Zbulimet arkeologjike tek “Veliera”, kafe dhe parkim makinash!!!
Që prej muajit shkurt 2017, kur dolën në dritë zbulimet arkeologjike tek sheshi përpara portit të Durrësit, një kalvar dëmtimesh, protestash dhe procesesh gjyqësore e kanë shoqëruar ndërtimin e sheshit. “Veliera”, një investim mbi 6 milion dollar i bashkisë Durrës, dha shumë para për strukturën prej betoni dhe disa thërrime për gërmimet e sondazhet arkeologjike.
Amfora.al bëri një vëzhgim ditën e sotme, pas raportimit tek ne nga një qytetar, se rrethimi metalik pranë bastionit osman ishte zhvendosur, duke u parkuar makinat mbi strukturat arkeologjike të zbuluara.
Gazetarët e Amfora.al pyetën mbi rastin inxhinierin e firmës private që po zbaton projektin, “Everest sh.p.k”, i cili u shpreh se nuk kishte dijeni për rastin dhe dha një përgjigje të paqartë nëse do të merreshin masa për zhvendosjen e rrethimit, për të mbrojtur strukturat e zbuluara.
Përballë kësaj situate, Amfora.al ju drejtua Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës (DRKK), nga ku na u bë me dije se rrethimi mbrojtës i zbulimeve arkeologjike ishte përgjegjësi e firmës private.
Sipas DRKK-së kjo situatë është përsëritur edhe herë të tjera, si pasojë e zhvendosjes së rrethimit nga bizneset apo banorët, për të parkuar makinat aty. Sipas saj, ajo është detyruar t’i kërkojë firmës që po zbaton projektin të marrë masa.
Edhe mbi këtë rast DRKK Durrës na siguroi se do t’i kërkonte firmës private që të merrte masa për rikthimin e rrethimit në vendin e tij.
Më herët, në muajin korrik 2017, u mbulua me beton një nga strukturat e zbuluara nga sondazhet arkeologjike, një “pilastër romak” (që shërbente për mbajtjen, përforcimin e murit, ku supozohet prania e një porte).
Nga gërmimi i arkeologëve doli në dritë kjo strukturë, që është vijim i murit rrethues të qytetit, i cili i përket shekullit II, të Erës Sonë dhe që ruan gjurmë të kulturës ilire.
Megjithatë ky sondazh nuk u krye i plotë sepse nevojitej të gërmohej edhe pjesa e rrugës, që ishte e pamundur si pasojë e kalimit të automjeteve mbi të.
Amfora.al kërkoi nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës dokumentet lidhur me gërmimet dhe studimet arkeologjike të kryera aty, ku rezultoi se nuk kishte asnjë dokument zyrtar mbi këtë ngjarje.
Sot mbi zbulimin arkeologjik të betonizuar janë vendosur disa tavolina dhe karrige, në funksion të një biznesi që operon aty pranë. Ky rast indinjoi qytetarët e Durrësit, të cilët protestuan pas ngjarjes.
Gjykata Administrative Durrës vendosi pezullimin e punimeve në Zonën Arkeologjike A dhe si pasojë po vijon procesi gjyqësor midis shoqërisë civile dhe bashkisë Durrës. Vendimi i fundit i kësaj gjykate pritet të zbardhet, për të parë se si do vijojë fati i këtij projekti.
Ndërkohë një projekt tjetër i bashkisë Durrës, për ndërtimin e një nënkalimi me platformë betoni dhe plani për ngritjen e pallatit të Drejtësisë në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve, rrezikojnë të shkatërrojnë mozaikë, afreske dhe terma, pjesë të lagjes romake të ruajtur nëntokë.