Turizmi i kroçerave, potenciali në kërkim të një strategjie
Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë në hartën e turizmit të kroçerave, me portet nga Saranda në Durrës, që presin vizita të shkurtra nga anijet luksoze. Megjithatë mungesa e infrastrukturës së përshtatshme dhe ndërtimi i një vizioni afatgjatë e pengojnë këtë potencial të shndërrohet në të ardhura të qëndrueshme për ekonominë vendase.

Kroçera “Nautica” ndaloi në Durrës më 11 korrik 2025. Foto: Autoritet Portual Durrës
Kroçerat dhe jahtet luksoze po tërheqin gjithmonë e më shumë sytë kureshtarë të turistëve në brigjet e vendit tonë, të cilat zgjedhin të qëndrojnë disa orë në Shqipëri, për qëllime furnzimi apo për ture të shkurtra kulturore në qytetet më ikonike.
Shqipëria me bregdetin e saj me ujëra të kristalta dhe peizazhe natyrore tërheqëse ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e turizmit të kroçerave nëpërmjet porteve të saj të rajonit qendror dhe jugor.
“Ankorimi i kroçerave të huaja në vendin tonë kryhet nga portet e Sarandës, Vlorës dhe Durrësit”, shpjegoi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një përgjigje zyrtare për Medain Amfora.
Nga të dhënat e 3 porteve që Amfora analizoi në lidhje me numrin e kroçerave të mbërritura në ujërat tona rezultoi se në pesë vitet e fundit kanë mbërritur 186 kroçera. Porti i Sarandës rezulton se ka numrin më të madh të kroçerave të ankoruara në 5 vitet e fundit, me 90 të tilla, pasuar nga Porti i Durrësit me 69 kroçera dhe nga Porti i Vlorës me 27 ankorime.
Sipas ekspertëve pozicioni gjeografik shumë i favorshëm që ka vendi ynë krijon mundësinë për zhvillimin e këtij turizmi që kryesisht ka interesa drejt trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike të shtrira pranë qyteteve port.
“Vendi ynë ndodhet mes intinerareve shumë të rëndësishme të Adriatikut dhe Jonit, pra të Mesdheut. Është pjesa e Sarandës, e Vlorës, e Durrësit, janë pika të mesme në të cilat kroçerat mund të ndalojnë duke ardhur nga jugu ose nga veriu, duke arritur pastaj në porte të tjera që janë në pjesën e Malit të Zi apo Kroacisë”, shpjegoi Brunilda Liçaj, pedagoge dhe konsulente në fushën e turizmit.
Një ndalesë, shumë mundësi
I njohur si “Turizmi i kroçerave” (“Cruise Tourism”), ai është një formë e turizmit detar ku turistët udhëtojnë me anije të mëdha që ofrojnë përvoja të integruara udhëtimi, argëtimi dhe akomodimi, shpesh duke ndaluar në disa porte turistike përgjatë rrugës.
Në vendin tonë ai ka nisur të lulëzojë në pesë vitet e fundit, me shifra që tregojnë se numri i tyre ka ardhur duke u rritur. Përgjatë pandemisë së COVID-19, Porti i Durrësit u vizitua në vitin 2020 nga vetëm 1 kroçerë, ndërsa në vitin pasardhës nga 3, për të vijuar me rritje në vitin 2021, me 21 kroçera, shifër që ka ngelur në 22 në dy vitet e fundit.
Për ekspertët mund të konsiderohet se vendi ynë është përfshirë në këtë lloj turizmi, megjithëse kushtet nuk kanë qenë të favorshme për zhvillimin e tij, duke nisur nga infrastruktura portuale dhe deri tek itineraret turistike që ndiqen. Porti i Sarandës ka pritur ndër vite më shumë kroçera se qytetet e tjera, 31 kroçera në vitin 2022, 27 në vitin 2023 dhe 32 në 2024, por kjo lidhet më shumë me lehtësitë logjistike që ai ofron.
“Porti i Sarandës ka pasur shumë më tepër kroçera sepse ka thellësi më të thellë dhe është më i mirëpritur nga ana logjistike”, shpjegoi Liçaj, pedagoge në fushën e turizmit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit kroçerat kanë sjellë një rritje të konsiderueshme të turistëve, duke sjellë pasagjerë nga vende të ndryshme të Evropës, si Franca, Belgjika, Gjermania, Anglia dhe Spanja.
Një prej sfidave të këtij sektori mbetet shërbimi në të gjithë vendin, që prej vitesh restorantet dhe industria e lidhur direkt me turizmin po përballet me mungesë punonjësish të kualifikuar – që minon përpjekjet që Shqipëria të përfshihet në hartën e turizmit të kroçerave, që do të pasohej me zgjatjen e kohës së qëndrimit të turistëve të huaj në portet vendase.
“Aktualisht portet shërbejnë vetëm si ‘port of call’ [‘porti i thirrjes’], që do të thotë vetëm për pikë ndalimi. Turistët vijnë në mëngjes, kryesisht nga ora 7 deri pasdite dhe nuk e përdorin pjesën e akomodimit në vendin tonë”, analizoi Liçaj.
Sipas saj në të ardhmen ky lloj turizmi duhet të kalojë në një nivel tjetër, që të përfshijë edhe pjesën e akomodimit, që do të sillte edhe më shumë të ardhura për sektorin e hotelerisë.
“Në të ardhmen nëse do të kishte mundësi për t’u organizuar duhet të jemi ‘port of home’ [porti i shtëpisë], në kuptimin që turistët vijnë një natë përpara nisjes dhe qëndrojnë deri në natën e përfundimit”, shtoi ajo.
“Përfshirja e Shqipërisë në hartat e kroçerave mbetet prioritet i cili do t`i jepte një hov të madh turizmit, sepse do të shtonte qëndrimin e tyre së paku për një natë në një prej porteve tona, e që do të përkthehej në më shumë te ardhura prej turistëve”, shpjegoi në një përgjigje zyrtare Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
“Eksperienca e turistëve me kroçera në Shqipëri zgjat vetëm një ditë, por kjo është një mundësi e mirë për agjencitë që të krijojnë një program të thjeshtë dhe të bukur, në fund ata ikin të kënaqur”, komentoi Isuf Braho, guidë lokale në Berat.
Teksa Shqipëria duket të jetë ende në fazën e “shtrimit të rrugës” drejt zhvillimit të këtij turizmi, sa më shumë kalon koha më tepër rritet penalizimi për sektorin sepse kjo industri është shumë mirë e organizuar dhe programimi i udhëtimeve bëhet të paktën dy vite përpara se ato të realizohen.
“Porti i Durrësit është në punime e sipër, për këtë arsye këto dy vite kemi numër shumë të ulët krahasuar me vitet e tjera”, analizoi pedagogia Liçaj.
Qeveria nga ana tjetër duket se i ka sytë tek ndërtimi i “Marinës Durrës”, një investim kontrovers dhe shumë i diskutuar që pritet të transformojë rrënjësisht portin tregtar dhe të pasagjerëve.
“Një moment historik po shënohet me ndërmarrjen e një investimi prej 2 miliardë eurosh nga Eagle Hills me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, që synon të transformojë portin e Durrësit në një komunitet resortesh luksoze të shfrytëzimit të miksuar”, shpjegoi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
“Vlora Marina është një tjetër projekt në ndërtim e sipër, me 438 vende të planifikuara ankorimi”, shtoi institucioni në përgjigjen zyrtare.

Shqipëria duket e etur për këtë formë turizmi, ndërsa fqinjët e saj në rajon e kanë njohur herët këtë formë turizmi dhe kanë nisur të ndryshojnë qëndrim si pasojë e problemeve që janë hasur herë pas here.
“Dubrovniku nuk ka më kapacitet për të pritur kroçera. Pjesa e Venecias ka filluar me thirrjet, ‘No grande nave’, pra jo anije të mëdha, pasi mendohet se ngrenë nivelin e ujit, ndaj Shqipëria është në momentin më të përshtatshëm për ta forcuar këtë lloj turizmi”, shpjegoi Liçaj.
Por nga ana tjetër në portet shqiptare nuk mund të ankorohen anijet e mëdha turistike dhe krahasuar me vendet e tjera në rajon, kapacitetet e Shqipërisë janë disa herë më të vogla.
“Në Venecia mbërrijnë anije vërtetë të mëdha, të cilat nuk mund të hyjnë në Portin e Durrësit. Anija më e madhe që mund të hyjë në këtë port është 1500 persona, kurse në Portin e Venecias numri është shumë i lartë”, shtoi më tej Liçaj.
Ndërsa statistikat për turistët që zbresin përmes kroçerave në vendin tonë vijojnë të mungojnë të specifikuara dhe përfshihen në hyrje-daljet e përgjithshme, ndërsa autoritetet premtojnë zgjidhjen e situatës.
“Në kuadër të Strategjisë së Turizmit 2024-2030, ekipi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit së bashku me INSTAT-it ka ndërmarrë një iniciativë ku në thelb të saj do të këtë ngritjen e një sistemi të përmirësuar për mbledhjen e të dhënave në turizëm, duke shtuar një anketë të re të dedikuar për turistët e kroçerave, e cila vjen si risi e kësaj strategjie”, shpjegoi ministria e linjës.
Nga rrisqet mjedisore në një potencial ekonomik
Kryesisht kroçerat nuk shihen si fitimprurëse për sektorin e hotelerisë, ndërsa kritikët e konsiderojnë si një turizëm që prodhon pak të ardhura jashtë anijës, shoqëruar me ndotje të lartë gjatë lundrimit – por nga ana tjetër zinxhiri i turizmit vendas duket se mund të përfitojë prej tij.
“Mendoj që duhet parë në një këndvështrim tjetër sepse ardhja e një kroçere me 1 mijë persona siguron të paktën në kohë të mirë zbritjen nga 60 deri në 70% të personave, të cilët kanë nevojë për autobusë, guida shoqërurese dhe këto përkthehen në të ardhura”, shpjegoi konsulentja në fushën e turizmit, Brunilda Liçaj.
Po kështu sipas saj edhe restorantet në të cilat vizitorët drekojnë, dyqanet e ndryshme në të cilat turistët blejnë gjatë lëvizjes në qytet, ndonjëherë edhe taksitë apo elementët e tjerë janë të ardhurat e krijuara nga kjo formë turizmi.

Për shtimin e të ardhurave në fushën e turizmit nga vizitorët e kroçerave e shohin me optimizëm edhe guidat lokale që i shërbejnë gjatë tureve në qytetet ikonike të trashëgimisë kulturore.
“Turistët e kroçerave edhe pse qëndrojnë për një kohë të shkurtër, sjellin një numër të madh njerëzish, por jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi”, shpjegoi Isuf Braho, guidë lokale në Berat. Sipas tij turistët e kroçerave janë kryesisht nga SHBA-ja, Kanadaja, Zelanda e Re, Australia dhe kontinente të largëta.
Braho që ofron dhe shërbimin e suvenirere në një dyqan që ndodhet në rrugën drejt kalasë së qytetit, shtoi se vizitorët e kroçerave janë blerësit që shpenzojnë më shumë se vizitorët e tjerë.
“Turistët e kroçerave janë shumë të interesuar për blerjen e suvenireve dhe zakonisht shpenzojnë 2–3 herë më shumë se klientët e tjerë”, shtoi Braho.
Marta Abbà, një gazetare investigative dhe fizikane nga Italia, vlerëson se të ardhurat që vijnë nga aktiviteti i kroçerave janë shpresëdhënëse për komunitetet lokale, por nga ana tjetër duhen konsideruar edhe pasojat mjedisore.
“Në vitin 2023 u regjistruan mbi 13 milionë pasagjerë në portet italiane, me pritshmëri rritjeje në 2024 dhe më tej në Adriatik (përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi). Për këtë po bëhen investime miliardëshe në terminale, marina dhe infrastrukturë, por ky zhvillim po ndodh shumë shpejt dhe pa një plan të qartë integrues për ndikimet lokale”, shpjegoi ajo në një raportim që ndau me Amforën.
“Anijet e lundrimit prodhojnë sasi të larta të dioksidit të karbonit dhe ndotje me sulfaturë që ndikojnë në acidifikimin e detit dhe shkatërrimin e ekosistemeve detare. Këto ndikime janë serioze dhe shihen si një problem i madh nga ekspertët, por investimet dhe zhvillimi vazhdojnë pa masa efektive mbrojtëse”, shtoi ajo.
Ndërsa në Shqipëri Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shpjegoi se, “Nëse vendi ynë përfshihet në hartën e kroçerave, është e nevojshme që të ndërmerren dhe zhvillohen disa masa të qëndrueshme dhe efektive për të mbrojtur mjedisin, për të kryer një menaxhim sa më efiçent për turizmin dhe për t’u siguruar që autoritetet vendase të përfitojnë nga ardhja e turistëve dhe nga turizmi i kroçerave”.
Të ardhurat e drejtpërdrejta të matshme nga ky lloj turizmi në vendin tonë janë të përqendruara në shërbimin që marrin për disa orë qëndrimi në portet e vendit, ku paguhet vetëm tarifa për kalatë/vendakostim dhe kjo në varësi të gjatësisë së kroçerës, si edhe një tarifë për gadishmërinë e automjetit zjarrfikës.
“Në librin e tarifave të Autoritet Portual Durrës, nuk ka asnjë tarifë në lidhje me furnizimin me karburant të kroçerave që mbërrijnë në Portin e Durrësit. E vetmja tarifë që aplikohet është tarifa e gadishmerisë së mjetit zjarrfikës, 10.000 lekë për orë”, bëri me dije Autoriteti Portual Durrës.
Ngjashëm edhe Porti i Sarandës bëri me dije se kroçerat paguajnë vetëm tarifën për zënien e kalatës, nëpërmjet Agjentit Detar.
“Vlera e saj është sipas vëllimit të mjeteve, 0.7 euro kur kryet aktivitet tregtar, përpunimi i pasagjerëve. Kur trageti kërkon që qëndrojë pas veprimit tregtar, tarifa për zënien e kalatës është në bazë të gjatësisë 3 euro për metër linear në 24 orë apo pjesë të saj”, shpjegoi zyrtarisht Porti i Sarandës.
Teksa Shqipëria vlerësohet për potencialin gjeostrategjik, kulturor dhe natyror, turizmi i korçerave mbetet një mundësi zhvillimi që kërkon investime dhe masa për përfitimin e porteve vendase, komuniteteve lokale dhe mbrojtjen e mjedisit.