Tragjedi të rreme për klikime, trend lajmesh për “vdekjen” e personave publikë

Postime me tituj tronditës që shpallin vdekje apo tragjedi të personave publikë po qarkullojnë gjithnjë e më shpesh në rrjetet sociale për të tërhequr klikime. Ekspertët paralajmërojnë se këto lajme manipulojnë emocionet e publikut dhe dëmtojnë besimin tek informacioni i besueshëm.

Më 11 dhjetor 2025, në faqen “lifestories99.com” u publikua një artikull me titull dramatik që pretendonte se aktori Agron Llakaj kishte tentuar vetëvrasjen pas mungesës së gruas, një përmbajtje që më pas u shpërnda edhe në rrjetet sociale për të tërhequr klikime dhe trafik në internet.

“TRAGJEDI! Agron Llaka tenton vetëvrasjen pas mungesës së gruas (Historinë e plotë shihni më poshtë)”, shkruante postimi, i cili më pas u shpërnda në qindra faqe të tjera në internet, duke marrë mijëra klikime dhe komente.

Ky nuk mbeti një rast i izoluar. Nga kërkimet në burime të hapura, Media Amfora gjeti edhe dhjetëra raste të tjera të ngjashme ku në rrjetet sociale publikohen tituj manipulues për vdekje apo tragjedi të personave publikë, ose rikthehen histori të ndjeshme për publikun për të tërhequr vëmendjen dhe për të nxitur klikime.

Në disa prej këtyre publikimeve përdoren kolazhe fotosh dhe tituj dramatikë që pretendojnë vdekje apo ngjarje tronditëse, ndërsa përdoruesit ftohen të klikojnë për të lexuar “historinë e plotë”, duke u drejtuar drejt faqeve të panjohura në internet.

Publikime të tilla janë pjesë e një modeli të përsëritur në rrjetet sociale, ku tituj dramatikë dhe informacione të pavërteta përdoren për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të gjeneruar klikime.

“Faqe të ndryshme në rrjetet sociale dhe portale mashtruese kanë publikuar informacione të rreme mbi ‘vdekjen’ e personave të njohur ose kanë risjellë histori të ndjeshme për publikun, duke manipuluar audiencën online”, tha Ilda Hoxha, gazetare, për Median Amfora.

Por përhapja e tyre nuk lidhet vetëm me faqet që i publikojnë, por edhe me mënyrën se si reagojnë dhe i shpërndajnë përdoruesit në rrjetet sociale.

“Është parë se përmbajtjet që ngjallin emocione të forta si keqardhje, zemërim apo trishtim janë ndër më të shpërndarat në rrjetet sociale”, tha Entela Binjaku, sociologe.

Shumë prej këtyre publikimeve përqendrohen në histori që lidhen me fatkeqësi apo me ngjarje të ndjeshme për publikun, duke rikthyer raste që edhe pas vitesh vazhdojnë të shkaktojnë reagime të forta emocionale.

Në disa raste, në rrjetet sociale janë rikthyer edhe histori të vjetra të personave të zhdukur, si ajo e Bleona Matës, vajzës që u zhduk në vitin 2010 në fshatin Zapod të Kukësit. Publikime të tilla shoqërohen me tituj dramatikë që pretendojnë se vajza është gjetur ose se janë zbuluar “detaje të reja”, duke nxitur reagime dhe shpërndarje të shumta në rrjetet sociale.

Shfrytëzimi i fatkeqësive apo i historive që kanë tronditur opinionin publik nuk është rastësor. Përmbajtje të tilla synojnë të tërheqin vëmendjen e publikut përmes titujve dramatikë dhe historive që ngjallin reagime të forta emocionale.

“Ky fenomen nuk është i ri dhe ka si qëllim kryesor tërheqjen e klikimeve dhe përfitimet përmes titujve manipulues dhe informacioneve të pavërteta”, shpjegoi Hoxha.

Sipas sociologëve, reagimi i menjëhershëm emocional është një nga arsyet kryesore pse këto publikime përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale. Sipas Binjakut, përmbajtjet që ngjallin emocione të forta si trishtimi apo zemërimi kanë më shumë gjasa të shpërndahen në rrjetet sociale.

 Të shkruara me fjalë të përzgjedhura që ngjallin kureshtje për klikime dhe të shoqëruara me fotografi të personazheve të përfshirë në lajm, këto postime ndikojnë drejtpërdrejt në reagimin emocional të publikut dhe rrisin gjasat që ato të shpërndahen me shpejtësi në rrjetet sociale.

Më 11 dhjetor 2025, në faqen “zyrtare.press” u publikua një artikull që njoftonte në mënyrë të rreme vdekjen e gazetarit Enkel Demi, një tjetër shembull i përmbajtjeve mashtruese që përdorin tituj dramatikë dhe fotografi të personazheve publikë për të tërhequr klikime dhe për të nxitur shpërndarje në rrjetet sociale.

Përhapja e lajmeve të rreme që lidhen me vdekje apo tragjedi të personave publikë nuk ndikon vetëm në informacionin që qarkullon në internet, por edhe në mënyrën se si publiku e percepton dhe e beson atë. Tituj të tillë krijojnë reagime të forta emocionale, përhapin panik dhe shpesh dëmtojnë reputacionin e personave të përfshirë në këto publikime.

“Kur njerëzit mësojnë se këto lajme janë të pavërteta, shpesh përjetojnë zhgënjim dhe ndihen të vënë në lojë për besimin që kanë dhënë”, tha Binjaku.

Sipas saj, përhapja e vazhdueshme e këtyre publikimeve mund të ndikojë edhe në besimin e publikut ndaj mediave dhe informacionit që qarkullon në internet.

Ndikimi dhe dëmi i lajmeve të rreme

Përhapja e lajmeve të rreme që lidhen me vdekje apo tragjedi të personave publikë nuk ndikon vetëm në informacionin që qarkullon online, por edhe në besimin që publiku ka ndaj mediave dhe gazetarisë.

“Lajmet e rreme nuk janë thjesht informacione të pavërteta. Ato shkaktojnë dëme reale. Para së gjithash, i bëjnë njerëzit të humbasin besimin te mediat dhe te gazetarët, sepse bëhet e vështirë të dallosh çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo”, shpjegoi gazetarja Ilda Hoxha.

Sipas saj, përhapja e shpejtë e këtyre publikimeve në rrjetet sociale bën që informacioni i pavërtetë të marrë më shumë hapësirë se lajmet e verifikuara, duke krijuar konfuzion dhe duke dëmtuar edhe personat që përmenden në këto publikime.

“Kur në këto lajme përdoren emra apo foto të personave publikë, shpesh shoqërohen me sulme dhe gjuhë urrejtjeje. Në fund, nuk dëmtohet vetëm imazhi i dikujt, por edhe familjet e tyre dhe vetë shoqëria, sepse krijohet një klimë mosbesimi dhe pasigurie”, tha Hoxha.

Përveç ndikimit emocional, përhapja e vazhdueshme e këtyre publikimeve mund të ndikojë edhe në mënyrën se si publiku e percepton informacionin dhe beson te media.

“Lajmet e rreme ulin besimin tek media dhe rreziku është që me kalimin e kohës njerëzit të mos arrijnë më të dallojnë informacionet e sakta nga ato të rreme”, tha sociologia Entela Binjaku.

Kush mban përgjegjësi për përhapjen e dezinformimit

Përhapja e këtij fenomeni nuk lidhet vetëm me faqet që publikojnë përmbajtje mashtruese, por edhe me mënyrën se si reagojnë dhe i shpërndajnë përdoruesit në rrjetet sociale.

“Audienca online ka një pjesë të përgjegjësisë, sepse shpesh merr vetëm titullin e lajmit si të vërtetë dhe e shpërndan pa e lexuar dhe pa e verifikuar”, shpjegoi Hoxha.

Megjithatë, sipas saj, përgjegjësi mbajnë edhe platformat dhe vetë mediat që nuk respektojnë standardet profesionale.

“Platformat dhe rrjetet sociale nuk ofrojnë mekanizma të mjaftueshëm kontrolli për përmbajtjet mashtruese, ndërsa mediat që ripublikojnë informacion të pavërtetë kontribuojnë gjithashtu në përhapjen e dezinformatave”, theksoi Hoxha.

Sipas sociologes, mënyra se si njerëzit përdorin informacionin që qarkullon në internet është thelbësore për të shmangur përhapjen e dezinformimit.

“Përdorimi i saktë i mjeteve që teknologjia vë në dispozicion është shumë i rëndësishëm për të ndërtuar opinionet dhe qëndrimet tona personale në mënyrë të ndërgjegjshme”, tha Binjaku.

Sipas saj, publikime të tilla nuk shpërndahen vetëm nga një faqe, por ripublikohen shpesh nga disa profile dhe faqe të ndryshme në rrjetet sociale, duke rritur shpejt përhapjen e tyre dhe numrin e klikimeve.

Faqe të tilla përdorin shpesh kolazhe fotografish apo imazhe të gjeneruara artificialisht për të rritur besueshmërinë e lajmit dhe për të tërhequr më shumë klikime. Në disa raste, ato përpiqen të imitojnë edhe pamjen e mediave të njohura për të krijuar përshtypjen e një burimi të besueshëm.

“Në disa raste këto faqe janë kopje të mediave të njohura dhe përdoruesit mashtrohen duke menduar se bëhet fjalë për burime reale lajmesh”, shpjegoi Hoxha.

Kjo mënyrë e manipulimit të informacionit, sipas sociologëve, mund të ketë pasoja edhe më të gjera për mënyrën se si shoqëria e percepton dhe i beson informacionit që qarkullon në internet.

“Rreziku është që me kalimin e kohës njerëzit të mos arrijnë më të dallojnë informacionet e sakta nga ato të rreme”, tha sociologia Entela Binjaku.

Përhapja e lajmeve të rreme që shpallin vdekje apo tragjedi të personave publikë tregon se si dezinformimi mund të shfrytëzojë emocionet për të tërhequr vëmendje dhe klikime në rrjetet sociale. Në një hapësirë në internet ku informacioni qarkullon me shpejtësi, sfida mbetet jo vetëm ndalimi i këtyre publikimeve, por edhe ruajtja e besimit të publikut tek informacioni i verifikuar.