Krimi i organizuar aktor përcaktues në votimet e Durrësit
Shkatërrimi i disa grupeve kriminale nga SPAK është pasuar nga fuqizimi i bandave të reja, që ishin shumë aktive në periferinë e Durrësit, duke intimiduar votuesit më 11 maj dhe duke i orientuar në subjektet politike të lidhura me ta.

Persona të paautorizuar qëndronin përballë shkollës “Dom Nikoll Kaçorri, në Ish-Kënetë. Foto: Media Amfora
Në Durrës hija e rëndë e krimit të organizuar vijoi të vezullonte në xhamat e automjeteve të stërmëdha të parkuara përpara Qendrave të Votimit nga qyteti deri në periferinë e tij, në një mëngjes 11 maji që nisi me rreze të forta dielli dhe përfundoi me re të zymta.
Një proces votimi që nisi me parregullsi të vogla, përfshiu vonesa në hapjen e Qendrave të Votimit (QV) si pasojë e mungesës së komisionerëve, të operatorëve të identifikimit elektronik dhe të ndezjes së kamerave të regjistrimit, por që u minimizuan pa kaluar ora 8 e mëngjesit.
Ashtu si zakonisht, qyteti “zgjohet vonë” të dielave dhe numri i votuesve erdhi në rritje në mesditë, me një kurbë që shkoi në ulje drejt drekës dhe pasditës. Komisioni i Qendrës së Votimit me numër 1460 ishte ndër të parët që nisi të orientonte zgjedhësit që fletën e votimit ta palosnin vetëm një herë, duke lënë hapësira për ekspozimin e saj gjatë hedhjes në kuti.
Ndërsa në QV-të e vendosura në Shkollën Marie Kaçulini në qytet nisën dukshëm të dalloheshin personat e paautorizuar që hynin e dilnin për të pyetur mbi ecurinë e procesit. Ndërsa vëzhguesit e QV-ve në këtë shkollë i këshillonin nga afër qytetarët për mënyrën e votimit në fletë, e kryesisht të moshuarit.
Në qytet dominonin aktivistët partiakë të angazhuar në orientimin dhe procedurat e verifikimit të zgjedhësve. Më tutje nga aty, sa më larg periferisë, veshjet e djemve me ngjyra zëvendësoheshin nga ata me kapele, bluza të zeza me mëngë të shkurtra, me çanta të vogla supi, që dukeshin sikur të ishin një ekip futbolli.
Të ndarë në dy formacione, në Ish-Kënetë ata qëndronin përballë Shkollës “Dom Nikoll Kaçorri”, ulur mbi karriget e një bar-kafeje të vogël lagje, duke ndjekur me sy çdo “lojtar” që po luante me votën e tij pushtetin e ardhshëm politik të vendit.
Ndërsa brenda rregullat e lojës mugonin, ekipi aty ishte aq i vrullshëm sa harronte të respektonte kriteret bazë të një ndeshje zgjedhore. Burra e djem të zellshëm këshillonin dhe orientonin zgjedhësit që për nga tradita e zonës që u popullua pas’ 90-ës, vinin të grupuar familjarisht.
Pa vonuar shumë, në Qendrën e Votimit me numër 1420/4 ja behu votimi familjar, ku në një çift bashkëshortësh, njëri ndihmoi një të moshuar dhe tjetri të moshuarin, që dukshëm ishin po pjesë e familjes.

Hija e zezë e përfshirjes së krimit në këto zgjedhje nisi gradualisht të mbulonte çdo Qendër Votimi. Hetimet e “Dosjes 339” zbuluan disa grupe kriminale, si “Banda e Avdylajve” të Shijakut, që bashkëpunuan me zyrtarët lokalë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
E më tej SPAK “i dogji” mandatin e deputetit Jurgis Çyrbes, që dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si Altin Hajri, duke ofruar favore në këmbim të mbështetjes elektorale në zonën e Shijakut në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Po ashtu shtimi i prezencës së SPAK-ut në terren këto zgjedhje nuk i stepi aktorët e rinj të krimit të organizuar në qytet, që morën në kontroll situatën në Spitallë, Ish-Kënetë, Shkozët dhe Sukth.
Në QV-të në Shkollën 9-vjeçare “Neim Babameto” në Spitallë, zhurma dhe rrëmuja e nxënësve u zëvendësua nga djem midis moshës 25-35 vjeç, që të palestruar, me veshje të errëta dhe me çantat pranë brezit, kishin “blinduar” hyrjen e shkollës, duke parë në sy çdo zgjedhës që mbërrinte për të votuar “i lirë” për subjektet zgjedhore.
Si një formacion politik, burra e djem të ngjashëm në veshje dhe sjellje, “mbinë” edhe në zonën e Shkozetit, duke u instaluar në Shkollën “Isuf Ferra” në Nishtulla dhe në Shkollën e Mesme “Olsi Lasko”.

Me sy e veshë në çdo cep, brenda QV-ve, në perimetrin e tyre dhe në bar-kafetë e vogla aty pranë, individë të paautorizuar hynin e dilnin për të ndjekur ecurinë e procesit, duke marrë dhe duke dërguar votues.
Pavarësisht se vëzhguesit e huaj të OSBE/ODIHR-it mbërritën për të parë situatën nga afër në këtë zonë, prania e tyre nuk stepi në asnjë moment aktivitetin e zellshëm të të rinjve të angazhuar për orientimin e votës dhe për intimidimin e zgjedhësve.
Individë të grupuar, me automjete të blinduara dhe të koordinuar me njëri-tjetrin, vijuan lëvizjen e qetë në QV-të e zonës, duke mos u shqetësuar nga parashikimet e Kodit Zgjedhur, që siguron pavarësinë e territorit ku mbahen zgjedhjet.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat mbrëmjen e 11 majit, përmendi emra konkretë që sipas tij janë të përfshirë në intimidimin e votuesve në Durrës.
“Në Durrës bandat e Pojës, Troplinit, kanë vërshuar drejt KZAZ-ve me urdhërin nga Edi Rama, se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë, janë denoncuar, qoftë nga mediat, qoftë nga PD dhe në zona të tjera Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve”, u shpreh Berisha.
Ai premtoi se nëse Aleanca për Shqipërinë Madhështore krijon qeverinë, do t’i shpalli ato banda terroriste dhe se do të marrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Më herët ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, pasi vizitoi Prokurorinë e Fierit pasditen e së dielës, shpjegoi për gazetarët se ishte paradite në Durrës pas informacioneve për përfshirjen e krimit të organizuar.
“Isha në Durrës sepse kishte informacione për bandat, kishim informacione edhe për bandat në Fier dhe erdha këtu”, u shpreh Gonzato për gazetarët.
Votimi familjar, palosja e votës para komisionerëve duke krijuar mundësi për identifikimin e subjektit të votuar dhe dhomat e fshehta që nuk siguronin realisht fshehtësinë, u hasën në të gjithë periferinë e Durrësit.
Në Qendrat e Votimit në Shkollën “Vëllezërit Haradinaj” në Rrashbull, persona të paautorizuar qëndronin në ambientet e saj, ndërsa në Qendrën e Votimit me numër 1372/00, qytetarët pas votimit në dhomën e fshehtë, e palosnin fletën e votimit para komisionerëve. Ndërsa dritaret e hapura në disa prej QV-ve ekspozonin dhomën e fshehtë dhe krijonin mundësi për shfaqjen e fletës së votimit.
Ndërsa në Sukth, Qendra e Votimit e vendosur në lokalin “Minerva Çela”, e kishte dhomën e fshehtë të votimit të ekspozuar nga banaku i barit, ku ndërkohë vijonte aktiviteti i shërbimit të kafesë.