Vetëvrasja e emigrantit në burgun italian, protestë kundër kampit të Gjadrit në Lezhë

Vetëvrasja e një emigranti në një burg në Itali pas qëndrimit në kampin e Gjardit ka sjellë reagimin e shoqërisë civile në Lezhë. Aktivistë shqiptarë dhe të huaj protestuan kundër kushteve të trajtimit të emigrantëve në kampe dhe hetim për rastin.

Organizatat, aktivistët për të drejtat e njeriut, por dhe qytetarë aktivë protestuan të dielën përpara kampit të Gjadrit në Lezhë. Reagimi erdhi pas vetëvrasjes së një emigranti maroken në një burg në Itali, i cili qëndroi për gati një muaj në këtë kamp.

Pjesëmarrësit mes të cilëve aktivistë të të drejtave të njeriut nga vendi ynë, por dhe të huaj e vlerësuan mbledhjen përpara kampit si një notë proteste kundër kushteve çnjerëzore me të cilat emigrantët përballen. 

“Aktivistë shqiptarë dhe të huaj u mblodhën jashtë ambienteve të kampit në Gjadër, ku zhvilluan homazhe për të ndjerin dhe një protestë duke denoncuar mënyrën se si trajtohen në përgjithësi emigrantët në kampe”, tha Elvis Hila, gazetar në Lezhë.

Sipas gazetarit aktivistët kërkuan në protestë hetim të thelluar për ngjarjen.

“Në protestën e tyre aktivistët kërkuan hetime për rastin e Hamid Badoui, 42 vjeçarit maroken, i cili pasi qëndroi një muaj në kampin e Gjardit u zhvendos në Itali. Ndëra ishte në pritje të vendimit të autoriteteve italiane se çfarë do të vendosnin për fatin e tij, ai i dha fund jetës”, tha Hila.  

Në pankartat që mbanin protestuesit shkruhej “Drejtësi për Hamidin” dhe “Liri për emigrantët”,  ndërkohë që vendosën lule në hyrje të kampit.

Për aktivistët kampe të tilla sjellin vetëm ngjarje dëshpëruese.

“Hamidi ishte një prej djemve fatkeqë të shoqëruar forcërisht drejt këtyre kampeve, në Gjadër. I burgosur dhe liruar pas një muji e tre ditëve, ai u rikthye në Itali, por liria nuk zgjati shumë. I mbyllur përsëri pas hekurave dhe nga frika se mos e rikthenin në Gjadër, 42 vjeçari i dha fund jetës tragjikisht”, tha Kristina Millona, aktiviste për të drejtat e njeriut.

Sipas aktivitstes incidentet nuk kanë munguar edhe në kampin e Gjardit, ndaj u kërkua ndërprerja e transferimeve.

“Raportet flasin për 40 incidente në muajin e parë brenda Gjadrit. Ne kërkojmë urgjentisht ndërprerjen e transfertave drejt Shqipërisë, lirimin e të gjithë emigrantëve në Gjadër dhe një hetim të pavarur për përgjegjësitë institucionale,” tha Millona në protestë.

Kampi i Gjardit u ndërtua nga Qeveria Italiane pas një marrëveshjeje me kryeministrin Edi Rama dhe po shërben aktualisht për izolimin e emigrantëve, të cilëve u është refuzuar e drejta për azil dhe që rrezikojnë të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Erjola Azizolli

Erjola Azizolli është gazetare në Median Amfora. Ajo ka një përvojë disavjeçare në gazetarinë shqiptare, duke punuar kryesisht në televizion, revista dhe media në internet. Ajo është fokusuar në gazetarinë investigative për trashëgiminë kulturore dhe mjedisin. Gjithashtu raporton edhe për temat që lidhen me të drejtat e njeriut, gratë dhe grupet e margjinalizuara. Ajo është angazhuar prej shumë vitesh si aktiviste dhe ka ndërmarrë disa nisma për të përmirësuar jetën e komuniteteve në Berat dhe Durrës.

Lajme të ngjashme


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *