“Gratë me shami që rrezikojnë fëmijët”, narrativa dezinformuese për opozitaret iraniane 

Një video e shkurtër me gra iraniane anëtare të MEK në një hapësirë publike, u kthye brenda pak orësh në një narrativë rreziku që lidhi drejtpërdrejt kampin e Manzës me rrezikun publik për rrëmbimin e fëmijëve.

Një video pak sekondëshe, e publikuar fillimisht nga media në internet “JOQ Albania” më 18 prill, që paraqiste një grua iraniane, anëtare të MEK që ecte në një hapësirë publike, pranë një rruge ku shihet edhe pjesa e sipërme e një furgoni të kuq, u shndërrua brenda pak ditësh në një histori rreziku që lidhi drejtpërdrejt këtë skenë me kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Në një kontekst ku interpretimet u zgjeruan përtej asaj që paraqitej vizualisht, ekspertë të sigurisë e kanë cilësuar këtë lloj situate si pjesë të fenomeneve të njohura të dezinformimit dhe alarmit publik të pabazuar.

“Raste të tilla zakonisht futen në kategorinë e alarmit publik të pabazuar, që mund të jetë dezinformim, mosinformim apo alarm i rremë social. Në praktikë, shumica e rasteve janë keqinterpretime spontane – video të pjesshme, kënd i kufizuar, mungesë konteksti dhe frikë kolektive”, tha Fatjon Softa, ekspert i sigurisë për Median Amfora.

Ndërkohë, vetë zonja me inicialet M.G, që shfaqet në video reagoi publikisht përmes profilit në Facebook. Në reagimin e saj ajo kundërshtoi mënyrën se si ishte paraqitur ngjarja, duke sqaruar se në momentin e filmuar ndodhej në Bulevardin e Ri në Tiranë, duke pritur pranë makinës së saj dy miq që ndodheshin në një qendër shëndetësore aty pranë.

“Në atë kohë, unë po prisja pranë makinës sime dy nga miqtë e mi që kishin shkuar në Poliklinikën Dispanceria për një takim te mjeku”, shkroi ajo në reagimin e saj publik, duke i cilësuar më tej pretendimet si të pabaza dhe të shtrembëruara.

Mënyra se si kjo përmbajtje u prezantua dhe u shpërnda e zhvendosi fokusin nga ajo që shihej drejt asaj që filloi të nënkuptohej pa baza.

Përmes titujve alarmues si “Gra me shami dyshohet se afrojnë fëmijët te një furgon i kuq”, të publikuar nga media si “AlfaPress” dhe të shpërndarë më tej nga dhjetëra portale të tjera, u krijua një situatë e paqartë që filloi të marrë formën e një historie me implikime më të gjera, duke përfshirë çështje sigurie dhe duke e lidhur drejtpërdrejt me praninë e muxhahedinëve në Shqipëri.

Episode të ngjashme u raportuan dhe u shpërndanë në rrjetet sociale dhe në media në internet, ku gra të veshura me shami shfaqeshin pranë hapësirave publike, rrugëve apo automjeteve, shpesh të filmuara nga distanca dhe pa kontekst të plotë. Këto pamje, të shkëputura nga njëra-tjetra dhe të paraqitura në kohë dhe vende të ndryshme, u trajtuan si pjesë e së njëjtës histori, duke u lidhur mes tyre dhe duke krijuar një narrativë rreziku.

Reagimet dhe interpretimet që u shtuan në hapësirën publike bënë që të reagojë edhe Policia e Shtetit, e cila, pas verifikimeve të kryera, sqaroi se nuk rezultoi që shtetaset e përfshira të kishin kryer veprime të kundërligjshme. 

“Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve”, shkroi institucioni më 21 prill, në njoftimin për shtyp.

Ky përfundim institucional përforcoi pikërisht atë që ekspertët e sigurisë e identifikojnë si mekanizëm tipik të rasteve të tilla, ku interpretimet e nxitura nga pamje të pjesshme krijojnë perceptime rreziku që nuk mbështeten në verifikime konkrete.

“Rreziku real në këto raste nuk qëndron te vetë ngjarja, por te mënyra se si ajo perceptohet dhe përhapet, duke krijuar panik dhe reagime të pajustifikuara në publik”, tha eksperti i sigurisë Softa.

Ngjarjes së raportuar në Tiranë, një ndërveprim i zakonshëm në një hapësirë publike pranë një qendre mjekësore, iu shtuan edhe raportime të tjera, përfshirë një rast të ngjashëm në Shkodër, ku gra të veshura me shami u paraqitën në rrethana të ngjashme, si të rrezikshme. Këto episode, të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme, u trajtuan si të lidhura mes tyre, duke kontribuar në ndërtimin e një narrative dezinformuese.

Nga klikimet te debati publik

Por, kjo narrativë nuk mbeti më vetëm në nivel raportimesh, por u zhvendos në hapësirën e opinioneve. Analistë dhe komentues publikë si Olsi Jazerxhi dhe Gjergji Thanasi, përmes daljeve në media dhe diskutimeve të publikuara më 21 prill në platforma si “YouTube”, e interpretuan atë si pjesë të një problematike më të gjerë që lidhet me sigurinë publike dhe aktivitetin e grupit të muxhahedinëve në Manzë.

E gjithë kjo kontribuoi në rritjen e nivelit të debatit publik, duke e zhvendosur atë nga një situatë normale e hapësirës publike në një çështje të lidhur me sigurinë publike dhe mbrojtjen e të miturve. Në këtë kontekst, diskutimet u përqendruan veçanërisht në qytetin e Durrësit, ku ndodhet kampi i muxhahedinëve në Manzë, një strukturë që prej kohësh është shënjestër e narrativave të përsëritura dezinformuese, të cilat shpesh përhapen përmes mediave dhe rrjeteve sociale pa u mbështetur në burime të verifikuara.

Por, jo vetëm ekspertët e sigurisë e kanë cilësuar këtë fenomen si një formë alarmi publik të pabazuar, por edhe aktorë vendorë në Durrës kanë reaguar në të njëjtën linjë.

“Kjo është një shpifje dhe një dezinformim i pastër që synon të krijojë panik dhe të dëmtojë imazhin e Shqipërisë”, shkroi Hekuran Markola, këshilltar në Këshillin Bashkiak, në reagimin e tij publik në rrjetet sociale.

Në këtë fazë, përmbajtja fillestare pushoi së funksionuari si material informues dhe u shndërrua në bazë për ndërtimin e një narrative më të strukturuar. Interpretimet, reagimet dhe riciklimi i saj në platforma të ndryshme krijuan një zinxhir përhapjeje, ku kuptimi i ngjarjes nuk u përcaktua më nga faktet vizuale, por nga mënyra se si ato u lexuan dhe u amplifikuan në hapësirën publike.

Përmasat që mori debati bënë që vetë zonja e përfshirë të reagojë sërish një ditë më pas, më 21 prill 2026, përmes një letre të dytë publike. Në këtë reagim, ajo theksoi se përmbajtja e publikuar ka “shtrembëruar një ngjarje të zakonshme dhe të përditshme në një hapësirë publike, duke e paraqitur atë në mënyrë mashtruese dhe alarmuese”, duke shtuar se kjo ka “nxitur qëllimisht opinionin publik kundër meje”, shkroi zonja.

Reagimi u publikua në profilin e saj në Facebook, ku ajo ndan përmbajtje mbi aktivitetin e saj si aktiviste dhe çështje që lidhen me të drejtat e njeriut. Postimi mbi këtë rast gjeneroi 89 komente, duke reflektuar nivelin e lartë të reagimit dhe përfshirjes së publikut në këtë debat.

Dezinformimi si sfidë sigurie

Rasti i videos së shpërndarë në Tiranë ilustroi se si një fragment i shkëputur vizual, i shpërndarë pa kontekst, mori përmasa që shkuan përtej asaj që paraqiste, duke u kthyer në një çështje me implikime për sigurinë publike dhe duke nxjerrë në pah rolin kyç të institucioneve në menaxhimin e situatave ku informacioni i paplotë dhe interpretimet publike krijojnë perceptime të rrezikut.

Në këtë kontekst, roli i institucioneve bëhet thelbësor, duke kërkuar reagim të shpejtë dhe transparent, të mbështetur në verifikim dhe komunikim të qartë publik. Siç tha edhe eksperti i sigurisë, “rrjetet sociale funksionojnë si përshpejtues i informacionit, jo si filtër i tij”, duke bërë që përmbajtje emocionale dhe pa kontekst të përhapet më shpejt se verifikimi.

Në rastin konkret, kjo u reflektua në mënyrën se si një video e shkurtër u kthye në një narrativë të zgjeruar rreziku, ndërkohë që reagimi institucional synoi të rikthente interpretimin në nivel faktesh.

Megjithatë, sipas ekspertit, edhe pse “shumica e rasteve janë keqinterpretime spontane – video të pjesshme, mungesë konteksti dhe frikë kolektive”, një pjesë e tyre shndërrohen në narrativa të qëllimshme që amplifikohen për ndikim publik.

Ky mekanizëm bëhet edhe më i ndjeshëm në kontekstin aktual ndërkombëtar, ku çështje që lidhen me Iranin, opozitën iraniane dhe praninë e muxhahedinëve në Shqipëri janë të ekspozuara ndaj narrativave të ndryshme dhe shpeshherë edhe të instrumentalizuara. Në këtë kuadër, lidhja e një rasti lokal me kampin e Manzës nuk mbetet thjesht një interpretim i brendshëm, por bëhet pjesë e një hapësire më të gjerë informacioni dhe perceptimi që tejkalon kufijtë kombëtarë. 

Në thelb, këto raste tregojnë se kemi të bëjmë me një ndërthurje mes perceptimit dhe realitetit, ku rreziku nuk qëndron gjithmonë te ngjarja vetë, por te mënyra se si ajo përhapet dhe interpretohet. Në një mjedis të mbingarkuar me informacion dhe të ndikuar nga dinamika ndërkombëtare, sfida për institucionet nuk është vetëm reagimi ndaj ngjarjes, por menaxhimi i informacionit si një element i drejtpërdrejtë i sigurisë publike.

Roli i rrjeteve sociale del në pah si faktor përcaktues në mënyrën se si ndërtohet dhe përhapet perceptimi publik. Përmbajtjet e pjesshme, të shkëputura nga konteksti dhe të ngarkuara emocionalisht, gjejnë terren të favorshëm për t’u amplifikuar, ndërsa reagimi institucional dhe verifikimi shpesh mbeten pas në kohë. Kjo krijon një dinamikë ku narrativat ndërtohen më shpejt sesa mund të kontrollohen, duke e zhvendosur fokusin nga faktet drejt perceptimit kolektiv. Në këtë proces, përgjegjësia nuk qëndron vetëm te institucionet, por edhe te mënyra se si mediat dhe publiku ndërveprojnë me informacionin.

“Rrjetet sociale funksionojnë si përshpejtues i informacionit, jo si filtër i tij,  kjo bën që një dyshim të kthehet shumë shpejt në ‘rrezik të perceptuar kombëtar’”, përfundoi eksperti i sigurisë Fatjon Softa.