Rrënojat e Kishës së Shën Markut, dëshmi e terrorit ndaj besimit 

Nën Kalanë e Vaut të Dejës, Kisha e Shën Markut qëndron si simbol i qëndresës së trashëgimisë kulturore shqiptare. E shkatërruar me dinamit gjatë fushatës ateiste të vitit 1967 dhe e ruajtur sot në formën e rrënojave të restauruara, ajo dëshmon mbijetesën e historisë dhe kujtesës përballë dhunës ideologjike, duke mbetur një nga dëshmitë më të veçanta të arkitekturës mesjetare në vend dhe e vetmja kishë e stilit gotik në Shqipëri.

E vendosur mbi një kodër shkëmbore në territorin e Vaut të Dejës, pranë Kalasë së Danjës, Kisha e Shën Markut dallohet që nga larg si një siluetë e qetë guri mbi peizazh. Pamja ajrore e shfaq të shkëputur nga zhurma e përditshme, të rrethuar nga hapësira e lirë dhe horizonti i gjerë.

Teksa afrohesh, rruga bëhet më e ngushtë dhe terreni më i ashpër. Muret masive prej guri shfaqen gradualisht, duke zbuluar një ndërtim të thjeshtë, por të qëndrueshëm. Nga jashtë, kisha ruan një pamje të përmbajtur, pa dekorime të dukshme, ku çdo gur duket se mban gjurmët e një historie të gjatë.

Pamja ballore e Kishës së Shën Markut. Foto: Media Amfora 

Në afërsi, dallohen qartë shtresëzimet e kohës: gurë të palatuar në pjesën e poshtme të mureve, blloqe të latuara më sipër dhe ndërhyrje restauruese që tregojnë faza të ndryshme ndërtimi. Hapësira përreth është e hapur, pa barriera, duke e bërë kishën pjesë të pandarë të peizazhit. Në hyrje, një panel informues paraqet pamjen e kishës siç ka qenë dikur, duke vendosur përballë vizitorit pamjen e saj të sotme dhe kujtesën historike të vendit.

Hyrja e Kishës së Shën Markut. Foto: Media Amfora 

Gjatë revolucionit kulturor ateist të vitit 1967, Kisha e Shën Markut u hodh në erë me dinamit dhe u braktis, si shumë objekte të tjera fetare në Shqipëri. Nga shpërthimi humbi çatinë dhe një pjesë të strukturës së saj, duke mbetur për dekada në gjendje rrënoje. Megjithatë, muret kryesore arritën të mbijetojnë, duke ruajtur gjurmët e një monumenti mesjetar që regjimi synoi ta zhdukte.

Fragmente dhe rrënoja arkitekturore të kishës. Foto: Media Amfora 

Në vitin 2011, rrënojat e Kishës së Shën Markut u restauruan dhe u konsoliduan për të ruajtur strukturën e mbijetuar dhe karakterin historik të monumentit. Ndërhyrja stabilizoi muret e vjetra dhe elementët arkitekturorë që kishin mbetur pas shkatërrimit, duke i dhënë objektit pamjen që ka sot. Falë këtij restaurimi, vendi u rikthye nga një rrënojë e braktisur në një monument kulture të vizitueshëm dhe sot është pjesë e itinerarit të trashëgimisë historike të zonës së Vaut të Dejës.

Kisha e Shën Markut në peizazhin e Vaut të Dejës. Foto: Media Amfora 

Sot, rrënojat e Kishës së Shën Markut, të shpallura Monument Kulture i Kategorisë së Parë, qëndrojnë si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe e kujtesës historike. Është një vend që nuk kërkon zë të lartë për t’u vënë re, por të fton të ndalosh, të shikosh dhe të lexosh historinë në gur. Kisha e Shën Markut është e vetmja kishë e stilit gotik e mbetur në Shqipëri, një vlerë unike e trashëgimisë kombëtare, e përfaqësuar simbolikisht edhe në kartëmonedhën shqiptare prej 10 000 lekësh.

Erjola Azizolli

Është gazetare në Median Amfora. Ajo ka një përvojë disavjeçare në gazetarinë shqiptare, duke punuar kryesisht në televizion, revista dhe media në internet. Është fokusuar në gazetarinë investigative për trashëgiminë kulturore dhe mjedisin. Gjithashtu raporton edhe për temat që lidhen me të drejtat e njeriut, gratë dhe grupet e margjinalizuara. Ajo dhe ekipi i Amforës është vlerësuar me Çmimin e Parë të Bashkimit Evropian për Gazetarinë Investigative në Shqipëri për vitin 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *