Skënder Sherifi dhe “Festivali i Pasioneve”, universi i një poezie të lirë
Mes traditës shqiptare dhe botës artistike evropiane, Skënder Sherifi rrëfen në podkastin “KultKast” udhëtimin drejt lirisë, pasionin dhe fuqinë çliruese të artit. Përmes librit “Festivali i Pasioneve”, ai e sheh pasionin si energjinë që i jep kuptim jetës dhe njeriut guximin për të jetuar përtej kufijve të zakonshëm.
Skënder Sherifi i ftuar në Kult Kast. Foto: Media Amfora
Mes odave shqiptare dhe botës boheme europiane, Skënder Sherifi mbetet një figurë që duket sikur ka jetuar njëkohësisht në dy kohë dhe në dy qytetërime. Në episodin e radhës, poeti shqiptaro-frankofon solli një rrëfim mbi jetën, lirinë dhe pasionin krijues, duke e kthyer bisedën për librin “Festivali i Pasioneve” në një udhëtim përtej letërsisë.
I lindur në një familje shqiptare me tradita të forta, në një univers ku oda, fjala dhe dinjiteti kishin peshën e tyre morale, Sherifi u rrit duke mbajtur brenda vetes kujtesën e një bote tradicionale. Por jeta do ta çonte drejt një realiteti krejt tjetër, në zemër të Europës artistike dhe filozofike, mes qarqeve intelektuale frankofone, në një kohë kur arti dhe mendimi europian jetonin një nga periudhat e tyre më të fuqishme shpirtërore. Kjo përplasje mes dy botëve duket se ka ndërtuar edhe vetë universin e tij poetik.
“Festivali i Pasioneve” nuk është një libër që flet për dashurinë në kuptimin e ngushtë romantik apo fizik. Pasioni, tek Sherifi, shfaqet si energjia themelore e ekzistencës njerëzore. Është pasioni për jetën, për lirinë, për artin, për aventurën shpirtërore, për rebelimin ndaj frikës dhe kufijve që shoqëria përpiqet t’i vendosë individit.
Në këtë univers poetik, dashuria nuk kufizohet tek marrëdhënia mes dy njerëzve. Ajo bëhet etje për të jetuar intensivisht, për të ndjerë botën në të gjitha dimensionet e saj, për të mos e pranuar jetën si rutinë të heshtur. Pikërisht për këtë arsye, poezia e Sherifit nuk tingëllon si meditim i qetë, por si një shpërthim emocional dhe filozofik, ku fjala kërkon të çlirojë njeriun nga kufijtë e zakonshëm të mendimit dhe ekzistencës.
Përgjatë episodit, Sherifi foli edhe për fatin që pati të bëhej pjesë e një bote artistike ku letërsia, muzika, filozofia dhe jeta përziheshin natyrshëm me njëra-tjetrën. Ai rikujtoi atmosferën e klubeve intelektuale franceze, ku poezia nuk konsiderohej thjesht tekst, por mënyrë jetese dhe akt lirie.
Në thelb, “Festivali i Pasioneve” duket si një thirrje për të jetuar çdo ditë si të jetë e fundit. Një libër që e sheh njeriun si qenie të destinuar për të kërkuar vazhdimisht lirinë e brendshme, përtej kohës, moralit të imponuar apo kufijve kulturorë.