Në Durrësin e përmbytur, aty ku uji hyri në jetën e përditshme 

Uji përmbyti banesa, biznese, rrugë dhe institucione, duke përfshirë pothuajse të gjithë Durrësin dhe duke ndërprerë ritmin e përditshëm të jetës. Qyteti vijon të përballet me pasojat e përmbytjeve, ndërsa gjurmët e ujit mbeten të dukshme në hapësirat urbane dhe përreth tyre.

Reshjet intensive të fillimjanarit, të shoqëruara me terren të ngopur nga uji dhe problematika të përsëritura në sistemin e kullimit dhe shkarkimit, sollën përmbytje të përhapura në Durrës dhe zonat përreth. Në shumë pjesë të qytetit, rrjeti i kanalizimeve nuk arriti të përballojë volumin e reshjeve, duke bërë që uji të përhapet në banesa, biznese, rrugë dhe institucione publike, duke ndërprerë jetën e përditshme në pothuajse të gjithë territorin urban.

Zona të banuara të përfshira nga përmbytjet në qytetin e Durrësit. Foto: Media Amfora

Oborre të mbushura me ujë, rrugë të pakalueshme dhe ambiente të përmbytura tregojnë për përmasën e situatës. Përmbytjet nuk prekën vetëm hapësirat private, por edhe institucione shtetërore dhe investime publike me vlerë miliona euro, përfshirë Velierën. Në zonën e Currilave u raportuan rrëshqitje dhe shembje të tokës, duke rikthyer vëmendjen te problematikat e qëndrueshmërisë së terrenit në një zonë të ekspozuar prej vitesh ndaj erozionit dhe ndërhyrjeve urbane.

Sipërfaqe toke bujqësore të përmbytura në zonat përreth Durrësit. Foto: Media Amfora

Sipas të dhënave zyrtare, 848 banorë janë evakuuar, janë kryer 1 453 akte konstatimi dhe janë verifikuar 4 067 banesa. Në terren vijojnë punën 508 specialistë, të angazhuar në vlerësimin e dëmeve që ende nuk janë plotësisht të evidentuara. Këto shifra përkthehen në qindra familje të detyruara të largohen përkohësisht nga banesat e tyre, si dhe në dëme të konsiderueshme në prona private dhe biznese.

Situata paraqitet e rënduar edhe në zonat rurale përreth qytetit. Në Sukth dhe Katund të Ri janë raportuar rreth 2 800 hektarë tokë të përmbytura, ndërsa dalja nga shtrati e Lumi Erzen ka ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen e ujit në këto zona.

Brenda territorit urban të Durrësit, funksionimi i hidrovorit ka qenë një nga elementët kyç në përpjekjet për menaxhimin e ujërave. Megjithatë, sasia e reshjeve dhe ngarkesa mbi infrastrukturën ekzistuese kanë vënë në pah kufizimet e kapaciteteve aktuale, pavarësisht investimeve të kryera vitet e fundit. Në këtë kuadër, është ndërtuar edhe një hidrovor i ri, si pjesë e një projekti më të gjerë për sistemimin e ujërave të shiut në zonën Porto – Romano – Kënetë, një projekt i financuar me fonde publike dhe i zbatuar nga Bashkia Durrës, me një vlerë rreth 19 milionë euro.

Rrugë urbane të përmbytura, me qarkullim të vështirësuar për banorët. Foto: Media Amfora

Ndërkohë që autoritetet raportojnë shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet e prekura, banorë në zonat e përmbytura i kanë thënë Amforës se nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Mungesa e mbështetjes konkrete dhe pasiguria për ditët në vijim kanë nxitur reagime publike, me protesta të zhvilluara gjatë këtyre ditëve nga banorë që kërkojnë zgjidhje dhe përgjegjësi për situatën e krijuar.

Monitorimi i situatës në terren nga strukturat përkatëse gjatë përmbytjeve. Foto: Media Amfora

Ndërkohë, çështja e përmbytjeve është referuar në Prokurori, ku pritet të hetohen përgjegjësitë lidhur me situatën e krijuar dhe pasojat e saj. Ngjarja ka marrë edhe një dimension tragjik, pasi gjatë këtyre ditëve humbi jetën një punëtor i shërbimit të kanalizimebe, i angazhuar në kryerjen e detyrës gjatë përballimit të situatës së shkaktuar nga përmbytjet.Grupet e punës vijojnë verifikimet në terren, por për shumë familje e biznese të prekura, dëmet janë kolosale edhe rikthimi në normalitet mbetet ende i largët.

Erjola Azizolli

Është gazetare në Median Amfora. Ajo ka një përvojë disavjeçare në gazetarinë shqiptare, duke punuar kryesisht në televizion, revista dhe media në internet. Është fokusuar në gazetarinë investigative për trashëgiminë kulturore dhe mjedisin. Gjithashtu raporton edhe për temat që lidhen me të drejtat e njeriut, gratë dhe grupet e margjinalizuara. Ajo dhe ekipi i Amforës është vlerësuar me Çmimin e Parë të Bashkimit Evropian për Gazetarinë Investigative në Shqipëri për vitin 2024.

Lajme të ngjashme


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *