Pabarazia në rritje dhe tregu si zgjidhja

Raporti i pabarazisë globale flet për një pabarazi të tejskajshme të të ardhurave dhe pasurisë midis të pasurve dhe të varfërve në glob. Zgjidhja është tregu.

Raporti vjetor i pabarazisë globale ka mbërritur në përfundimin se pabarazia globale është rritur ndjeshëm.

Gjetjet e raportit

Raporti e përshkruan pabarazinë ekonomike si realitet strukturor dhe identifikojnë pabarazinë në kapitalin njerëzor, lidhjen mes pabarazisë ekonomike dhe asaj klimatike, taksimin regresiv dhe fragmentarizimin e demokracisë si pasoja të pabarazisë ekonomike.

Këto gjetje janë konfirmuar edhe nga një raport i ngjashëm i Oxfam, i cili doli në përfundimin se 10 miliarderët më të pasur të SHBA-së e kanë rritur pasurinë e tyre me 698 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Raporti ofron si zgjidhje taksimin, rishpërndarjen dhe transferimin e pasurisë, shëndetësinë universale, si dhe barazinë gjinore.

Hendeku i të ardhurave

Raporti shpreh shqetësim për hendekun në të ardhura midis rajoneve. Në Amerikën e Veriut paga mesatare ditore është rreth 125 euro, ndërkaq në Afrikën Nën-Sahariane paga mesatare ditore është 10 euro, pra 12.5 herë më e vogël.

Paga mesatare ditore krahasim. Të dhënat të përpunuara nga Media Amfora

Kuptohet që kjo diferencë shpjegohet nga shumë faktorë, duke përfshirë edhe historinë e kolonizimit të Afrikës. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e këtij hendeku nxitet nga modeli politiko-ekonomik i vendeve të Afrikës, ku diktaturat dhe korrupsioni i lartë godasin lirinë ekonomike dhe inovacionin, duke rezultuar në ekonomi më pak produktive dhe paga më të ulëta.

Ndërkaq, raporti ofron si zgjidhje rishpërndarje më të madhe dhe transferta nga të pasurit e Amerikës Veriore tek të varfërit e Afrikës Nën-Sahariane.

Raporti shikon gjithashtu me shqetësim faktin që 10%-i më i pasur i botës kontrollon 75% të pasurisë botërore. I njëjti 10% fiton më shumë se 90% i mbetur, sipas raportit.

Pasuria e 10%-shit më të pasur të botës. Të dhënat të perpunuara nga Media Amfora

Pabarazia ekonomike mund të përkthehet në pabarazi politike, por pabarazia ekonomike në vetvete nuk përbën anomali. 10% më i pasur i përmendur në raport janë pronarë sipërmarrjesh të mëdha që punësojnë miliona njerëz. Këta individë e kanë pasurinë e tyre të lidhur kryesisht me aksionet e kompanive të tyre në tregun e lirë të bursave.

Në vend që të kërkohet ulja me forcë e pasurisë së të pasurve, mund të ulen taksat mbi të ardhurat për shtresën e mesme dhe punëtorët, si dhe taksat e konsumit për konsumatorët. 

Në këtë mënyrë, më pak para dalin nga xhepi i shtresës së mesme, para që mund të investohen në asete si aksionet apo pasuritë e patundshme, duke rritur pasurinë e familjeve dhe individëve të kësaj shtrese.

Përpos ligjeve antimonopol, shtetet mund të ulin taksat e sipërmarrjeve dhe barrën rregullatore për të incentivuar krijimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat kontribuojnë në buxhetin e shtetit dhe punësojnë individë, duke zgjeruar rrethin e mirëqenies. 

Raporti nuk i ofron këto fakte ekonomike si zgjidhje.

Pabarazia në kapitalin njerëzor

Raporti përmend hendekun në shpenzimet për arsim midis botës së zhvilluar dhe vendeve të tjera. Suksesi ekonomik lidhet drejtpërdrejt me nivelin e arsimimit të popullsisë, i cili ndikon në trajnimin e nevojshëm për integrimin në tregun e punës.

Për çdo fëmijë, në Amerikën Veriore dhe Oqeani shpenzohen mesatarisht 9,000 euro në vit. Në Europë kjo shifër është 7,400 euro, ndërkaq në Afrikën Nën-Sahariane shpenzohen mesatarisht 200 euro për fëmijë në vit. Ky hendek i madh përkthehet në diferenca ekonomike.

Shpenzimi për arsimin në kontinente të ndryshme. Të dhënat të përpunuara nga Media Amfora

Zgjidhja e ofruar nga raporti është arsimi publik dhe falas. Investimet më të larta në arsim nuk arrihen duke mbitaksuar prodhuesit dhe krijuesit e vendeve të punës, por me politika fiskale pro-ofertës që nxisin krijimin e vendeve të punës, duke gjeneruar më shumë punësim dhe më shumë taksa për investime publike dhe arsim.

Pabarazia ekonomike dhe klimatike

Pabarazia ekonomike dhe impakti klimaterik janë fenomene të ndërlidhura. 77% e emetimeve nga kapitali privat vijnë nga 10%-i më i pasur i botës, duke ditur që ky grup zotëron edhe sipërmarrjet që ndotin përmes aktivitetit të tyre.

Raporti flet gjithashtu për shfrytëzimin e burimeve natyrore të vendeve të varfra nga vendet e pasura, përmes kompanive që investojnë në këto vende.

Raporti përmend hendekun në paranë pasive: vendet e pasura përfitojnë nga norma më të ulëta interesi për financimin e projekteve për shkak të stabilitetit monetar, ndërsa blejnë letra me vlerë të vendeve më të varfra duke përfituar norma më të larta interesi. Si zgjidhje ofrohet krijimi i një monedhe globale.

Raporti nuk përmend faktin që Kina komuniste lëshon rreth një të tretën e CO₂ global, edhe pse nuk klasifikohet si vend i pasur, por si vend në zhvillim.

Nderkohe, zhvillimi ekonomik vjen me kosto mjedisore, një kompromis që njerëzimi e ka pranuar për të rritur standardet e jetesës. Çlirimi i kapitalit shoqërohet me përdorimin e burimeve të parinovueshme si qymyri, gazi natyror dhe nafta. Tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër dëmton veçanërisht vëndet e varfra, te cilat kanë nevojë për rritje ekonomike dhe punësim.

Taksimi regresiv

Raporti vlerëson se më të pasurit paguajnë norma efektive më të ulëta se shtresa e mesme dhe sugjeron rritje taksash, taksim progresiv dhe taksim të pasurisë.

Në fakt, rritja e normave të taksave nuk ndryshon asgjë nëse nuk mbyllen shtigjet ligjore të shmangies. Përkundrazi, barra fiskale godet konsumin dhe standardin e jetesës së shtresës së mesme.

Ekonomisti Art Laffer argumenton se çdo ekonomi ka një normë maksimale taksimi që maksimizon të ardhurat e shtetit. “Kurba Laffer” shpjegon se taksat e larta nxisin evazionin.

Kurba Laffer. Burimi: Pexels

Fragmentarizimi i demokracisë

Raporti teorizon se fuqia ekonomike përkthehet në fuqi politike. Akumulimi i pasurisë u jep individëve fuqi lobuese për ligje që rrisin pasurinë e tyre, shpesh në dëm të interesit publik.

Raporti përmend shtetin e madh si zgjidhje, por nuk trajton faktin që edhe në demokraci të konsoliduara shteti favorizon kompani të caktuara, duke krijuar monopole dhe oligopole.

Kritika ndaj raportit

Raporti diagnostikon sëmundjet e ekonomisë globale, por jep recetën e gabuar. Rishpërndarja nuk është motor i rritjes ekonomike dhe prosperitetit.

Ekspertë nga e majta dhe e djathta kanë kritikuar idenë e taksimit të pasurisë, duke theksuar se pasuria nuk është para “cash”, por aset që kryesisht ruhet në aksione kompanish. Taksimi i tyre do të nxiste shitje masive dhe kriza në tregjet financiare, si në vitin 1929 dhe 2008.

Raporti trajton dobët hendekun gjinor. Orët e punës përfshijnë punët e shtëpisë, të cilat nuk janë aktivitet ekonomik që prodhon të ardhura. Gjithashtu, burrat punojnë më shumë orë të paguara dhe janë më të përfaqësuar në fusha me paga më të larta, që shpjegon “hendekun gjinor”.

Raporti nderkohë fokusohet më shumë në reduktimin e pabarazisë sesa në luftën kundër varfërisë.

Pabarazia është produkt i një shoqërie të lirë; pabarazia ekstreme luftohet duke luftuar varfërinë, papunësinë dhe korrupsionin, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke shpërblyer produktivitetin.

Jo duke rishpërndarë e taksuar.