Fshati digjet dhe tregu krihet
Tregu i lirë në Shqipëri është kthyer në një mjet pasurimi për trafikantët, të korruptuarit dhe të huajt, ndërsa shqiptarët po shndërrohen në qiramarrës në vendin e tyre. Shqipëria ka nevojë për një nacional-kapitalizëm, pra një kapitalizëm kombëtar dhe patriotik.

Ndërtimet në qendër të Tiranës. Foto: Media Amfora
Vendosa ta shkruaja këtë artikull i shtyrë nga një klip viral. Një personazh i sportit fliste me aq pasion për tregun e pasurive të paluajtshme dhe sesi tregu e kishte ndihmuar që të fitonte aq shumë para.
Më bëri të reflektoj për disa arsye. Së pari, duke ditur rritjen stratosferike të çmimeve të apartamenteve në Tiranë, e në Shqipëri, në shpërpjesëtim total me rrogat e shqiptarëve. Së dyti, duke parë largimin masiv të shqiptarëve që sipas Eurostatit është më i madhi i të gjitha kombeve evropiane.
Të dyja këto fakte janë të lidhura me njëra-tjetrën, duke ditur që sot shqiptarët po kthehen në qiramarrës në vendin e tyre, në një kohë kur pasanikët e huaj dhe trafikantët e drogës blejnë shumicën e pronave të ofruara. Po në të njëjtën kohë, qiraja është bërë e papërballueshme për studentët apo të sapo diplomuarit, të cilët zgjedhin jetesën me prindërit për shkak të pamundësisë për të paguar qiranë.
Rritja e frikshme në çmimet e apartamenteve në fakt është produkt i një tregu të papërsosur. Një tregu ku paraja e drogës fryn çmimet, korrupsioni kostot, e turistët e huaj kërkesën. Ky treg sigurisht që nuk mund të njësohet me kapitalizmin dhe as nuk do duhej të përdorte “kapitalizmin” si mburojë për dështimet e tij. E kohët e fundit, ideja që kapitalizmi dhe tregu i lirë janë një dhe të pandarë, nuk më ka bërë kuptim për disa arsye.
Së pari sepse asnjë shtet i zhvilluar kapitalist sot nuk ka “treg të lirë” dhe së dyti sepse shoh argumentin e “tregut të lirë” si mbrojtës ndaj çdo fenomeni “Bangladeshian” të strukturës socio-ekonomike shqiptare: Zaptimin, përvetësimin e fondeve publike, shitjen e produkteve pa asnjë standard në rrugë dhe të ngjashme.
Andaj ja vlen të thuhet që kapitalizmi dhe tregu i lirë nuk janë e njëjta gjë as konceptualisht e as praktikisht. Shqipëria është zhvilluar dhe nxjerrë nga terri i skamjes së kuqe nga kapitalizmi, por është shpopulluar nga tregu i lirë. Se ku e bazoj këtë tezë, do ta shtjelloj në vijim.
Vlen të sqarohet se në profilin tim publik, njihem si apostull i tregut të lirë dhe kapitalizmit. Në akumenin e ekspozimit tim në rrjetet sociale, gjenden dhjetëra, e në mos qindra citime të korifenjve të tregut të lirë, si Adam Smith, Friedrich Hayek, Milton Friedman, Thomas Sowell, Javier Milei dhe të tjerë. Pavarësisht flirtimeve të mia sezonale me ideologjinë libertariane, kam qenë gjithnjë i kujdesshëm ta bëj të qartë ideologjinë time: Disa e quajnë konservatorizëm, disa nacionalizëm, ndërkaq unë e përmbledh me termin “politika të kuptimit të përbashkët” (“common sense”) ose ajo që gazetari i njohur sovranist Tucker Carlson, do e quante “fizikalizëm” – Të besosh në gjërat që sheh dhe që të bëjnë kuptim (“sens”).
E për të qenë i vërtetë, argumenti që tregu është fe dhe çdo gjë që del nga “dora e fshehtë” e kërkesës dhe ofertës është ligj, pasojat e të cilit nuk mund të dyshohen, nuk bën kuptim. Kjo në vazhdën e një shpopullimi të Shqipërisë si pasojë e tregut të lirë të punës, ku rrogat e Gjermanisë i japin legjitimitetin moral Gjermanisë të “perlajë” punonjësit shqiptarë dhe i japin legjitimitetin shqiptarëve që kanë mbaruar shkollën me paratë e shqiptarëve, të investojnë taksat e shqiptarëve tek shteti gjerman. Dhe në fakt, kur i përball “tregistët e lirë” dhe neoliberalët e shtetit të korruptuar të Edi Ramës, me idenë që tregu i punës nuk mund të jetë i lirë nëse duam që Shqipëria të mos shpopullohet, përballesh me postulatet: “Rrit rrogat dhe nuk ikin njerëzit” ose “Rrit standardin e jetesës dhe nuk ikin njerëzit”.
Në fakt, këto argumente “politikisht korrekte” nuk pinë ujë duke ditur që në 2005-ën rrogat dhe standardi i jetës së shqiptarëve ishte shumë më i ulët nga ai që është sot, e sërish shqiptarët largoheshin nga vendi në shifra shumë më të ulëta se sot.
Andaj arsyeja për largimin e shqiptarëve është tregu i lirë i punës, nëpërmjet të cilit Gjermania hap dyert e veta për emigrantë të nënpaguar në vendet e veta. Tregu i lirë është problemi dhe jo zgjidhja kur vjen puna tek shpopullimi.
Situata me çmimet e pasurive të paluajtshme është e ngjashme. Që nga kriza e kredive të këqija të 2014-ës, çmimet e apartamenteve në Shqipëri kanë ardhur në rritje. Kjo si pasojë e rritjes së kërkesës agregate nga disa faktorë, duke përfshirë turizmin në rritje, blerjet e njësive të banimit nga emigrantët shqiptarë, por dhe shtetasit e të huaj. Sidoqoftë, “elefanti në dhomë” përgjegjës për inflacionin në çmimet e apartamenteve është blerja e tyre nga krimi i organizuar.
Amnistia fiskale e kaluar nga kjo qeveri para pak kohësh ka lejuar hyrjen e parasë lirisht për të blerë njësi ndërtimi, e cila nga ana tjetër reflektohet me rreth 50.000 apartamente gjoja të boshatisura në Tiranë, por që në fakt janë të blera me para në dorë. Tregtarët e pasurive të paluajtshme dhe “tregistët e lirë” janë të bindjes se marrëdhënia kërkesë-ofertë është një lloj imperativi moral: “Meqë e ka vendosur tregu, nuk kemi ç’ti bëjmë”.
Në fakt kemi ç’ti bëjmë, duke ditur që një çifti shqiptar i duhen 52 vite për të blerë një apartament dhe që qiratë kanë arritur çmime të papërballueshme. Ajo që duhet bërë është ulja artificiale e kërkesës nëpërmjet politikave si ndalimi i blerjes së apartamenteve me para në dorëc, ndalimi me ligj i shitjes së apartamenteve ndaj individëve që nuk janë shtetas shqiptarë, por sigurisht dhe politika anti-korrupsion, duke ditur që kostot e larta të ndërtimeve janë produkt i korrupsionit galopant të funksionarëve të shtetit, që nga ana e tyre kërkojnë shuma të majme parash gjatë çdo hapi të marrjes së lejes së ndërtimit.
Ta lëmë tregun të veprojë ashtu siç do, do të thotë skllavërim i shqiptarëve me qira të larta e apartamente të papërballueshme, largimi i tyre nga vendi dhe kolonizim i Shqipërisë nga trafikantët e drogës dhe të huajt që i përballojnë kostot e oligarkisë shqiptare.
Argumenti i “tregut të lirë” e ka provuar veten vrastar edhe tek bujqësia shqiptare. Politikat e “Ballkanit të hapur” kanë bërë që fermeri shqiptar të mposhtet nga fermeri maqedonas, e ai serb, produktet e subvencionuara mirë të të cilëve “nxjerrin nga tregu” produktet e pasubvencionuara dhe keqvaditura të fermerëve shqiptarë. Ky fakt, i kombinuar me kartelet e mbledhësve që e blejnë domaten në bashkëpunim me çmime qesharake, si 10 lekë për kilogram, e bën ekosistemin ekonomik të tregut të lirë të pafavorshëm për fermerët shqiptarë.
Duke ditur këtë fakt, qeveritë shqiptare, ashtu si ato të vendeve të tjera ku ka bujqësi, kanë dhënë subvencione ndaj fermerëve, të cilat edhe pse të pamjaftueshme, e bëjnë tregun të përkufizuar si “jo të lirë”.
Dhe shyqyr që nuk është i lirë sepse po të ishte, Shqipëria nuk do të kishte fermerë dhe rrjedhimisht do të importonte 100% të produkteve bujqësore. Nëse si pasojë e “tregut të lirë”, Shqipëria do të importonte 100% të produkteve bujqësore, Shqipëria nuk do të ishte më vend sovran.
Vlen të thuhet që bindja ime për kapitalizmin nuk ka ndryshuar. Kapitalizmi mbetet i vetmi motor i provuar i krijimit dhe garantimit afatgjatë të mirëqenies së njerëzve në botë. Kapitalizmi ka nxjerrë miliona njerëz nga terri varfanjak i feudalizmit apo socializmit. Kapitalizmi është krijuesi i qytetërimit që na e ka digjitalizuar, globalizuar dhe paqtuar botën. Thënë kjo, shtetet kanë një rol në sistemet kapitaliste sepse pa rregulla nuk ka lojë, siç edhe pa ligj nuk mund të ketë dot kapitalizëm.
Për shembull, ligjet anti-trust për fuqizimin e konkurrencës dhe ndarjen e monopoleve datojnë që nga presidenti amerikan Theodore Roosevelt. Sigurimi shoqëror në formën e pensioneve apo çeqeve të stimujve për të varfërit dhe të pamundurit vijnë nga kushëriri i tij, presidenti Franklin Delano Roosevelt. Ndërkaq, legjislacioni për sigurinë e depozitave nga lojërat financiare të bankave spekulante e ka fillesën me aktin “Dodd-Frank” të presidentit Obama, si pasojë e “Recesionit të Madh” të 2008-ës.
Vlen të thuhet e “stërthuhet” që pa ligje anti-monopol, pensione shtetërore, asistenca sociale dhe agjenci rregullatore, nuk mund të ketë kapitalizëm të shëndetshëm, konkurrencë të ndershme dhe mirëqenie për shumicën e njerëzve. Të gjithë ata që përballë këtij kapitalizmi të kthjellët, të shëndetshëm, e të dhembshur vënë kapitalizmin libertarian e neo-liberal, duhet të dinë që deregulimi pa fre rrallëherë është i shëndetshëm, që tregu pa shtet nuk funksionon dot dhe se eliminimi i rregullave në emër të lirisë ka shkaktuar vetëm polarizim, pabarazi dhe dëm ndaj konsumatorit në kurriz të kapitalizmit konkurrues dhe në favor të korporatizmit oligarkik, që në fakt nuk ka lidhje as me kapitalizmin dhe as me tregun e lirë.
Shqipëria sot ka nevojë për treg, por ka nevojë edhe për shtet të fortë, e ligjor. Shqipëria ka nevojë për sipërmarrje, por edhe për shtet efikas që di të konvertojë të mirën private të tregut në të mirë të përbashkët të shoqërisë. Ka nevojë për sektor privat vibrant, por edhe për asistenca sociale të dinjitetshme, pensione të përafërta me vendet e rajonit dhe për paga dinjitoze për punonjësit e administratës, të cilët sot përfaqësojnë segmentin më të korruptuar të shoqërisë për shkak të pagave të ulëta.
Së fundmi, mbetet të thuhet që tregu nuk është besim fetar, por mekanizëm për të përmirësuar jetët e njerëzve. Kur i vetëm tregu nuk e arrin këtë, shteti ka rol, siç e ka pasur gjatë gjithë historisë. Na duhen politika ekonomike që kur fshati digjet, tregu të shuajë zjarrin. Me politikat aktuale ekonomike, fshati digjet ndërkohë që tregu krihet. Fshati është Shqipëria…