Rama plan misterioz për zbulimin arkeologjik tek Gjergj Kastrioti, autoritetet në udhëkryq
Edi Rama reklamoi riprojektimin e godinës së shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, e cila u shemb si pasojë e dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndërsa zbulimi arkeologjik i strukturave të një vile luksoze, po degradohet në terren.

Siti arkeologjik i përmbytur nga ujërat e shiut. Foto: Media Amfora
Të hënën kryeministri Edi Rama bëri me dije se një arkitekt spanjoll po punon për rindërtimin e shkollës së re “Gjergj Kastrioti” në Durrës, pasi Bashkimi Europian u tërhoq nga rindërtimi.
Plani i ri i kryeministrit Rama po përmbys punën e institucioneve për ta shpallur pasuri kulturore, ndërkohë që është i paqartë procesi i mbrojtjes së gjetjeve arkeologjike.
‘Në Durrës arkitekti i mirënjohur spanjoll Toni Girones po punon për riprojektimin e shkollës së re’, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale të hënën.
Rama theksoi se ideja e ndërthurrjes së shkollës me zonën e kërkimit do ti jap një tjetër transformim Durrësit.
“…pas zbulimit të rrënojave antike në kantierin e ndërtimit dhe ideja e tij e ndërthurrjes së shkollës me zonën e kërkimit, do t’i japë jetë një tjetër transformimi spektakolar, të denjë për ambicien tonë për Durrësin 2030…”, vijoi Rama në postimin e tij.
Gërmimet që nisën fillimisht për të rindërtuar pas tërmetit gjimnazin historik të Durrësit, “Gjergj Kastrioti”, nxorrën në dritë një strukturë arkeologjike unike për Shqipërinë që përbëhet nga 16 dhoma, e të paktën 4 pishina.
E zbukuruar me 5 mozaikë, ajo mund të ketë qenë një vilë e madhe luksoze, por ndoshta edhe një tempull. Por, ky zbulim arkeologjik që mund të ishte një mundësi e re që Durrësi të ketë një pol të ri arkeologjik, po degradohet me shpejtësi nga dëmtimet e strukturave si pasojë e kushteve atmosferike. Përmbytja e fundit në fillim të muajit mars në qytetin bregdetar përmbytën edhe këto zbulime.
Ndërsa pritet që arkitekti spanjoll të punojë për përgatitjen e projekit të rindërtimit të objektit në terren vazhdon të mos merret asnjë masë për mbrojtjen e zbulimeve arkeologjike, ndërsa pritet deklarimi i interesit kulturor për gjetjet.
“Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), po punon për hartimin e dosjes së plotë për deklatimin e interest kulturor në lidhje me zbulimet arkeologjike” tha, IKTK në një përgjigje zyrtare për Median Amfora. Sipas institicionit procesi i koservimit të gjetjeve arkeologjike të zbuluara nga gërmimi ende nuk ka përfunduar. Ndonëse, zbulimet arkeologjike nuk i kanë shpëtuar përmbytjeve sipas IKTK masat mbrojtëse janë standart.
“Masat mbrojtëse në lidhje me zbulimet arkeologjike të marra në këtë rast, janë masat standard që merren pas përfundimit të çdo projekti shkencor”, tha institucioni.
Rindërtimi i Gjimnazit Gjergj Kastrioti u vendos që mos të ishte pjesë e programit të rindërtimit të Bashkimit Evropian. Ky investim u zëvendësua me një projekt tjetër, duke bërë që kalimi tek autoritetet të ngjalli dyshime për fatin e zbulimeve arkeologjike.
“Sipas Vendimit nr. 116, të datës 05.08.2024 të Komitetit Shtetëror për Rindërtimin, Gjimnazi “Gjergj Kastrioti” nuk është pjesë e Programit ‘EU4Schools’ të Bashkimit Evropian (BE) për shkollat”, sipas PNUD (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim).
Në këto kushte i takon Bashkisë së Durrësit të ndjeki procesin e rindërtimit të shkollës dhe së bashku me të edhe vendimet që do të merren për zbulimet arkeologjike, që janë cilësuar si të jashtëzakonshme për nga karakteristikat dhe tipologjia.
Bashkia e Durrësit e pyetur nga Media Amfora në lidhje me procesin e rindërtimit u shpreh se procedurat do të ndiqen nga ministria përkatëse.
“Përsa i përket rindërtimi të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” ky është një objekt arsimor procedura e të cilit po ndiqet nga Ministria e Arsimit”, tha Bashkia e Durrësit në një përgjigje për Median Amfora.
E pyetur se si është realizuar mbrojtja e gjejteve nga kushtet atmosferike, Bashkia e Durrësit u shpreh se do të parashikohet në fazën e rindërtimit të projektit.
“Mbrojtja e gjetjeve arkeologjike do të parashikohet në fazën e rindërtimit të këtij objekti. Gjatë kësaj faze do të parashikohet dhe gjetja e zgjidhjes për realizimin e mbrojtjes së këtyre gjetjeve”, tha institucioni.
Duke ja deleguar çështjen e rindërtimit të objektit Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkia e Durrësit u shpreh se nuk ka as parashikim të kostove të rindërtimit.