Kalaja misterioze e Sebastias, fshehur pas Kishës së Laçit
Kalaja e Sebastias është një fotifikim i pajisur me kulla që gjendet në kodrën përballë “Kishës së Laçit”, për të cilën dihet shumë pak. Teknika e ndërtimit dëshmon për një fortifikim të shtrirë në territor dhe legjenda na tregon se kisha fillimisht ishte vendosur të ndërtohej aty, por fenomenet e pashpjegueshme ndikuan që ajo të ngrihej në kodrën ngjitur.
Me të hyrë në Laç shpejt dallohet një lokal me emrin “Sebastia”, teksa në diskutimet e banorëve dëgjohet shqiptimi i saj dhe diku tjetër të flasin për Qendrën Rinore Sebastia.
Gjithçka lidhet me një fortifikim pak të njohur dhe gati misterioz, muret dhe mbetjet e kullave të së cilës qëndrojnë në kodrën përballë “Kishës së Shën Ndoit”, e njohur edhe si “Kisha e Shna Ndout” apo “Kisha e Laçit”. Megjithëse të dhënat arkeologjike janë të pakta, mendohet se fillimet e kalasë janë në shekujt IV-III Para Erës Sonë, bazuar në teknikën e ndërtimit me gurë kuadratikë të mureve dhe kullave të saj të fortifikuara.
Vendasit rrëfejnë se në fillesat e tyre në këtë territor Urdhëri Katolik Françeskan në periudhën e mesjetës vendosi të ndërtonte kishën dhe kuvendin në afërsi të kalasë, aty ku mendohet se dikur ngrihej qyteza antike.
Sipas legjendës mjeshtërit muret që i punonin ditën, të nesërmen nuk i gjenin më aty, por në afërsi të shpellës së Shën Vlashit, përballë kalasë.
Kështu “Kisha e Shën Ndoit” dhe kuvendi dedikuar Shën Antonit të Padovës, u vendos të ndërtohej përfundimisht në kodrën përballë kalasë dhe u shugurua për herë të parë në vitin 1557. Ajo u shkatërrua në vitin 1967, kur sistemi komunist vendosi ndalimin e besimit fetar dhe u rindërtua pas viteve’ 90, duke u kthyer në një vend pelegrinazhi.