Ramazani dhe Kreshma: Tre komunitete në kohë agjërimi
Këtë javë, çelja e Ramazanit dhe fillimi i Kreshmës po ecin paralel duke vendosur në qendër agjërimin, reflektimin dhe kujdesin për tjetrin. Në një kohë sfidash dhe pasigurish, ky përkim rikujton se përtej dallimeve, vlerat që bashkojnë mbeten më të forta se çdo ndarje.
Xhamia e Beqarëve në qytetin Muze të Beratit. Foto: Media Amfora
Agimi i së enjtes e gjeti një pjesë të besimtarëve myslimanë të zgjuar para dritës së parë, në vaktin e syfyrit që shënon nisjen e Ramazanit, ndërkohë që në kishat katolike kishte nisur tashmë periudha e Kreshmës dhe më 23 të këtij muaji fillon edhe ajo e besimtarëve ortodoksë, duke bërë që këtë vit tre kohë të rëndësishme shpirtërore të ecin paralelisht në të njëjtën shoqëri dhe ta vendosin agjërimin e reflektimin në qendër të përditshmërisë.
“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta duke lutur Zotin e madhëruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe mirësi për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë”, u shpreh Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, me rastin e fillimit të Ramazanit.
Spahiu theksoi se ky muaj është një mundësi për përmirësim individual dhe kolektiv, për pastrim shpirtëror dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlera të shëndosha, duke shtuar se Ramazani fton në forcimin e solidaritetit, në ndihmë ndaj nevojtarëve dhe në kultivimin e unitetit, paqes dhe bashkëjetesës.
Në të njëjtat lagje ku xhamitë dhe kishat ndajnë hapësirën urbane, besimtarët hyjnë në një periudhë që, pavarësisht traditave të ndryshme, flet për përmbajtje, kthim tek vetja dhe solidaritet me tjetrin.
Edhe për besimtarët e krishterë, kjo është një periudhë e rëndësishme përgatitjeje për Pashkën. Në traditën e krishterë, kjo periudhë përjetohet si kohë përgatitjeje dhe reflektimi. Bernard Caruana, famullitar i Kishës së Shën Dominikut në Durrës dhe Vikar i Përgjithshëm i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, u shpreh se Kreshma zgjat 40 ditë dhe shërben si kohë përgatitjeje për festën e ringjalljes së Krishtit.

Sipas tij, ajo nuk është thjesht një traditë, por një rrugëtim pastrimi dhe reflektimi që fton çdo besimtar të ndalet, të dëgjojë Fjalën e Zotit dhe të ripërtërijë jetën e brendshme.
“Në mesazhin për Kreshmën 2026, Papa Leoni XIV kujton se kjo është koha për ta rivendosur Hyjin në qendër të jetës, për të dëgjuar jo vetëm Fjalën, por edhe zërin e të varfërve dhe atyre që vuajnë. Tre shtyllat e kësaj periudhe-lutja, agjërimi dhe bamirësia- mbeten thelbësore në këtë rrugëtim shpirtëror”, tha Caruana për Median Amfora.
Më 23 të këtij muaji nis edhe Kreshma për besimtarët ortodoksë. At Spiro Kostoli, klerik në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, tha për Median Amforën se “kjo periudhë është një mjet që i ndihmon besimtarët të përgatiten për festën e Pashkës dhe të ecin në një rrugëtim shpirtëror drejt Zotit dhe njëri-tjetrit, duke forcuar lidhjen me besimin dhe me komunitetin”.

Këtë vit, Viti i Ri Hënor, Ramazani dhe Kreshma kanë nisur pothuajse në të njëjtën kohë, një përkim i pazakontë për shkak të kalendarëve të ndryshëm që ndjekin. Në një periudhë kur shoqëritë përballen me pasiguri, tensione dhe sfida sociale, fakti që miliarda njerëz hyjnë njëkohësisht në kohë feste, agjërimi dhe reflektimi i jep këtij momenti një peshë të veçantë, duke rikthyer në vëmendje nevojën për qetësi, solidaritet dhe rikthim tek vlerat që bashkojnë.
Në një realitet ku xhamitë dhe kishat ndajnë të njëjtat lagje dhe ku komunitetet fetare kanë ndërtuar prej dekadash një kulturë respekti të ndërsjellë, përkimi i këtyre periudhave të agjërimit nuk është thjesht një rastësi kalendarike, por një moment që rikthen në vëmendje rëndësinë e bashkëjetesës dhe solidaritetit.
Ndërsa thirrja e ezanit dhe kambanat dëgjohen në distancë të shkurtër, besimtarët hyjnë në një periudhë që, ndonëse me rite të ndryshme, përcjell të njëjtin mesazh: përmbajtje, reflektim dhe kujdes për njerëzit në nevojë.