BE: Shqipëria me progres të dukshëm, por liria e medias mbetet plagë e hapur

Në Samitin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel, Komisioni Evropian prezantoi “Paketën e Zgjerimit 2025”, duke vlerësuar progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit. Lidhur me Shqipërinë raporti evidentoi sfida serioze për lirinë e medias, të drejtat e njeriut dhe funksionimin e shoqërisë civile. Pavarësisht progresit të kufizuar në disa fusha, BE thekson se rruga e Shqipërisë drejt integrimit mbetet e qëndrueshme.

Foto Screenshot nga video e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, në Facebook

Në samitin e zgjerimit të BE-së, të mbajtur në Bruksel, u paraqit “Paketa e Zgjerimit 2025” e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, raport i cili evidentoi progresin dhe problematikat e shteteve ballkanike dhe të vendeve të tjera kandidate në rrugëtimin drejt familjes evropiane. 

Raporti u prezantua nga komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e cila u shpreh se, “Viti 2025 ishte një vit me progres të dukshëm në zgjerim”. Kos bëri të qartë se vendi më afër anëtarësimit në BE është Mali i Zi, që sipas saj do t’i mbyllë negociatat brenda vitit 2026 dhe do të anëtarësohet në BE në vitin 2028. Kos gjithashtu theksoi se krahas Malit të Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia kanë “shkëlqyer” në raport me implementimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në BE.

Përgatitja dhe progresi i Shqipërisë

Raporti vlerëson zgjedhjet në Shqipëri si të lira, të ndershme dhe të mbajtura në mënyrë profesionale, pavarësisht garës së pabarabartë dhe abuzimit me burimet publike. Kjo e ngjashme me përfundimet e raportit përfundimtar të ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit.

Raporti i BE-së evidentoi se Parlamenti është efektiv dhe se qeveria shqiptare shfaq dedikim për integrimin në BE. Sidoqoftë vërehet edhe ekosistemi i vështirë në të cilin organizatat e shoqërisë civile operojnë. Sipas BE-së shoqëria civile në Shqipëri përballet me kufizime në fonde, fushata shpifjeje e presion nga partitë politike. Raporti përmend presionet ligjore në formën e “padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike” (SLAPP) si mjet për të goditur punën investigative e në mbështetje të interesit publik të organizatave të shoqërisë civile. BE gjithashtu është e bindjes se reforma në administratën publike ka funksionuar, por se rekomandimet e vitit të kaluar për Shqipërinë janë zbatuar pjesërisht.

Raporti i progresit vlerësoi reformën në drejtësi, punën e SPAK dhe përgatitjen që sistemi i drejtësisë shqiptar ka për konvergjencën me atë të BE-së. Në raport me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, komisioni vlerëson progresin pozitiv të Shqipërisë. 

Por pavarësisht arritjeve në sistemin e drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit, vërehet nga organizatat ndërkombëtare se fusha si liria dhe pluralizmi mediatik, e drejta e pronës dhe të drejtat e pakicave mbeten problematike dhe me progres të kufizuar. Për më tepër, komisioni vëren se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në raport me lirinë e shprehjes.

Raporti i progresit theksoi se pavarësia e medias është vënë në rrezik nga ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, e gjithashtu rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë vënë në zbatim. Ato vijojnë të jenë në fuqi duke përfshirë forcimin e transparencës së pronësisë së medias, pluralizmin e medias dhe pavarësinë editoriale, forcimin e transparencës së financimit të medias nga burime private dhe shtetërore, forcimin e autonomisë së rregullatorit të medias dhe pavarësinë e transmetuesit shtetëror, shfuqizimin e plotë të dispozitave penale mbi fyerjen dhe shpifjen, si edhe përafrimin e aspekteve civile të shpifjes me standardet evropiane.

Raporti vlerëson progresin që Shqipëria ka bërë në zhvillimin e një ekonomie funksionale tregu, megjithëse evidenton se sundimi i dobët i ligjit është barrierë për këtë zhvillim. Komisioni shqetësohet nga norma e lartë e NEET-it (përqindja e popullsisë që nuk merr pjesë as në arsim, as në punësim, e as në trajnim).

Në raport nënvizohet përmbushja që Shqipëria i ka bërë parametrave të nevojshëm të stabilitetit ekonomik, financiar, buxhetor e monetar të nevojshme për anëtarësimin në BE. Rritja ekonomike e Shqipërisë vijon të mbetet e qëndrueshme, rreth 4% në vit, ndërkaq progres raporti nënvizon se qeveria vijon të jetë e dedikuar ndaj stabilitetit makroekonomik dhe rritjes së qëndrueshme.

Rënia e inflacionit në targetin 3% të Bankës së Shqipërisë, si edhe konsolidimi fiskal, përmenden si faktorë emancipimi të ekonomisë shqiptare në përputhje me standardet e BE-së. Sidoqoftë, BE përmend se mjedisi i të bërit sipërmarrje në Shqipëri është sfidues, ndërsa tregu i punës vijon të vuajë nga ekzistenca e barrierave strukturore. Një faktor pozitiv në konvergjencën e standardeve ekonomike të Shqipërisë me ato të BE-së është fakti se ajo vijon të mbetet partneri më i madh i Shqipërisë me 57.4% të importeve që vijnë nga unioni.

Për sa i përket mbrojtjes së mjedisit, raporti parashtron vërejtje për Shqipërinë. Rekomandimet përfshijnë nevojën për implementimin e direktivave të BE-së në fusha si cilësia e ajrit, ujit, mbrojtja e habitatit, ndotjes industriale, menaxhimi i mbetjeve e zhurmave, për të cilat raporti nuk sheh progres nga ana e Shqipërisë.

Së fundmi, anëtarësimi i Shqipërisë në BE vlerësohet si i afërt, në përputhje me planin e zgjerimit, të nxitur nga një sërë faktorësh, duke përfshirë nevojën për një Evropë më të madhe përballë një agresioni të mundshëm.

Metodologjia

Raporti i progresit me rreth 100 faqe analizon progresin e Shqipërisë si dhe fushat për përmirësim në 6 grupkapituj: “Themelet e procesit të anëtarësimit”, “Tregu i brendshëm”, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, “Agjenda jeshile dhe lidhja e qëndrueshme”, “Burimet, agrikultura dhe kohezioni”, si edhe “Marrëdhëniet me jashtë”.

Progresi në këto grup kapituj u shtjellua në raport me kapitujt respektivë. Themelet e procesit të anëtarësimit u vlerësuan në bazë të kapitujve politikë, si demokracia, reforma në administratën publike, drejtësia dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria, siguria, por edhe kritereve ekonomike, si ekzistenca e një ekonomie funksionale tregu, kapaciteti për të përballuar fuqinë konkurruese dhe forcat e tregut në BE, prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.

Tregu i brendshëm u vlerësua në kapituj si lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e punëtorëve, e drejta e krijimit të biznesit dhe liria e ofrimit të shërbimeve, lëvizja e lirë e kapitalit, ligji i kompanive, ligji për pronën intelektuale, politikat e konkurrueshmërisë, shërbimet financiare, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.

Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse vlerësohet në kapituj si transformimi digjital e media, taksimi, politikat ekonomike dhe monetare, politikat sociale e punësimi, sipërmarrja dhe politikat industriale, shkenca dhe kërkimi, arsimi e kultura dhe bashkimi kufitar.

Grupkapitulli i katërt, ai i agjendës jeshile dhe lidhjes së qëndrueshme, u raportua nëpërmjet politikave të transportit, energjisë, rrjeteve transevropiane, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Grupkapitulli i burimeve, agrikulturës dhe kohezionit u vlerësua nëpërmjet fushave si politikat mbi sigurinë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare, peshkimin e akuakulturën, politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturale, si dhe nëpërmjet dispozitave financiare e buxhetore. Grupkapitulli i fundit, ai i marrëdhënieve me jashtë, u vlerësua në kapitullin me të njëjtin emër, si dhe në politikat e jashtme, të sigurisë e të mbrojtjes.

Studimi i këtyre kategorive është bërë nëpërmjet komponentëve si vlerësimit të përgatitjeve por dhe progresit në raport me rekomandimet e kaluara të BE-së. Vlerësimi i përgatitjes varion nga “faza fillestare” në “plotësisht e përgatitur”, me Shqipërinë që vlerësohet kryesisht si “mesatarisht e përgatitur” gjatë raportit. Ndërkaq progresi i vendeve në raport me rekomandimet e BE-së varion nga “pa progres” në “progres i mirë”, me Shqipërinë që asociohet kryesisht me termat “progres i kufizuar” ose “disi progres” gjatë raportit.