“Raketat e dezinformimit” shënjestrojnë kampin e muxhahedinëve në Manzë

Një valë dezinformimi ka përfshirë mediat shqipfolëse, duke përhapur pretendime të paverifikuara për një sulm të mundshëm iranian ndaj kampit të MEK në Manzë. Ndonëse pretendimet për një “goditje të pashmangshme” u shpërndanë masivisht, verifikimet dëshmuan mungesën totale të burimeve zyrtare që mbështesin këto skenare lufte.

Kampi Ashraf-3 në Manëz. Foto ilustruese nga Ali Safavi, Komiteti i Punëve të Jashtme, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI)

Operacioni ushtarak i SHBA-Izrael në Iran u pasua në mediat shqipfolëse nga një valë raportimesh sipas së cilave Irani po planifikon një goditje ushtarake ndaj kampit të Muxhahedinëve Iranianë (MEK) në Manzë të Durrësit.

Përmes titujve si, “Irani kërcënon Shqipërinë, synon të godasë MEK”, dhjetëra artikuj janë shpërndarë masivisht në rrjet, duke ju referuar dhe cituar në mënyrë të paqartë si burime informacioni “mediat e huaja”.

Janë më dhjetëra artikuj, video dhe postime nga Shqipëria në Kosovë, përfshirë edhe media, që paralajmërojnë skenarë lufte në territorin shqiptar, duke nxitur një gjendje të pashmangshme paniku tek publiku, si edhe duke ngritur pikëpyetje mbi vërtetësinë e këtyre pretendimeve.

Artikujt ndjellës përfshinin tituj si, “Mediat e huaja: Irani mund të sulmojë bazën e Muxhahedinëve në Shqipëri” dhe “Mediat e huaja: Irani mund të sulmojë bazën e Muxhahedinëve në Shqipëri”.

Armin Khameh, ekspert për median dhe komunikimin, i larguar nga Irani drejt Londrës për t’i shpëtuar regjimit të Ali Khamenei, pohoi për Median Amfora se këto pretendime nuk kanë bazë reale. Sipas tij, nuk ekziston asnjë raport i besueshëm apo i verifikuar në mënyrë të pavarur që të vërtetojë se Irani po planifikon një sulm ndaj bazës së MEK në Shqipëri.

“Deri më tani, pretendimet që qarkullojnë në mediat shqiptare duket se mbështeten kryesisht në burime sekondare ose në media me orientim politik, dhe jo në raportime ndërkombëtare të konsoliduara apo deklarata zyrtare”, shpjegoi ai.

Ky pretendim, që u përhap me shpejtësi në mediat shqipfolëse dhe rrjetet sociale, e ka zanafillën tek “Caliber“, një platformë informative në Azerbajxhan. Kjo media nuk konsiderohet një burim i besueshëm informacioni, pasi shpesh shërben si kanal për pasqyrimin e perspektivës zyrtare të qeverisë së Azerbajxhanit, duke lënë hapësirë për dyshime mbi objektivitetin e saj.

Megjithatë, ky lajm u mor i mirëqenë dhe u shndërrua në viral përmes metodës “copy-paste” (kopjo-ngjit), duke u publikuar në dhjetëra media online pa asnjë verifikim paraprak.

Ajo që bie në sy në të gjitha këto shkrime është mungesa e plotë e burimeve të besueshme. Ato mjaftohen duke iu referuar në mënyrë të paqartë “mediave të huaja” ose kanaleve anonime në Telegram, të njohura më herët si nën menaxhimin e hakerave iranianë, duke anashkaluar raportimet zyrtare të institucioneve të sigurisë apo shtypit ndërkombëtar që gëzon besueshmëri.

“Në terma strategjikë, MEK nuk renditet ndër prioritetet kryesore të sigurisë së qeverisë iraniane. Nga perspektiva e Teheranit, aktorë të tillë mund të monitorohen dhe kontrollohen, pa u përfshirë në një eskalim të rrezikshëm jashtë vendit”, argumentoi Armin Khameh, ekspert për median dhe komunikimin.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Ervin Karamuço, ekspert i kriminalistikës, i cili e vendos këtë valë dezinformimi në kornizën e një strategjie më të gjerë të Teheranit. Sipas tij, institucionet inteligjente dhe strukturat antiterror të Policisë së Shtetit kanë faktuar tashmë ekzistencën e celulave dhe individëve në Shqipëri, të cilët paguhen prej vitesh nga shërbimet iraniane për të mbjellë panik dhe terror përmes dezinformimit.

“Kjo është pjesë e një lufte hibride që zhvillohet prej kohësh,” shpjegoi Karamuço, duke shtuar se falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe amerikanë, veprimtaritë aktive të këtyre grupeve janë parandaluar.

Sipas ekspertit edhe raportimet e fundit kanë të njëjtën prapavijë, “Një media anonime, një portal anonim në Azerbajxhan që nxjerr një lajm të tillë, hipotetik, por fillimisht ky lajm u përçua në media nga persona të tjerë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme bëjnë të njëjtën punë”.

Duke analizuar situatën aktuale, eksperti i komunikimit, Armin Khameh, nënvizoi se aktualisht nuk ka prova të forta që vërtetojnë një kërcënim si ai që pasqyrohet në media. Ai shtoi se, “Këto pretendime duhet të trajtohen me kujdes derisa të konfirmohen nga burime zyrtare apo raportime ndërkombëtare të besueshme, pasi nuk përkojnë me informacionin publikisht të disponueshëm.”

Eksperti Ervin Karamuço shpjegoi se ndonëse teorikisht një goditje mund të imagjinohet, realizimi i saj është në limite teknike. Ai theksoi se sulmi me dronë është thuajse i pamundur, pasi mjetet fluturuese do të interceptoheshin menjëherë nga Flota e 6-të Amerikane në Mesdhe ose nga sistemet e fuqishme mbrojtëse të Turqisë.

“Problemi është te raketat supersonike, që janë deri në 2500 km distancë të drejtuara dhe që mund të godasin objektiva, por ne distancën e kemi diku tek 2500-3000 km, prandaj po them që jemi në limite. Problemi qëndron se siç janë këto sinjalizimet e fundit, disa prej këtyre raketave nuk janë hedhur nga Irani, ku ne kemi limite distance, por janë hedhur nga Libani. Dhe së fundmi këtë e ka kuptuar edhe vetë Izraeli, i cili sot ka futur trupat tokësore për të shkatërruar njëherë e mirë çdo lloj grupimi të Hezbollahut, i cili posedon nga këto raketa”, sqaroni Karamuço.

“Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit” (MEK) është një organizatë opozitare iraniane që prej vitit 2013 është vendosur në Shqipëri, pas një marrëveshjeje humanitare për zhvendosjen e anëtarëve të saj nga Iraku. Anëtarët e saj jetojnë në një kamp në zonën e Manzës, pranë Durrësit dhe konsiderohen kundërshtarë të qeverisë së Iranit, duke vepruar politikisht kundër regjimit aktual në Teheran.

Duke shkuar përtej anës teknike, eksperti Karamuço argumentoi se Irani nuk e ka pasur asnjëherë objektiv ushtarak Shqipërinë, pasi opozita e MEK-ut aktualisht nuk konsiderohet rrezik primar politik për regjimin e Teheranit. Sipas tij deklaratat alarmante janë thjesht “fake news”, pasi objektivat realë ushtarakë të Iranit mbeten bazat amerikane dhe ato të vendeve të Gjirit. Më tej ai theksoi se strukturat e shtetit shqiptar mbeten në gatishmëri të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me aleatët.

“Di që janë ndërmarrë takime nga ana e Presidentit me krerët e mbrojtjes dhe kemi kontaktuar me vendet e NATO-s, sidomos me Turqinë. Vigjilenca është pjesë e aleancës sonë, ku gjithë këtë unazë të sigurisë në rajonin tonë e kanë më së shumti SHBA-ja dhe Turqia”.

Deri më sot Irani është akuzuar për disa sulme kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, kur në vitin 2022 qeveria shqiptare deklaroi se Republika Islamike e Iranit ishte përgjegjëse për një sulm të madh kibernetik që goditi shërbimet shtetërore “online”, përfshirë portalin e-Albania. Si pasojë, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi diplomatët e tij nga Tirana.

Për ekspertin e komunikimit, Armin Khameh, prioriteti kryesor i qeverisë iraniane mbetet parandalimi i kryengritjeve popullore brenda vendit. Sipas tij, stabiliteti i brendshëm dhe siguria në rajonet kufitare, si ato kurde dhe baluçe, kanë përparësi absolute mbi përballjen me grupet opozitare në Evropë.

Khameh shtoi se ndonëse Irani ka treguar gatishmëri për operacione ndaj disidentëve jashtë vendit, një sulm i hapur në territorin shqiptar është i parealizueshëm.

“Një sulm i drejtpërdrejtë në Shqipëri do të kishte kosto të jashtëzakonshme diplomatike dhe strategjike, duke përfshirë përballjen direkte me një shtet anëtar të NATO-s. Një veprim i tillë do të ishte një eskalim madhor që nuk përputhet me llogaritjet e zakonshme të kostos dhe përfitimit të Iranit, përveçse në rastin e një zhvillimi krejtësisht të papritur”, argumentoi Khameh.

Në këto rrethana pretendimet e shpërndara nga dhjetëra media në internet mbi një sulm të mundshëm iranian në Shqipëri rezultojnë të jenë një alarm i pabazuar dhe produkt i dezinformimit të ricikluar.