Rënia e ndikimit të Orbanit dhe e një modeli dezinformues në mediat rajonale

Një ditë pas zgjedhjeve në Hungari, ku kryeministri Viktor Orbán pësoi një humbje elektorale që sinjalizon dobësimin e modelit të tij politik, retorika e ndërtuar prej vitesh nga ai mbetet e pranishme në hapësirën mediatike evropiane, veçanërisht në Evropën Lindore dhe në mediat shqipfolëse, si një dëshmi e narrativave dezinformuese. Deklaratat e tij me tone alarmiste për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s u amplifikuan nga rrjete mediatike proqeveritare dhe platforma pro-ruse, duke u ricikluar shpesh pa verifikim dhe pa kontekst.

Një ditë pas zgjedhjeve në Hungari, ku kryeministri Viktor Orban pësoi një humbje që sinjalizon dobësimin e modelit të tij politik, retorika e ndërtuar prej vitesh prej tij qarkulloi dendur në hapësirën mediatike evropiane, duke gjetur shtrirje të gjerë kryesisht në vendet e Evropës Lindore.

Ndërsa liderët e Bashkimi Evropian kanë theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për “unitet”, “qetësi” dhe “kohë për reflektim”, pas zhvillimeve të fundit politike dhe sfidave të sigurisë në kontinent, deklaratat e Orban shpesh kanë ndjekur një linjë të kundërt, me tone alarmiste për rrezikun e luftës dhe zgjerimin e unionit. Këto qëndrime, të cilat bien ndesh edhe me qasjen e NATO-s mbi stabilitetin dhe sigurinë kolektive, arritën të amplifikoshin nga mediat pranë qeverisë hungareze dhe rrjetet me prirje pro-ruse. Pas disfatës së tij elektorale, narrativa të tilla kanë mbetur ende si dëshmi edhe në faqet e mediave shqipfolëse, që i përthithën shpesh pa filtrin e verifikimit dhe kontekstit të nevojshëm.

“Anëtarësimi i Ukrainës në BE dhe NATO do të sillte luftë në Europë”, ishte një nga pretendimet e Orbanit që u shfaq në ë fund të janarit 2026. Disa media shqiptare në internet e rikthyen narrativën e një lufte të mundshme në Evropë, duke i dhënë hapësirë një deklarate të kryeministrit hungarez Viktor Orban, të lëshuar në radion shtetërore hungareze “Kossuth”. Në artikuj citohej Orban: “Anëtarësimi i Ukrainës do të ishte një rrugë drejt luftës dhe shkatërrimit të tregut evropian”.

Lajmi u përhap më pas në mënyrë masive “copy-paste” në mediat në internet, nga ato me profil anonim, deri tek më të njohurat dhe ato që janë pjesë e rrjeteve televizive. Ajo u shfaq në formën e deklaratës, por pa kontekst shpjegues mbi pozicionin zyrtar të BE-së apo NATO-s mbi këtë çështje.

Deklarata të ngjashme të Orbanit mbi rrezikun e luftës nga anëtarësimi i Ukrainës kanë qarkulluar edhe më herët nga media në Shqipëri sipas një cikli të përsëritur sa herë që kishte zhvillime, vendimmarrje apo ngjarje që marrin vëmendje të shtuar të publikut.

Nga një kërkim empirik në internet rezulton se kjo narrativë është pasqyruar kryesisht nga media shtetërore hungareze dhe platformat pro-ruse, ndërsa mediat kryesore ndërkombëtare nuk i kanë dhënë vëmendje, ndryshe nga mediat e rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë.

Gazetarja dhe ekspertja e verifikimit të fakteve, Viola Keta, thekson se deklarata të tilla, me formulime të forta dhe ultimative, përhapen përmes rrjeteve amplifikuese me interes destabilizues.

“Si burim parësor i shpërndarjes, përveç mediave proqeveritare të aktorëve që artikulojnë deklaratën, janë edhe amplifikues të tjerë, që njihen si makineri propagandistike me interes përhapjen e panikut, destabilizimit dhe sidomos uljen e besimit të qytetarëve tek entitete si NATO dhe BE”, shpjegoi Keta.

Sipas saj, deklaratat e Orbanit ndërthurnin disa elementë të ndjeshëm në debatet globale.

“Përfshinin disa elemente që edhe sot janë në qendër të diskutimeve dhe vendimmarrjeve në nivel botëror. Ukraina, një vend në luftë, BE dhe NATO që përfaqësojnë entitete shumë të rëndësishme për qeverisjen, ruajtjen dhe mbarëvajtjen e unionit, ndërsa nga ana tjetër rreziku i luftës”, argumentoi ajo. 

Keta theksoi se Shqipëria, si vend kandidat për Bashkimin Evropian dhe me nivel të lartë besimi publik ndaj unionit, mbetet gjithësesi terren i ndjeshëm ndaj këtyre narrativave.

“Fakti që Shqipëria është një kandidate për hyrjen në BE, që besimi i qytetarëve në Shqipëri tek ky union është më i lartë se tek vetë qeveria shqiptare, si dhe fakti që ideja e përhapjes së luftës ndikon drejtpërdrejtë në interesin e qytetarëve, na bën edhe ne një tokë fertile për përhapjen dhe ndikimin nga këto lloj lajmesh”, theksoi Keta. 

Nga ana tjetër, drejtuesi ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, argumentoi se qëndrimet e Orbanit janë të izoluara dhe nuk cenojnë unitetin e BE-së. 

“Është një qëndrim në kundërshtim me pozicionin e BE-së, e disa herë ka bllokuar iniciativat evropiane ku kërkohet një vendim me unanimitet. Kryesisht është një qëndrim i izoluar nga vendet e tjera, pavarësisht se në disa raste ka pasur mbështetje nga disa vende të tjera kryesisht në kundërshtim të sanksioneve që prekin interesat e drejtpërdrejta të tyre”, theksoi Gjipali.

Sipas tij kundërshtimet ndaj anëtarësimit të Ukrainës lidhen më shumë me interesa ekonomike dhe politike.

“Rasti i Ukrainës është një rast i veçantë, pasi disa vende evropiane kanë interesa ekonomike e tregtare me Rusinë – të cilat janë prekur nga lufta. Kundërshtimi në këtë rast shihet me shumë në dritën e interesave ekonomike të momentit se sa nje kundërshtim në parim i procesit të zgjerimit, qëndrim i cili është më i theksuar tek disa forca politike ne Evropën Perëndimore”, argumentoi Gjipali.  

Sipas tij shpesh këto narrativa theksohen në fushatat elektorale që janë ngushtësisht të lidhura me politikën e brendshme të ditës. 

“Forcimi i krahëve ekstrem të politikës në vitet e fundit e ka sjellë më shpesh në debatin publik këtë retorikë”, nënvizoi eksperti. 

Sipas raportit të BIRN Shqipëri (Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative), në vitin 2024, të titulluar, “Shpërndarja e narrativave dezinformuese kundër NATO-s dhe BE-së nga aktorë kundërshtarë në median shqiptare”, përmbajtje të tilla përdoren për të krijuar frikë dhe për të dobësuar besimin e qytetarëve tek këto institucione.

“Pretendimet e pabazuara përhapen nga Rusia, e cila, deri tani, nuk ka treguar vullnet për arritjen e paqes dhe nga aktorë evropianë që mbështesin politikën e Rusisë”, thekson studimi i BIRN.

Më tej, raporti nënvizoi se, “Në të vërtetë anëtarësimi i një vendi si Ukraina në BE sjell përfitime ekonomike për të dyja palët. Ukraina do të përfitojë nga investimet, ndihma dhe tregtia e lirë që ofron BE-ja, ndërsa BE-ja do të përfitojë nga pasuria e burimeve dhe tregu i ri i konsumatorëve. Anëtarësimi i Ukrainës mund të rrisë stabilitetin në rajon, ndërkohë që BE-ja ka mekanizma për të mbështetur vendet që janë në zhvillim, duke siguruar që çdo krizë të mund të menaxhohet pa rrezikuar qëndrueshmërinë e unionit”. 

Gledis Gjipali, drejtues ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri nënvizioi narrativat e përhapuara niseshin nga premisat aktuale, që e shohin Ukrainën si një vend në luftë, e që rrjedhimisht nuk mund të anëtarësohet përpara një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. 

“Ky është një fakt i gjithëditur që një vend në luftë nuk mund të anëtarësohet dhe ky eshtë një proces i gjatë që do të kërkojë kohë”, theksoi eksperti. 

Pretendimi se anëtarësimi i Ukrainës në BE dhe NATO “do të sillte luftë në Europë” apo “luftën e tretë botërore” rezulton i pabazuar në fakte dhe lidhet me një narrativë më të hershme dezinformuese që synon të nxisë panik dhe përçarje në opinionin publik, si dhe ulje të besueshmërisë në entitete si NATO dhe Bashkimi Europian. Ai bazohej në një deklaratë politike individuale të një aktori që njihet për qëndrimet pro-ruse, kryeministri në largim Viktor Orbán dhe që u amplifikua kryesisht nga media shtetërore hungareze dhe platformat pro-Kremlinit. 

Largimi i tij nga pushteti pritet ta izolojë më tej këtë lloj diskursi, duke e zhvendosur nga një burim me peshë institucionale në një zë më periferik në debatin evropian. Në këtë kuptim, fenomeni që ai përfaqëson – përdorimi i retorikës alarmiste dhe narrativave të pavërtetuara – mbetet një shembull i mënyrës se si keqinformimi apo dezinformimi mund të depërtojë dhe të riciklohet në media, përfshirë edhe ato shqipfolëse, por pa pasur domosdoshmërisht mbështetje reale në politikat dhe qëndrimet zyrtare të aleatëve perëndimorë.