KQZ diskuton me partitë politike zgjerimin e votimit elektronik për zgjedhjet vendore
Zgjerimi i votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027 ka ndarë qëndrimet e partive politike në konsultimin e zhvilluar nga KQZ-ja. PD kundërshton përdorimin e sistemit, ndërsa përfaqësuesit e tjerë kanë rekomanduar shtrirjen në disa bashki ose në të gjithë vendin.
Gjatë takimit të Ilirjan Celibashit me përfaqësuesit e partive politike për votimin dhe numërimin elektronik. Foto: KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të hënën se po shqyrton mundësitë për përdorimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027, pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike në vend.
“Nga diskutimet përkatëse të këtyre përfaqësuesve, duket se partia kryesore e opozitës parlamentare nuk e mbështet zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Takimi u zhvillua më 9 tetor në ambientet e institucionit dhe u drejtua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Në të morën pjesë përfaqësues të tetë forcave politike, përfshirë PS-në dhe PD-në.
Sipas KQZ-së, përfaqësuesit e tjerë propozuan që votimi dhe numërimi elektronik të përdoren në disa bashki ose në të gjithë territorin. Institucioni nuk përcakton në njoftim se cilat bashki po shqyrtohen dhe ende nuk ka marrë një vendim për shtrirjen e sistemit.
Kundërshtimin e PD-së e shprehu edhe kryetari i saj, Sali Berisha, në konferencën për mediat të 12 tetorit. Ai u pyet për përdorimin e sistemit në katër bashki dhe refuzoi numërimin elektronik në çdo bashki.
“Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon!”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi se procesi është manipuluar, se janë krijuar serverë paralelë dhe se në të është përfshirë shërbimi informativ. Në përgjigjen e publikuar nuk paraqiti prova për këto akuza.
Në konsultimin me Celibashin morën pjesë edhe Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Fryma e Re Demokratike, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, Partia Agrare Ambientaliste dhe Lëvizja e Legalitetit. Njoftimi nuk jep veçmas propozimin e secilës forcë politike.
KQZ-ja bëri të ditur se do të vlerësojë qëndrimet e paraqitura dhe aspektet e zbatimit përpara se të vendosë për përdorimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen me hartën e re territoriale me 46 bashki, të cilën Kuvendi e miratoi mes protestave të banorëve dhe kundërshtimeve të këshillave vendorë ndaj shkrirjes së 15 bashkive.