i shet çdo vit kërmijtë”, shton Lala, që megjithëse thekson kërkesën e lartë të tregut europian, e di që ende banorët e Vilë-Bashtovës dhe jo vetëm, e shohin me skepticizëm investimin në këtë aktivitet.
Gjatë mesjetës kjo zonë quhej Vrego ose Briego dhe ishte e njohur si një port në lumin Shkumbin, qendër e tregtimit të drithrave. “Për herë të parë Kalaja e Bashtovës haset në një hartë të përpiluar në vitin 1521 nga Piri Reis, si pjesë përbërëse e një manuali i cili i shërbente detarëve për nevoja praktike. Emërtimi i saj ishte Pastova”, shkruhet në tabelën që ministria e Kulturës ka vendosur në hyrje të monumentit, që gjatë periudhës osmane kishte funksion kryesor mbrojtjen e tregtisë detare.
Amortizatorët e biçikletës nuk reshtin së uluri e ngrituri. Ka mbaruar asfalti dhe bregdeti gjendet rreth 1 km larg fortesës. Kamionë që vijnë e shkojnë. Disa përshëndesin me bori. Eskavatori i vogël ndalon së punuari. Shoferi e fik për të na dëgjuar. Shpjegon shkurt se po hapin rrugën për në bregdet, “investim i njësisë administrative”. Fshati Vilë-Bashtovë është përfshirë në projektin “100 fshatrat”, me të cilin qeveria shqiptare synon të mbështesë ekonominë jobujqësore, pjesë e një programi 4 vjeçar.
Bregdeti i virgjër është mbuluar nga një “shtresë e lehtë” mbetjesh urbane. Mbi kokën tonë bën hije një tabelë e lartë, që informon për punimet e ngritjes së një impianti për pastrimin e grykëderdhjes së lumit Shkumbin. Kalaja me ndërthurje të stilit të arkitekturës veneciane me traditat ndërtimore osmane, nuk është në një fushë në mes të hiçit!!!
Rreth 4 km në veri të fshatit kalon lumi Shkumbin, duke u derdhur në Adriatik. Gjatë mesjetës zona ishte e njohur si një port lumor në Shkumbin, qendër e tregtimit të drithrave. Pas pyllit me dafina, shtrihet Divjaka, e në perëndim plazhi i Spilles. Në librin “rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri”, të Valter Shtyllës, mësojmë se këtu pranë kalonte rruga antike që lidhte Dyrrahun (Durrësin) me Apolloninë dhe rreth 14 km nga këtu, kalonte rruga “Egnatia”.
Përgjatë verës së vitit që lamë pas, fshatarët shijuan një monument “eksluziv” për ta! Nën lumin Shkumbin fshihet edhe një tjetër Monument Kulture i Kategorisë së Parë, rrënojat e urës romake që lidhte rrugën antike Durrës-Apolloni. Duke soditur mbi lumin Shkumbin dallohen tratat e peshkimit, shtëpizat prej druri të peshkatarëve dhe rosat që lahen aty pranë.
Por Shkumbinit i duhet patur frika! Banorët ankohen se argjinatura është dëmtuar ndjeshëm dhe lumi ka gërryer tokat e tyre. Në shkurt të vitit 2015 kalaja mund të vizitohej vetëm me motoskaf!!! Shkumbini “çau rrethimin” e mureve të fortifikuara dhe të pajisur me frëngji në 3 nivele luftimi në mure dhe 5 të tillë në kulla, karakteristikë që nuk haset në asnjë kala tjetër të Shqipërisë.
Ushtria e fundit që u duk këtu ishte ajo shqiptare. Më 4 Korrik 2011 “zbarkoi” Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, me këngëtarët më të njohur popullorë dhe artistët e Teatrit Kombëtar, në koncertin e titulluar “Shqipëria e traditave artistike nga lashtësia në ditët tona”.
Në kalanë që përgjatë periudhës së dytë të ndërtimit u përshtat edhe për banim, së fundmi i ka kthyer sytë edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Krisjen e thellë të kullës pranë një prej 3 hyrjeve, sikur e mbush shpresa për restaurim. Në korrik të vitit 2018 u bë publik lajmi se IMK ka hartuar projektin për restaurimin e kalasë, miratuar edhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, duke synuar ndërhyrjen konservuese dhe restauruese në monument.
Disa muaj më parë, më 6 tetor 2018, një piknik artistik dyditor mblodhi në kala artistë të rrymave të ndryshme muzikore, performancë që bashkoi kryesisht të rinjtë. Aktiviteti synonte edhe promovimin e monumentit. Online gjendet një faqe dedikuar kalasë, si një dëshirë e mirë për të informuar mbi fortesën fushore. Largimi i rrezeve të diellit nga muret e kalasë njofton se ka ardhur momenti që biçikletat “të vallëzojnë” mbi dizhezat e buta të fshatrave të Kavajës, në drejtim të Durrësit.