Rënia e monumenteve: Dhjetëra ura me status mbrojtjeje në rrezik

Shqipëria ka trashëguar dhjetëra ura si monumente kulture të kategorisë së parë – por një pjesë prej tyre i ka marrë lumi dhe të tjera rrezikojnë të shemben, duke shkaktuar vuajtje praktike dhe emocionale për komunitetet lokale.

Banorët e fshatit Orgockë në Bashkinë e Kolonjës zgjohen çdo ditë me sytë nga qielli, pasi ura që i lidh me fshatrat e tjerë është shembur. Në ditët me shi, prurjet në Osum e bëjnë lumin të pakalueshëm, ndërsa në mot të thatë, lumi kalohet vetëm me makina të larta.

‘’Ka qenë urë me 3 harqe. Njëra këmbë u shemb në vitin 1995 dhe është rindërtuar, është bërë me shina, kurse këmba tjetër u shemb në vitin 2018”, tregoi Mirsen Ajdini, banor i fshatit Kurtes.

E ndërtuar e gjitha në gur gjatë pushtimit osman, Ura e Orgockës është pjesë e Monumenteve të Kulturës të Kategorisë së Parë në Shqipëri, por statusi i mbrojtjes nuk e shpëtoi atë nga rrënimi. E ndodhur në rrugën që lidh Korçën me Përmetin, nëpërmjet Dangëllisë dhe me Skraparin përmes Çepanit, dëmtimi i urës ka sjellë gjithashtu izolimin e banorëve.

Ura mbi lumin Osum në afërsi të fshatit Orgockë nuk është monumenti i vetëm kulturor që është rrënuar.

Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se nga 82 ura të shpallura monumente kulture të kategorisë së parë në Shqipëri, vetëm 50 prej tyre i kanë mbijetuar kohës dhe vazhdojnë të përdoren nga komunitetet lokale, duke u konsideruar në gjendje të mirë.

Rreth 32 monumente të tjera ose 40 përqind e totalit konsiderohen në rrezik, pasi kanë pësuar dëmtime të rënda ose të pjesshme përgjatë viteve. Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, 11 prej këtyre urave konsiderohen aktualisht të dëmtuara dhe gjashtë të tjere janë rrënuar plotësisht dhe nuk ekziston asnjë gjurmë e tyre.

Grafikë informuese për gjendjen e urave monument kulture. Përpunoi: Media Amfora

Përgjatë dy dekadave, institucionet e kulturës dhe donatorë të tjerë kanë mundur të restaurojnë vetëm 35 ura të listës së monumenteve të kulturës, me një vlerë totale të shpenzuar prej 191 milionë lekësh ose 1.1 milionë euro.

Ndërsa shumë prej urave trashëgohen që nga periudha e mesjetës, mungesa e vëmendjes dhe e mirëmbajtjes së vazhdueshme i bën shumë prej këtyre monumenteve që të jenë në rrezik shembjeje.

Rrënimi i monumenteve

Shqipëria ka trashëguar nga jugu në veri një numër të konsiderueshëm urash historike, që gëzojnë statusin e mbrojtjes si monumente kulture të kategorisë së parë. Në krye të listës janë territoret e Drejtorive të Kulturës Gjirokastër dhe Vlorë, të cilat kanë secila nga 17 ura të shpallura monumente kulture.

Drejtoria e Korçës ka trashëguar 15 monumente të tilla, ajo e Tiranës 13, e Beratit 11 dhe e Shkodrës 9 monumente.

Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore thanë në përgjigje të kërkesave për të drejtë informimi se ndërsa kishin restauruar një pjesë prej urave, shumë të tjera ishin ende në rrezik dëmtimi apo shembjeje, të kërcënuara nga kushtet natyrore dhe ndërhyrjet e rralla të mirëmbajtjes.

Ura e Orgockës ka mbetur e fiksuar në imazhe në Muzeun Historik Ersekë. Foto: Media Amfora

Gjatë viteve të fundit si pasojë e kushteve atmosferike, vetëm në Tiranë janë dëmtuar tre ura monument kulture, siç janë “Ura kanal”, në fshatin Zall-Herr, Ura e Brarit dhe Ura e Kurçajt.  Në Qarkun e Beratit, një nga 11 urat e shpallura monumente kulture është shkatërruar totalisht gjatë trazirave të vitit 1997.

Territori i Drejtorisë së Kulturës Korçë ka 15 ura Monumente Kulture të Kategorisë së Parë dhe gati të gjithe po përballen me dëmtime si pasojë e kushteve atmosferike.

“Pak e shumë të gjitha urat, duke qenë nën ndikimin e kushteve atmosferike, rreshjeve dhe dëborës, në periudha të gjata kohore, pësojnë pak a shumë disa dëmtime të shtresës me kalldrëm, të këmbëve, degradime të fugatimeve, etj.”, shpjegoi MEKI – Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – në lidhje me gjendjen e urave të këtij qarku.

Edhe në Qarkun e Gjirokastrës, disa prej monumenteve të kulturës kanë nevojë urgjente për ndërhyrje.

“Ura e Zonjës sot është e papërdorshme, një nga këmbët mbështetëse është e dëmtuar. Pjesa tjetër si rezultat i largimit të rrjedhës së ujit në krahun e majtë nuk është më funksionale”, shpjegoi MEKI për gjendjen e këtij monumenti. Ndonëse, ka një projekt restaurimi të realizuar nga IKTK – Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore – i cili konsiston në ngritjen e këmbës dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ka ura, nuk dihet se kur do të vihet në zbatim.

Në këtë qark, një tjetër urë e njohur – ajo e Bënjës – ka gjithashtu nevojë për ndërhyrje.

“Ura e fshatit Bënjë si rezultat i gërryerjeve në njërën anë të saj të këmbës, ka nevojë për ndërhyrje urgjente”, tha institucioni.

Problemet shtrihen edhe në Qarkun e Vlorës dhe Shkodrës, ku ka nevoja të mëdha për ndërhyrje.

Ura e Bunës në Shkodër iu nënshtrua një ndërhyrjeje restauruese në vitin 2017, por gjendja e saj shfaqet ende mjaft e amortizuar. Ura e Bahçallëkut mbi Lumin Drin, është shembur pjesërisht për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

“Gjendja e saj aktuale është shumë e degraduar dhe e amortizuar. Ajo nuk përdoret më për shkak se në të ruhen vetëm disa elemente metalike, të cilat edhe ato përgjatë viteve janë vjedhur një pjesë e mirë, ndërsa ato që kanë mbetur janë të ndryshkura”, thuhet në përgjigje.

Ura e Mesit mbi Lumin Kir, e ndërtuar në shekullin XVIII nga Mehmet Pashë Bushati, është një nga urat më të mëdha të gurit të ruajtura në Shqipëri. Ajo është një urë me kurriz, e realizuar me mbi 13 harqe me përmasa hapësirash të ndryshme dhe me gjatësi 108 metra.

Për urën e Mesit ka aktualisht një projekt të ri restaurimi, por ai nuk është vënë ende në zbatim.

Ura që ndan  

Ura e Orgockës në Bashkinë e Kolonjës është gjithashtu një urë me kurriz dhe me tre qemerë, si edhe me një dritare gjysmërrethore. Ajo i përket brezit të urave të ndërtuara gjatë periudhës së pushtimit Osman, ndërmjet shekujve XV-XIX, në trevat e banuara nga shqiptarët. Si një prej urave të ndërtuara në këtë periudhë, ajo ka kompozime arkitektonike simetrike, që i japin një siluetë të hijshme.

Por pavarësisht vlerave historike dhe arkitektonike, ura nuk u mbajt dot në këmbë. Gjithashtu, dëmtimi i urës u kushton shtrenjtë banorëve të kësaj zone.

Ura e Orgockës përpara – Foto nga kartela e monumentit dhe pas shembjes – Foto: Media Amfora

Muharel Lumani, mësues historie në Ersekë, tha se ura ka një rëndësi të madhe për ta, jo vetëm funksionale, por edhe emocionale.

“Banorët e përdornin urën jo vetëm për pjesën e kalimit, por dhe për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, lëndën e parë ata e merrnin nga kjo urë dhe e kalonin në anën tjetër”, tha ai për Median Amfora.

Lumani mendon se ura i jep rëndësi zonës jo vetëm në aspektin e trashëgimisë kulturore, por edhe si një nyje e rëndësishme për fshatrat përreth.

“Në këtë urë lidhen 5 fshatra kryesore: Orgocka, Kurtesi, Qinami, Radovickë, por edhe zona e Frashërit të Përmetit”, shtoi ai, duke theksuar se rivënia e saj në punë do të ndikonte edhe në zhvillimin e turizmit.

Rozeta Ajdini, infermiere në fshatrat përreth Orgockës përmendi dëmtimin e urës si një nga problemet e shumta të profesionit të saj të vështirë.

“Kam pasur sfida, raste me të sëmurët që kemi kaluar lumin me makinat që ndodhen këtu, e kemi përballuar me frikë se si do të kalonim lumin”, tha ajo.

Infermierja kujtoi rastet më të vështira, që mund të kishin rezultuar fatale për jetën e pacientëve.

“Me barelë i kemi kaluar të sëmurët, me vështirësi. Ambulanca nuk e ka kaluar lumin, ne e kemi kaluar për në pjesën tjetër dhe ka ardhur helikopteri e ka marrë, sepse ambulanca nuk e kalonte dot lumin”, tha ajo.

Banorët e fshatit Kurtes kanë mbetur të izoluar pas shembjes së urës. Foto: Media Amfora

Dëmtimi i urës nuk e ka penalizuar Ajdinin vetëm profesionalisht, por edhe emocionalisht. Ajo tregon se në vigjilje të vitit të ri 2024, djali i saj që punon dhe jeton në Durrës, nuk arriti t’i bashkohej familjes për festa, pasi lumi ishte i pakalueshëm.

“…Ngeli në krahun tjetër të lumit. Nuk kaloi dot dhe ka ikur, unë e prisja në anën tjetër duke qarë dhe nuk kemi arritur që të takohemi”, kujtoi ajo.

Për autoritetet, Urës së Orgockës i nevojitet ringritja e pjesës së rrëzuar si dhe restaurimi.

“Është e domosdoshme që të bëhet lidhja e qarkullimit në të dy krahët e Lumit Osum, pasi kjo është ura e vetme në atë zone, për këtë arsye propozohet ringritja e pjesës së rrëzuar dhe restaurimi dhe konsolidimi i pjesës ekzistuese. Pajisja me sinjalistikën e duhur”, shpjegoi MEKI.

Urën e Ali Pashës e mori lumi

Përgjatë rrugës Hoshtevë – Çajup dhe Hoshtevë – Zagori, monumentin e njohur edhe si “Ura e Ali Pashës” e ka marrë lumi.

Ura e Hoshtevës ishte ndërtuar mbi Lumin e Zagorisë, i cili buron në Sheper, nga Mali i Dhëmbelit. Nëpër Hoshtevë kalonte rruga e karvaneve, që lidhte Gjirokastrën me Përmetin. Lidhur me kohën e ndërtimit, gojëdhënat tregojnë se Ali Pasha e ndërtoi Urën e Hoshtevës dhe të Nivanit si shpërblim ndaj popullit të Nivanit, që e strehoi në manastir dhe e mbrojti nga ushtarët turq.

Banorët tregojnë se rreshjet prishën fillimisht strukturën mbrojtëse, çka solli edhe rrënimin e saj, që zyrtarisht njihet edhe si “Ura e Gurit të Hoshtevës”. 

Paskal Nasi, kryetari i fshatit Hoshtevë, kujtoi me nostalgji se kishte mësuar nga të parët se ura ishte bërë nga Ali Pashë Tepelena dhe se në vitin 1964, asaj i ishte bërë një mbrojtje nga prurjet e lumit.

“Nuk e mbaj mend se në cilin vit, por ka rënë shumë shi, aq sa e prishi edhe mbrojtësen që kishin bërë”, tha Nasi.

Ai kujton se në vitin 1994 është bërë një investim nga ish-Komuna e Zagorisë, ndërsa më pas ndërhyrjet nuk e shpëtuan urën nga rreziku.

“Në vitin 2005, nga Monumentet e Kulturës është bërë një investim sepse filloi lumi që ta gërryente këmbën e djathtë të urës, nga ana e Hoshtevës. Por i bënë një veshje të këmbës së urës poshte, por nuk e bënë në thellësi, që të takonin bazamentin poshtë, çka bëri që sa të binin shirat ta gërryente lumi”, kujtoi Nasi.

Në vitin 2018, ura ra!

“Unë e kam parë urën kur ka rënë. Mendoj që ka qenë 4 shkurt, ra shumë shi në 24 orë dhe aq ishte ura”, kujtoi ai. 

Nasi tha se shembja e një pjese të urës ishte e paralajmëruar.

“Në dhjetor 2017 u njoftuan nga fshatarët Monumentet e Kulturës. Erdhi një inxhinier, bënë projektin, por meqë ishte dimër nuk mund të bënin punime. Inxhinieri që erdhi tha që ‘ura s’ka qeder’’, por si mund të qëndronte ura me një këmbë, ura është bërë me dy këmbë, jo me një.  Tani vetëm një pjesë ka mbetur nga ura, as nam, as nishan s’i ka mbetur”, tregoi më tej Nasi.

Ura e Hoshtevës përpara shembjes – Foto: Kristina Fidhi dhe pas shembjes – Foto: Media Amfora

Ndërhyrjet e kryera në urë për institucionin më të rëndësishëm të kulturës në vend, vlerësohen si jo profesioniste, ndaj janë bërë shkak për problemet në monument.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, MEKI, ndërhyrjet në këtë urë nuk kanë qenë profesionale dhe kanë sjellë dëmtimin e saj.

“Ura ka pësuar një ndërhyrje 2-3 vite më pare, duke u prekur parapeti dhe fundi i këmbës veriore. Të dyja këto ndërhyrje duket që nuk janë kryer nga profesionistë, pasi të dyja janë problematike në ditët e sotme”, shpjegohet në kartelën e monumentit, të cilin MEKI e vuri në dispozicion të Medias Amfora.

“Kështu, ndërhyrja në këmbën e urës në anën veriore, e cila supozohej të ndalonte degradimin e mëtejshëm të shkëmbit…rezulton jo efikase dhe e dalë jashtë funksionit”, shpjegohet më tej në kartelë. 

Vaso Polo – specialist nw Drejtorinw Rajonale tw Trashwgimisw Kulturore Gjirokastwr – e  vizitoi Urën e Hoshtevës një vit para rrëzimit dhe tha se ndjen keqardhje për rrënimin e saj.

“Hoshteva e ka pasur si simbol atë urë. Bukuria ishte e madhe, por ishte dhe urë lidhëse me Gjirokastrën, me Përmetin. Humbi lidhjen sepse u hapën rrugë të reja, por ka qenë urë lidhëse shpirtërore për njerëzit, që kalonin dhe jetonin”, tha ai.

Për Katerina Telon, një grua e kthyer në atdhe pas 17 viteve të kaluara në emigrim në Greqi, prishja e urës po dëmton edhe turizmin e zonës.


Katerina Telo dhe bashkëshorti duke pushuar pas aktiviteteve ditore, në shtëpinë pritëse për turistët. Foto: Media Amfora

“Fshati Hoshtevë u zgjodh për monumentet e kulturës. Kishim urën që nuk e kemi më, na duket sikur na ka ikur një pjesë e shpirtit dhe e fshatit”, përfundoi gruaja, që prej disa vitesh pret në banesën e saj turistët që vizitojnë rregullisht Zagorinë.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109