SPAK dërgon në gjyq 17 persona për trafik ndërkombëtar droge
SPAK përfundoi hetimet dhe kërkoi gjykimin e 17 personave, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe përfshirje në grup kriminal. Sipas Prokurorisë së Posaçme, çështja lidhet me tri ngarkesa marijuane dhe kokaine, me peshë totale rreth 2.4 tonë, të sekuestruara në Mal të Zi, Turqi dhe Holandë.
Godina e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme në Rrugën "Jordan Misja", Tiranë. Foto ilustruse Media Amfora.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e 17 personave, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe përfshirje në grupe kriminale. Mes të pandehurve është edhe Rexhep Rraja, i arrestuar në dhjetor 2025 gjatë një operacioni të lidhur me këtë çështje.
Sipas SPAK-ut, të pandehurit dyshohet se kanë organizuar trafikimin e marijuanës nga Shqipëria drejt vendeve europiane dhe Turqisë, si dhe të kokainës nga Ekuadori drejt Holandës. Hetimet lidhen me tri ngarkesa droge, me peshë të përgjithshme rreth 2.4 tonë, të sekuestruara gjatë viteve 2020 dhe 2021.
“Nga tërësia e hetimeve të kryera, ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre përmes komunikimeve në aplikacionin e platformës së enkriptuar ‘SkyEcc’, janë koordinuar mes tyre për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme kriminale”, njoftoi SPAK.
Komunikimet janë siguruar nga autoritetet franceze dhe janë përdorur nga hetuesit për të dokumentuar bashkëpunimin mes të dyshuarve. Prokuroria e Posaçme ka identifikuar Emiljan Burbën, Rexhep Rrajën dhe Ervis Shulin si drejtues dhe financues të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
“Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit Emiljan Burba, Rexhep Rraja dhe Ervis Shuli, kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme kriminale ndërsa të pandehurit e tjerë ishin në rolin e pjesëmarrësve”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.
Çështja lidhet me operacionin e zhvilluar më 10 dhjetor 2025, kur autoritetet ekzekutuan dhjetë masa arresti. Mes personave të arrestuar ishin Rexhep, Përparim dhe Gazmir Rraja. Një ditë më vonë, Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e sigurimit ndaj të arrestuarve.
Hetimet kanë dokumentuar tri episode të dyshuara trafikimi. Më 3 nëntor 2020, autoritetet malazeze sekuestruan 1 722 kilogramë marijuanë të nisur nga Shqipëria, me destinacion përfundimtar Gjermaninë. Më 23 nëntor të po atij viti, në portin e Vlissingenit në Holandë u sekuestruan 475 kilogramë kokainë të ardhura nga Ekuadori.
Episodi i tretë lidhet me sekuestrimin e rreth 236 kilogramëve marijuanë në Turqi, më 26 janar 2021. Sipas SPAK-ut, droga ishte nisur nga Shqipëria.
Në dosjen e dërguar për gjykim përfshihen edhe Bujar Sefa, Marvin Bushati, Jani Çavo, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Sokol Qaja, Aldo Gjini, Bledar Cafi, Endrit Dokle, Zamir Aliaj, Islam Sefa, Hajdar Sefa, Vidjan Baroka dhe Agim Nina. Akuzat ndryshojnë sipas rolit që Prokuroria i atribuon secilit.
SPAK bëri të ditur se një pjesë e dosjes është veçuar për të vijuar hetimet për bashkëpunëtorët e tjerë të mundshëm dhe pasuritë e lidhura me veprimtarinë e dyshuar kriminale.
“Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve si dhe vijimin e hetimit pasuror kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 9 të vitit 2024”, njoftoi Prokuroria e Posaçme.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e disa vendeve europiane, Turqisë dhe Ekuadorit, si dhe me Europol-in, Eurojust-in, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Çështja tashmë i është përcjellë Gjykatës së Posaçme për shqyrtim.