Sfidat e gazetarëve lokalë në betejën me narrativat dezinformuese
Në Durrës gazetarët lokalë, aktivistët dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile u bashkuan për të analizuar sfidat e dezinformimit dhe presionin me të cilin përballen aktorët vendorë. Gjatë një trajnimi u theksua rëndësia e verifikimit të informacionit dhe u ofruan mjete konkrete për të rritur besueshmërinë gjatë raportimit.

Gjatë trajnimit të organizuar në Durrës. Foto: Media Amfora
Gazetarë lokalë, aktivistë, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe të fushës akademike në Durrës u mblodhën për të trajtuar sfidat e dezinformimit dhe rolin e tyre në forcimin e gazetarisë profesionale.
Aktiviteti u përqendrua në diskutimin mbi mjetet konkrete për verifikimin e informacionit, si edhe në ndarjen e përvojave të gazetarëve nga terreni, mbi presionet, mungesën e ekspertëve dhe ndikimet nga burimet e paverifikuara të informacionit.
Trajnimi me temë, “Forcimi i ambientit informativ në gazetarinë lokale, qëndresa ndaj dezinformimit”, bëri bashkë përfaqësues të mediave lokale dhe të Shoqërisë Civile, të cilët analizuan rastet më problematike të përhapjes së lajmeve të rreme, atyre të manipuluara, si edhe ndanë praktika për të rritur transparencën dhe besueshmërinë në raportim.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për më shumë mbështetje për median lokale, e cila shpesh mbetet jashtë vëmendjes në diskutimet për lirinë e fjalës dhe luftën kundër manipulimit të informacionit.
Gazetarja me përvojë në verifikimin e fakteve, znj. Ina Allkanjari, drejtoi trajnimin duke ndarë ekspertizën e saj të thelluar mbi sfidat e medias dhe dezinformimin. Përmes shembujve konkretë, ajo nxiti reflektimin dhe rriti vetëdijen profesionale të gazetarëve dhe aktivistëve.
Pjesëmarrësit ndanë përvoja reale mbi presionin politik në raportim, mungesën e burimeve për hetimin e ngjarjeve, por edhe sfidat që u shtohen nga përhapja virale e informacionit të rremë.
Në një kohë kur lajmi udhëton më shpejt se verifikimi dhe narrativat e rreme gjejnë terren pjellor në rrjetet sociale, sfida e dezinformimit po godet fort edhe nivelin e raportimit lokal në Shqipëri. Gazetarët dhe aktivistët lokalë janë shpesh të parët që përballen me presionin për të raportuar shpejt, pa mjete të mjaftueshme për verifikim dhe pa mbështetje institucionale për të mbrojtur integritetin profesional. Trajnimi synonte të mbështeste pikërisht ata – gazetarët që mbulojnë komunitetet, që përballen me ndikime të drejtpërdrejta nga pushteti vendor apo interesat lokale dhe që janë thelbësorë për ndërtimin e një mjedisi informativ të shëndetshëm.

Pjesëmarrësit që vinin edhe nga Shoqëria Civile u njohën me mjete praktike për të identifikuar dhe çmontuar dezinformimin, për të analizuar burimet e ndikimit të tij dhe për të ndërtuar rrëfime që forcojnë transparencën, llogaridhënien dhe besimin e publikut.
Ai është pjesë e një iniciative më të gjerë për të fuqizuar median në Shqipëri si një aktor kyç në mbrojtjen e interesit publik dhe në ndërtimin e një diskursi më të informuar kundër dezinformimit, ndërmarrë nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri, me mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe në partneritet me organizatat mediatike Amfora, Citizens Channel dhe më Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë.