Ura e Orgockës, ngritja dhe rënia e monumentit
E shembur nga prurjet e lumit Osum, ura historike e Orgockës mbetet një strukturë e rrënuar, ndërsa banorët e zonës vazhdojnë të përballen me vështirësi në lëvizje. Megjithëse objekti është monument kulture, ndërhyrja për restaurimin e tij mbetet ende në fazë projektimi.
Ura e Orgockës pas dëmtimit të pësuar. Foto: Media Amfora
Ura e Orgockës në territorin e Bashkisë Kolonjë, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, mbetet jashtë funksionit që prej vitit 2018, ndërsa procesi për restaurimin e saj nuk ka kaluar ende përtej hartimit të projektit.
“Gjendja sot e urës është e rrënuar, kanë ngelur më këmbë vetëm dy këmbëza dhe një shpatull”, tha Bashkia Kolonjë në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.
Edhe gjatë këtij dimri monumenti u përball me vërshimet e Osumit, ndërsa vlerësimi teknik i kryer nga specialistët e trashëgimisë kulturore ka evidentuar dëmtime strukturore në urë dhe nevojën për ndërhyrje restauruese.
“Ky vlerësim synoi evidentimin e problematikave strukturore, dëmtimeve materiale dhe nevojave për ndërhyrje konservuese/restauruese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për Median Amfora.
Ura e Orgockës, në territorin e Bashkisë Kolonjë, është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë që prej vitit 1966 dhe për dekada ka shërbyer si një nga kalimet kryesore për banorët e zonës. Përmes saj lidhej Njësia Administrative Çlirim me fshatrat Kurtes, Radovickë dhe Qinam Radovickë, duke siguruar një nga lidhjet më të rëndësishme të komunitetit me pjesën tjetër të zonës.
Në vitin 2018 një pjesë e strukturës së saj u mor nga prurjet e lumit gjatë reshjeve të dendura, ndërsa ndërhyrja për restaurimin e monumentit nuk është shoqëruar ende me një projekt të miratuar.
“Po vijohet me fazën e dytë të procesit për hartimin e projektit të restaurimit, i cili do të përcaktojë ndërhyrjet konkrete konservuese dhe restauruese që do të realizohen në përputhje me standardet dhe legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore”, u shpreh ministria.
Mosfunksionimi i urës ka krijuar vështirësi të vazhdueshme për banorët e zonës, të cilët janë detyruar të përdorin rrugë alternative për të kaluar nga njëra anë në tjetrën.
“Shkatërimi i urës ka sjellë vështirësi në jetën e banorëve të Njësisë Administrative Çlirim përkatësisht fshatrat Kurtes, Radovickë, Qinam Radovickë dhe zona e Dangëllisë”, tha Bashkia Kolonjë.
Në mungesë të kalimit të dikurshëm, lëvizja është orientuar drejt një rruge alternative që kalon nga mali i Radomit, e cila përdoret nga banorët për të lidhur fshatrat me pjesën tjetër të zonës.
“Masat e marra janë pastrimi i rrugëve alternative nga mali i Radomit e cila ka vështirësi në sezonin dimëror”, shpjegoi institucioni vendor.

Ura përtej kalimit të zakonshëm
Për banorët e zonës, Ura e Orgockës nuk ka qenë vetëm një kalim i zakonshëm, por një pikë lidhëse që për vite ka mbajtur të bashkuar komunitetin dhe aktivitetin e përditshëm të fshatrave përreth. Si monument kulture dhe pjesë e trashëgimisë historike të Kolonjës, ajo përfaqëson gjithashtu një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit lokal dhe ruajtjen e identitetit të zonës.
Për një monument që banorët e zonës e konsiderojnë pjesë të identitetit dhe historisë së tyre, pritja për ndërhyrje vijon ende pa një afat të qartë për restaurimin dhe rikthimin e tij në funksion.
“Në bazë të këtij projekti do të vijojë edhe procesi për përcaktimin e fondit të investimit, i cili do të përcillet sipas dispozitave ligjore për financim.”
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar tetë vite që nga dëmtimi i saj, banorët e zonës vijojnë të përballen me vështirësi në lëvizje, ndërsa edhe turizmi lokal ndien mungesën e kësaj ure. Edhe pse monumenti përfshihet në prioritetet institucionale për ndërhyrje, ende nuk ka një afat të qartë për restaurimin e saj.
“Ndërhyrjet në këtë pasuri do të realizohen në bazë të prioriteteve institucionale, vlerësimeve teknike dhe projekteve të miratuara”, u shpreh ministria.
Sinjalet që erdhën më herët
Rreziku për dëmtimin e Urës së Orgockës ishte ngritur që më herët, pasi mungesa e ndërhyrjeve dhe prurjet e forta të lumit e kishin bërë strukturën gjithnjë e më të brishtë nga viti në vit.
“Bashkia Kolonjë i është drejtuar me shkresë zyrtare që në vitin 2017 Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë, ku u kërkua ndërhyrje për mos shembjen e saj”, tha institucioni vendor.
Por, asnjë masë nuk u mor dhe ura u shkatërrua, duke izoluar banorët dhe duke vënë në rrezik monumentin. Në përpjekje për të lehtësuar lëvizjen në zonë, autoritetet vendore kërkuan ndërhyrje të përkohshme për të siguruar kalimin e banorëve, ndërsa ura historike mbetej jashtë funksionit.
Njëra këmbë e urës e ndërtuar e gjitha në gur gjatë pushtimit osman u shemb në vitin 1995 për tu rindërtuar, ndërsa goditjen më të madhe monumenti e pësoi në vitin 2018. Mungesa e urës historike vazhdon të ndikojë në jetën e përditshme të komunitetit dhe në zhvillimin e zonës.
Institucioni vendor ka bërë kërkesë për studim gjeologjik inxhinierik për Urën e Orgockës, por nuk mund të bëjë ndërhyrje me të ardhurat e saj.
“Kostoja e madhe dhe mungesa e fondeve e ka bërë të pamundur ndërhyrjen në këtë urë”, shpjegoi institucioni.
Në dhjetor të vitit 2024, Amfora ishte në zonë ku realizoi video-reportazhin, në të cilin banorët treguan për sfidat që përballen çdo ditë për shkak të mungesës së urës, veçanërisht në periudha me reshje kur prurjet e lumit e bëjnë kalimin të vështirë.
Ndërsa pranvera e vitit 2026 ka trokitur në Kolonjë dhe zona përgatitet të presë vizitorët e natyrës dhe turizmit të aventurës, një nga monumentet më të njohura të saj mbetet ende në pritje, pasi projekti për restaurimin e urës nuk ka përfunduar ndërsa pas përfundimit do të kërkohet miratimi dhe sigurimin i fondeve për ta kthyer sërish në funksion.