Zbulime të reja arkeologjike tek “Veliera”
VËZHGIM/
Mesditën e sotme vijimi i gërmimeve për hapjen e tunelit nëntokësor të projektit “Veliera” në Durrës, nxorri në dritë zbulime të reja arkeologjike.
Pak metra larg strukturave murale të zbuluara më herët, u evidentuan objekte gjatë gërimimit të firmës që po zbaton projektin.
“Kemi të bëjmë me pjesë objektesh qeramike, të harkuara nga veprimtaria e dallgëve të detit”, dekalaroi drejtuesi i gërmimeve, Dr. Asc. Eduart Shehu.
Nën monitorimin e arkeologëve dhe punonjësve të Drejtorisë së Kulturës Durrës (DRKKD), këto objekte u grumbulluan dhe dërguan në Muzeun Arkeologjik Durrës, ku më herët janë dërguar topat, gjylet dhe objektet e zbuluara.
Vijimi i punimeve ka sjellë ndërhyrjen në perimetrin e gjetjeve arkeologjike, duke vijuar me shpimin me sondë dhe betonizimin, veprim që Gjykata Administrative Durrës e pezulloi.
Strukturat e zbuluara sipas Shehut, i përkasin një bastioni osman, mbi të cilin më vonë është ndërtuar konaku i princ Vidit. Por gurët e përdorur janë mbledhur në të gjithë qytetin dhe i përkasin shekujve të ndryshëm.
Pak metra më lart nga strukturat murale të zbuluara, është mbuluar me gur çakull një pjesë e murit rrethues të qytetit.
Teksa ministria e Kulturës nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi ruajtjen ose jo të mureve të zbuluara, apo vijimin e gërmimeve arkeologjike, burime për Amfora.al bëjnë të ditur se pritet që të vazhdohet me sondazhet (gërmimet) arkeologjike në këto pjesë.