Freedom House: Shqipëria regjim hibrid dhe pjesërisht e lirë

Shqipëria renditet si “pjesërisht e lirë” me 68 nga 100 pikë të mundshme në lirinë e vendeve, ndërkohë që klasifikohet si regjim hibrid, duke u vlerësuar me 3.79 pikë nga 7 të mundshme në indeksin e demokracisë. Raporti përmend klientelizmin politik dhe korrupsionin si probleme themelore të demokracisë shqiptare.

Organizata “Freedom House”, e cila studion dhe raporton mbi vendet për sa i përket lirisë dhe demokracisë, ka publikuar raportin e saj më të fundit, që evidenton nivelin e lirisë në Shqipëri dhe problematikat e demokracisë shqiptare.

Shqipëria në indeksin e lirisë

Raporti analizon lirinë politike duke përdorur dy kategori: Të drejtat politike dhe liritë qytetare. Nga 40 pikë të mundshme në të drejta politike, Shqipëria vlerësohet nga Freedom House me 28 pikë. Ndërkaq, nga 60 pikë të mundshme në liritë qytetare, Shqipëria vlerësohet me 40 pikë. Liria e besimit vlerësohet nga raporti me 4 nga 4 pikë, ndërkohë që një sërë kategorish si liria e zgjedhjeve, liria për t’u organizuar, fuqia e opozitës, mjetet ekstrapolitike, të drejtat e pakicave, fuqia legjislative e qeverisjes, liria akademike, liria e organizimit politik, liria e shoqërisë civile, pavarësia e gjyqësorit, trajtimi i barabartë, liria e lëvizjes, renditen nga Freedom House me 3 nga 4 pikë. Në kategori si lufta kundër korrupsionit, transparenca e shtetit, liria dhe pavarësia e medias, procesi i rregullt ligjor, liria për sindikatat tregtare, mbrojtja nga forca, të drejtat e pronës, liria shoqërore dhe barazia në mundësi, Shqipëria renditet me 2 nga 4 pikë. Në asnjë nga kategoritë e përdorura në analizë, Shqipëria nuk renditet me 1 apo 0 pikë.

Fusha ku Shqipëria performon më mirë, sipas raportit, është liria e shprehjes dhe besimit, e ndjekur nga pluralizmi dhe pjesëmarrja, rendi ligjor dhe procesi elektoral. Të drejtat organizative dhe të mbledhjes si dhe të drejtat vetjake renditen njësoj, të ndjekura nga funksionimi i qeverisjes, që vlerësohet si më e dobëta nga të gjitha fushat sipas Freedom House.

Të dhënat të përpunuara nga Amfora. Burimi: Freedom House

Shqipëria në indeksin e demokracisë

Raporti gjithashtu vlerëson demokracinë shqiptare si tranzitore, pra në një fazë midis komunizmit dhe demokracisë liberale, ose një demokraci e paplotë. Shqetësim mbeten klientelizmi politik, korrupsioni dhe mospërfshirja e shoqërisë civile në politikëbërje. Raporti e sheh si pozitive përfshirjen e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në indeksin e demokracisë, Shqipëria u vlerësua me 3.79 nga 7 pikë. Në kategori si procesi elektoral, shoqëria civile, demokracia e qeverisjes lokale, Shqipëria renditet më lart se pikëzimi i përgjithshëm i Freedom House, ndërkaq në kategori si demokracia e qeverisjes kombëtare, pavarësia e medias, pavarësia e drejtësisë dhe korrupsioni, Shqipëria renditet poshtë vlerësimit të përgjithshëm të Freedom House.

Liria e Shqipërisë ndër vite

Vërehet se renditja e Shqipërisë nuk ka ndryshuar gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2017, Shqipëria renditej me 68 pikë – renditje që e ka ruajtur edhe në vitin 2025. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dy kategoritë e mëdha të indeksit të lirisë: Të drejtat politike dhe liritë qytetare. I vetmi ndryshim i vogël vihet re në vitin 2020, kur Shqipëria humbi një pikë në indeksin e lirisë, për shkak të rënies me një pikë në kategorinë e të drejtave politike. Ky fakt mund t’i atribuohet pandemisë së COVID-19.

Të dhënat e përpunuara nga Amfora. Burimi: Freedom House

Shqipëria krahasuar me vendet e Ballkanit

Sllovenia vlerësohet nga raporti si vendi më i lirë i Ballkanit me 96 nga 100 pikë të mundshme. Sllovenia renditet më lart se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit në të drejta politike dhe liri qytetare, ajo ndiqet nga Greqia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria. Me përjashtim të Bullgarisë, e cila renditet poshtë mesatares në indeksin e lirisë për vendet e Ballkanit anëtare të Bashkimit Evropian, të tjerat renditen mbi mesataren.

Nga vendet e Ballkanit që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, Mali i Zi renditet si vendi më i lirë me 69 nga 100 pikë, e ndjekur nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo renditje përputhet edhe me raportin e progresit të BE-së, që e renditi Malin e Zi dhe Shqipërinë si vendet më afër standardeve të BE-së. Në indeksin e lirisë, Shqipëria renditet më lart se mesatarja e vendeve te Ballkanit jo pjesë e BE-së, bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ndërkaq Shqipëria dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor renditen poshtë mesatares së përgjithshme të lirisë së Ballkanit.

Të dhënat e përpunuara nga Amfora. Burimi: Freedom House

Në renditjen e demokracive, Greqia është vendi më demokratik i Ballkanit, e ndjekur nga Sllovenia. Të dyja vendet konsiderohen nga raporti si demokraci të konsoliduara. Greqia dhe Sllovenia ndiqen nga Bullgaria, Rumania dhe Kroacia, të cilat konsiderohen demokraci gjysmë të konsoliduara. Ndërkaq, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen regjime hibride/tranzicionale, nga të cilat Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë vlerësimin më të lartë të demokracisë (3.79 nga 7), të ndjekura nga Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Shqipëria renditet mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor, por poshtë mesatares së të gjithë Ballkanit.

Të dhënat të përpunuara nga Amfora. Burimi: Freedom House

Metodologjia e raportit

Raporti parashtron dy indekse: Të lirisë dhe të demokracisë. Indeksi i lirisë matet për çdo vend nëpërmjet dy nënkategorive: të drejtat politike dhe të drejtat qytetare. Këto dy nënkategori maten duke përdorur fusha si procesi zgjedhor, pluralizmi dhe pjesëmarrja dhe funksionimi i shtetit. Të tria fushat studiohen dhe maten duke përdorur metrika të caktuara: Për procesin zgjedhor-liria e zgjedhjeve në ekzekutiv, në legjislativ dhe drejtësia zgjedhore; Për pluralizmin dhe pjesëmarrjen-liria e organizimit, fuqia e opozitës, mjetet ekstrapolitike dhe të drejtat e pakicave; Për funksionimin e shtetit-ligjvënia nga qeveria, lufta ndaj korrupsionit dhe transparenca qeveritare.

Të drejtat qytetare maten duke përdorur fusha si liria e shprehjes dhe besimit, të drejtat e bashkimit dhe organizimit, sundimi i ligjit, autonomia vetjake dhe të drejtat e njeriut. Fusha e lirisë së shprehjes dhe besimit matet nëpërmjet metrikave si liria dhe pavarësia e medias, liria e besimit, liria akademike dhe liria e shprehjes. Të drejtat e bashkimit dhe organizimit maten nëpërmjet lirisë së mbledhjes, lirisë së OJF-ve dhe lirisë së sindikatave; Sundimi i ligjit-me metrika si pavarësia e gjyqësorit, drejtësia e procesit gjyqësor, mbrojtja nga forca dhe trajtimi i barabartë. Autonomia vetjake dhe të drejtat e njeriut maten përmes metrikave si liria e lëvizjes, e drejta e pronës, liria shoqërore dhe barazia në mundësi. Në total, kategoria e të drejtave politike vlerësohet me maksimumi 40 pikë, ndërsa të drejtat qytetare me 60 pikë, me një total prej 100 pikësh.

Indeksi i demokracisë matet nëpërmjet gjashtë kategorive kryesore: Demokracia e qeverisjes qendrore, procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, demokracia e qeverisjes vendore, korniza e pavarësia e gjyqësorit dhe korrupsioni, të gjitha të vlerësuara me maksimumi 7 pikë. Studimi merr një mesatare të gjashtë kategorive për të përcaktuar nivelin e demokracisë së një vendi.

Së fundmi, Shqipëria mbetet në tranzicion dhe ka ende punë për krijimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Lufta kundër korrupsionit, drejtësia e pavarur dhe gara e barabartë mes subjekteve politike duhet të jenë prioritetet kryesore të politikëbërësve shqiptarë.