Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA si momenti i fillimit të rendit të ri botëror

Strategjia parashtron një Amerikë që fokusohet ngushtësisht në interesin e saj kombëtar, duke u distancuar nga roli tradicional i paqeruajtësit global dhe nga misioni për të promovuar vlera liberal-demokratike në botë.

Presidenti Donald Trump ka publikuar së fundmi dokumentin e “Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA”, në të cilin detajohet pozicionimi strategjik i superfuqisë botërore ndaj aleatëve, kundërshtarëve dhe pjesës tjetër të globit. 

Mbi strategjinë

Strategjia, e përbërë nga 33 faqe, nis me një parathënie nga Presidenti Trump dhe vijon me shpjegimin e interesave strategjike, prioriteteve dhe parimeve doktrinare të administratës së tij. Ajo niset nga ideja se për shumë vite, elitat e politikës së jashtme amerikane kanë besuar se një botë e dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i shërben interesave strategjike të vendit. Sipas Trump, kjo qasje liberale, e ndërtuar përmes tregtisë së lirë dhe institucioneve ndërkombëtare, ka dëmtuar klasën e mesme dhe bazën industriale amerikane. Presidenti kritikon gjithashtu përpjekjet e entiteteve ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara për të kufizuar sovranitetin kombëtar nëpërmjet iniciativave globale.

Strategjia përshkruan interesat kryesore të SHBA nën presidencën Trump, që përfshijnë ruajtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës Kushtetuese të SHBA, mbrojtjen e të drejtave të dhëna nga Zoti, sigurimin e kufijve dhe sistemit të emigracionit, ruajtjen e dominancës ushtarake, forcimin e ekonomisë kombëtare dhe ringjalljen e bazës industriale amerikane. Po ashtu, dokumenti synon restaurimin e shpirtit, kulturës dhe historisë kombëtare amerikane.

Dokumenti thekson ndjekjen e “Doktrinës Monroe“, duke synuar kontrollin e plotë të Hemisferës Perëndimore si mënyrë për të mbrojtur Amerikën nga narkoterrorizmi, emigracioni i paligjshëm dhe ndikimet e huaja malinje, përfshirë ato kineze e ruse. Një pjesë e rëndësishme e strategjisë fokusohet në ruajtjen e paqes në rajonin indo-paqësor si parakusht për sigurinë ekonomike globale, si dhe në parandalimin e kontrollit të burimeve të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme nga aktorë armiqësorë. Trump gjithashtu shpreh mbështetje për Evropën në mbrojtjen e identitetit dhe qytetërimit evropian, duke kritikuar elitat liberale që, sipas tij, kanë çuar në censurë, shtypje politike dhe humbje të identiteteve kombëtare.

Doktrina diplomatike e SHBA, sipas këtij dokumenti, mbështetet në disa parime të reja, ndër të cilat spikasin përcaktimi më i qartë i interesit kombëtar, paqja përmes forcës, mosndërhyrja, respekti për sovranitetin, realizmi fleksibël, drejtësia tregtare dhe meritokracia. Presidenti Trump argumenton se pas Luftës së Ftohtë interesi kombëtar është interpretuar gjerë, duke çuar në ndërhyrje të panevojshme në konflikte që nuk i shërbejnë SHBA. Ai synon ta përkufizojë më ngushtë interesin kombëtar, duke shmangur përfshirjet pa përfitim të drejtpërdrejtë për vendin.

Doktrina e “paqes përmes forcës”, e njohur që nga koha e Presidentit Reagan, ripërtërihet në këtë strategji si mënyra më e mirë për të shmangur konfliktet: një Amerikë e fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht është garanci për paqe. Një tjetër element thelbësor është predispozita ndaj mosndërhyrjes, e cila mbështetet mbi idenë se, ashtu si individët, edhe shtetet gëzojnë sovranitet dhe dinjitet të dhënë nga Zoti.

Ky model sovranist i marrëdhënieve ndërkombëtare ndërthuret me parimin e realizmit fleksibël, sipas të cilit Amerika pranon realitetet politike dhe kulturore të vendeve të tjera dhe nuk përpiqet t’u imponojë atyre vlera demokratike e liberale. Sipas Presidentit, mbajtja e marrëdhënieve të mira me vende me sisteme të ndryshme politike e kulturore është më e dobishme për interesat amerikane sesa imponimi i ideologjive.

Strategjia thekson gjithashtu parimin e balancës së fuqive, një ide e shkollës realiste të mendimit politik, sipas të cilës stabiliteti rajonal sigurohet kur asnjë shtet nuk është më i fuqishëm se të tjerët. Në periudhën e Luftës së Ftohtë, kjo balancë kishte karakter bipolar midis SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Pas vitit 1990, Shtetet e Bashkuara u bënë hegjemon i një bote unipolare të dominuar nga vlerat e tregut të lirë dhe demokracisë, por sot bota po shkon drejt një rendi multipolar, ku fuqitë si Rusia, Kina, India dhe Turqia po fitojnë ndikim të ri. Administrata Trump e pranon këtë realitet të ri ndërkombëtar.

Presidenti Trump nënvizon se agjenda e tij gjeopolitike synon të fuqizojë punëtorin amerikan, i cili, sipas tij, është dëmtuar nga tregtia e lirë që ka lejuar largimin e kompanive drejt vendeve me kosto më të ulëta pune. Drejtësia përmendet në kontekstin e drejtësisë tregtare, e cila, sipas dokumentit, është vënë në pikëpyetje nga disbalancat tregtare dhe zhvendosjet industriale. Kjo është arsyeja pse tarifat ndaj produkteve të huaja paraqiten si mjet për të rivendosur ekuilibrin dhe për të mbrojtur ekonominë vendase.

Në fund, strategjia vë theksin tek merita dhe kompetenca si motorë të ringritjes shpirtërore dhe kulturore të Amerikës. Trump kritikon ideologjitë e majta që, sipas tij, kanë zëvendësuar meritën me kritere identitare racore, gjinore apo etnike, duke dëmtuar frymën meritokratike të shoqërisë amerikane.

Prioritetet dhe drejtimi i ri

Strategjia thekson disa prioritete për arritjen e objektivave kombëtare. Një ndër to është fundi i epokës së emigracionit masiv drejt SHBA dhe vendeve evropiane, për shkak të ndikimeve që emigracioni i pakontrolluar ka pasur në kriminalitet, dhunë, shpërndarje joefikase të burimeve, rënie të standardeve të jetesës dhe dobësim të kohezionit social. Një tjetër prioritet është mbrojtja e lirive themelore, veçanërisht e lirisë së shprehjes dhe besimit, përballë tendencave autoritare në disa vende evropiane që, sipas dokumentit, po kufizojnë zërin e qytetarëve në emër të korrektes politike.

Strategjia gjithashtu kërkon ndarjen e drejtë të përgjegjësive midis aleatëve të NATO-s për mbrojtjen e përbashkët, duke i rikujtuar vendeve anëtare kërkesën për të shpenzuar të paktën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen ushtarake. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është promovimi i paqes si instrument për ribashkimin dhe ndërmjetësimin e konflikteve, duke theksuar se përfitimet që qytetarët amerikanë marrin nga zgjidhja e tyre janë të konsiderueshme.

Në fund, dokumenti vendos sigurinë ekonomike në qendër të sigurisë kombëtare. Ajo garantohet përmes balancave tregtare, ringjalljes industriale, forcimit të zinxhirëve të furnizimit, dominancës energjetike dhe ruajtjes së fuqisë së sektorit financiar amerikan.

Ndryshimi i kursit dhe pasojat globale

Shumë analistë e shohin strategjinë Trump si një gur themelor në tranzicionin nga rendi liberal unipolar i tre dekadave të fundit drejt një rendi të ri botëror multipolar e më pak liberal. Në këtë rend të ri, SHBA heq dorë nga roli i saj si “polici i botës” dhe si promovuese e vlerave demokratike universale. Në vend të tyre, dokumenti vendos në qendër mbrojtjen e interesave strategjike të shteteve-komb dhe zhvendos rolin e institucioneve ndërkombëtare në funksion të ruajtjes së ekuilibrave të fuqisë midis aktorëve kryesorë.

Në këtë realitet të ri, bota rajonalizohet, me çdo fuqi të madhe që mban kontrollin mbi rajonin e vet, ndërsa ideali i tregtisë së lirë zëvendësohet nga masa proteksioniste për të mbrojtur industrinë dhe punëtorinë vendase. Kështu, strategjia e sigurisë kombëtare të SHBA-ve shënon një ndryshim rrënjësor nga epoka e globalizmit liberal drejt një rendi të bazuar mbi sovranitetin, forcën dhe interesin kombëtar.

Përshtatja e Shqipërisë me rendin e ri botëror

Në këtë rend të ri multipolar dhe më armiqësor ndaj shteteve të vogla, Shqipëria duhet të rrisë kapacitetet e saj ushtarake dhe të rindërtojë bazën e vet industriale. Një Shqipëri e aftë për prodhim dhe mbrojtje është një Shqipëri që mund t’i rezistojë sfidave të rendit të ri botëror.