Padi ndaj aktivistëve të Zall-Gjoçajt, kompania e HEC-it kundër zërit të komunitetit
Kompania ‘SEKA Hydropower’, që zbaton projektin e hidrocentralit në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, ka paditur dy aktivistë lokalë për fyerje dhe shpifje, pas deklaratave të tyre publike mbi ndikimin e HEC-eve në zonë. Banorët që prej vitesh kundërshtojnë ndërtimet brenda parkut, e shohin këtë si një përpjekje për tu ndalur zërin dhe për të zbehur betejën e tyre për mbrojtjen e mjedisit.
Dhimitër Koleci, duke protestuar pranë digës në Lumin e Zall-Gjoçajt. Foto arkive nga aktivistët
Kompania që zbaton projektin e hidrocentralit në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, ‘SEKA Hydropower’ ka paditur dy aktivistë të komunitetit për fyerje dhe shpifje, pas deklaratave të tyre publike mbi ndikimin e HEC-eve në një nga zonat më të mbrojtura mjedisore në vend.
“Unë sëbashku me aktivistin Adem Xhokola jemi paditur nga kompania ‘SEKA Hydropower’ për fyerje dhe shpifje”, tha Dhimitër Koleci për Median Amora.
Banorët e Zall-Gjoçajt vijojnë përpjekjet për të mbrojtur Lumin e Matit dhe pyjet e parkut kombëtar që mban emrin e zonës së tyre, duke kërkuar që zhvillimi energjetik të mos cënojë jetesën dhe ekosistemin që i mban gjallë.
“Kompania ‘SEKA Hydropower’ duke i’u referuar deklaratave tona në mediat kombëtare, apo edhe në rrjetet sociale, pretendon se i kemi prishur imazhin, ndaj na ka thirrur pak ditë më parë Gjykata e Lezhës duke na njoftuar se jemi paditur nga kompani”, shtoi Koleci një nga zërat më aktivë në mbrojtje të kauzës kundër ndërtimit të HEC-eve.
Në pritje për tu paraqitur në seancën e parë të procesit gjyqësor përballë kompanisë Koleci u shpreh se kjo përballje nuk e ka shqetësuar aspak, madje e ka bërë të ndihet më i sigurtë për të vijuar betejën e nisur në mbrojtje të parkut.
“Aspak nuk më ka shqetësuar, si unë dhe banorët e tjerë kur kemi folur për çështjen e HEC-eve thjeshtë kemi thënë të vërtetën për ndikimin e tyre në mjedis, por kjo normale që si pëlqen kompanisë dhe na paditë për prishje imazhi, por nuk më frikëson as mua as banorët”, tha Koleci.
Për banorët dhe aktivistët kjo padi përbën një precedentë të rrezikshëm, pasi synon që të jap mesazhin se kush flet në mbrojtje të mjedisit do të përballet me pasoja.
“Kjo padi përbën një precedent të rrezikshëm për aktivistët dhe shoqërinë civile: kush kërkon të mbrojë të drejtën për mjedis, transparencë dhe pjesëmarrje publike, mund të kërcënohet përmes procedurave penale,” shkruhet në njoftimin e publikuar nga nisma ‘Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj’, në rrjetin social Facebook.
Çështjet ligjore janë aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë, ku po trajtohen padi që lidhen me ligjshmërinë e kontratës koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj dhe respektimin e kuadrit ligjor mjedisor.
Banorët e zonës e vlerësojnë padinë e kompanisë si pjesë të përpjekjeve për t’i heshtur zërat e tyre, ndërkohë që ata vijojnë të kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje për Lumin e Matit e për pyjet e parkut kombëtar që i kanë qëndruar gjallë brez pas brezi.
“E gjendur ngushtë përballë rezistencës së jashtëzakonshme të banorëve të Zall-Gjoçajt, të cilët vijojnë përpjekjet e tyre për drejtësi pranë Gjykatës Administrative të Apelit, kompania, pasi ka ezauruar të gjitha mjetet për heshtimin e komunitetit, po përpiqet tani t’i ngarkojë aktivistët edhe me përgjegjësi penale, me qëllim intimidimin dhe frikësimin e tyre”, shkruhet më tej në postimin e grupimit në mbrojtje të parkut kombëtar.
Banorët e Zall-Gjoçajt vijojnë betejën e tyre përpara gjykatave, duke kërkuar drejtësi për mbrojtjen e parkut kombëtar dhe të burimeve natyrore që e përbëjnë atë. Ata mbeten të vendosur të mos heqin dorë nga mbrojtja e mjedisit dhe e të drejtave të komunitetit, ndërsa organizatat mjedisore dhe ato të ndihmës ligjore po sigurojnë mbështetje për një proces të drejtë dhe dinjitoz.
Prej vitesh, banorët e Zall-Gjoçajt kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve brenda Parkut Kombëtar, duke organizuar protesta, peticione dhe aksione sensibilizuese për mbrojtjen e Lumit të Matit dhe pyjeve përreth.
Ata e konsiderojnë projektin si kërcënim për ekosistemin e zonës dhe për mënyrën e tyre tradicionale të jetesës, që lidhet ngushtë me tokën, ujin dhe pyllin. Pavarësisht sfidave dhe proceseve të shumta gjyqësore, komuniteti vijon të kërkojë transparencë, respektim të ligjit dhe ndalimin e ndërhyrjeve që cënojnë mjedisin në këtë zonë të mbrojtur.
Vitet e fundit, banorët e Zall-Gjoçajt kanë arritur disa fitore ligjore ndaj projekteve të hidrocentraleve në park, përfshirë shfuqizimin e licencës së kompanisë ‘SEKA Hydropower’ për HEC-in ‘Zajs’ nga Gjykata Administrative e Apelit dhe Enti Rregullator i Energjisë. Vendimet janë konsideruar nga komuniteti si dëshmi se rezistenca e tyre ka bazë ligjore dhe mjedisore.
“Kur gjykatat po na japin ne të drejtë, do të thotë që jemi në rrugën tonë dhe nuk do të ndalemi qoftë dhe nga paditë e kompanisë”, përfundoi Koleci.
Megjithëse komuniteti ka arritur disa fitore në drejtësi, përballja nuk ka përfunduar. Aktivistët, Adem Xhokola, Dhimitër Koleci dhe një banor tjetër i zonës që janë në qendër të kësaj beteje, tani duhet të përballen me padinë e kompanisë, një sfidë e re që, sipas banorëve, synon të heshtë zërin e tyre që prej vitesh mbrojnë lumin, pyjet dhe të ardhmen e Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
Media Amfora i është drejtuar kompanisë ‘SEKA Hydropower’ për një koment lidhur me padinë ndaj aktivistëve të Zall-Gjoçajt, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk mori një përgjigje prej saj.