“Procesi i Berlinit”, lëvizshmëria akademike mbetet në teori
Procesi i Berlinit deri më tani ka prodhuar marrëveshje të rëndësishme për lëvizshmërinë akademike dhe njohjen e kualifikimeve në Ballkanin Perëndimor, por realiteti në terren mbetet larg objektivave të synuar. Pengesat burokratike dhe zvarritja e zbatimit kanë vënë në pikëpyetje suksesin e këtij procesi.

Nënshkrimi i Marrëveshjes Rajonale për Njohje Reciproke të Kualifikimit Profesional, Tiranë, 16 Tetor 2023. Foto MIA - Agjencia për Media dhe Informim
I iniciuar në vitin 2021, “Procesi i Berlinit” është vlerësuar gjerësisht për rolin e tij në nxitjen e bashkëpunimit politik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për kontributin që ka dhënë në afrimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ky proces ka ndihmuar në ndërtimin e legjitimitetit institucional dhe ka mundësuar përfshirjen e vendeve të rajonit në iniciativa kyçe, si krijimi i Tregut të Përbashkët Rajonal dhe nënshkrimi i katër marrëveshjeve të rëndësishme për lehtësimin dhe lëvizshmërisë ndërkufitare.
Megjithëse Procesi i Berlinit ka promovuar përpjekjet për të rritur lëvizshmërinë brenda rajonit dhe ka mbështetur nënshkrimin e 3 marrëveshjeve në këtë fushë, zbatimi konkret i tyre mbetet ende larg pritshmërive. Kjo është veçanërisht e dukshme në çështjen e mobilitetit akademik, e cila ka qenë një nga objektivat kryesore të këtij procesi.
“Pjesa e nënshkrimit të marrëveshjes së Procesit të Berlinit është elementi më kryesor që mbetet në memorien e njerëzve sepse deri diku pas aktit ceremonial, pjesa praktike e implementimit të marrëveshjes lë për të dëshiruar”, shpjegoi Spiro Paço, doktor i shkencave juridike.
Lëvizshmëria rajonale, ende një premtim i Procesit të Berlinit
Procesi i Berlinit (PB) mbështeti fillimisht nënshkrimin e 3 marrëveshjeve të lidhura me lëvizshmërinë në vitin 2022 dhe që ishin liria e lëvizjes me kartat e identitetit, njohja e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohja e kualifikimeve profesionale për degët e mjekësisë, dentistët dhe arkitektët. Ndërsa në vitin 2023, në Samitin e Tiranës, qeveritë nënshkruan një marrëveshje të katërt po në lidhje me lëvizshmërinë, mbi njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, kirurgëve veterinarë, farmacistëve dhe mamive.
Sipas ekspertëve të fushës këto marrëveshje kanë gjeneruar një moment pozitiv për avancimin e lëvizshmërisë së kapitalit njerëzor në vendet e rajonit, por sfidë mbetet zbatimi i tyre.
“Ajo që mbetet është sfida në lidhje me ratifikimin dhe monitorimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve të arritura nga vendet e Ballkanit Perëndimor”, analizohet në studimin me titull, “Nga angazhimi në zbatim: Zhbllokimi i potencialit të kërkimit dhe inovacionit të drejtuar nga lëvizshmëria për të mundësuar qarkullimin e trurit në (BP)”, përgatitur nga Alba Brojka, analiste e politikave digjitale.
“Marrëveshja për lirinë e lëvizjes me karta identiteti, padyshim më me ndikim, me potencialin për të transformuar lëvizshmërinë për të gjithë qytetarët në (BP), është ende në pritje të ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina”, shtoi studimi i përgatitur për “Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)”.
Shumica e problematikave sipas pedagogut Spiro Paço vijnë si pasojë e mungesës së zbatimit të shumë prej elementeve që përfshinin marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, që kërkojnë gjithmonë shoqërimin me hapa praktikë.
“Një nga elementët kryesore të marrëveshjes është njohja e kualifikimeve. Ne dimë raste pa fund studentësh që kanë studiuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë ardhur në Shqipëri për njohjen e kualifikimit ose qytetarë të këtyre vendeve, që për arsye pune iu duhet të njohin diplomën në Shqipëri, të cilët thonë se procedurat zgjasin jo me muaj, por me vite, ndërkohë që sipas marrëveshjes së arritur në këtë kuadër procedura është vetëm 35 ditë, por kjo nuk po ndodh në realitet”, shtoi Paço, njëkohësisht pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Gjithashtu ai vetë e ka testuar njohjen e diplomës së studimeve jashtë vendit dhe sipas tij një qytetari shqiptar nuk i është bërë më e lehtë njohja e diplomës nga vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe e anasjelltas.
“Marr rastin personal, kur kam kërkuar njohjen e diplomës time procedura ka vijuar me vite sepse ishte super burokatike. Këto burokraci vendet evropiane i kanë shmangur prej vitesh”, ndaj marrëveshja e arritur në kuadër të Procesit të Berlinit për këtë objektiv nuk ka gjetur zbatim”, shtoi Paço.
Megjithëse që nga momenti i nisjes së rrugëtimit të procesit më 28 gusht të vitit 2014, me një samit të mbajtur në Berlin, prej nga mori edhe emrin, nën kujdesin e Gjermanisë dhe kancelares Angela Merkel, deri në vitin 2025 janë nënshkruar disa marrëveshje dhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse kanë dalë me deklarata pompoze. Por sipas ekspertëve këto marrëveshje ende nuk po arrijnë që të adresojnë pengesat indirekte të lidhura me lëvizshmërinë.
“Dy marrëveshjet, të cilat kanë të bëjnë me profesione specifike, kanë potencialin të inkurajojnë lëvizshmërinë brenda sektorëve specifik, por vetëm një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2022 është ratifikuar nga të gjitha vendet e BP-së”, gjeti studiuesja Alba Brojka në raportin e përgatitur.
“Ekspertët kanë tërhequr vëmendjen se këto marrëveshje – dhe Procesi i Berlinit në përgjithësi – nuk arrijnë të adresojnë pengesat indirekte ndaj lëvizshmërisë”, shtoi raporti Brojkës, për Qendrën e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim (SCiDEV), i cili përfaqëson një vazhdimësi të përpjekjeve strategjike të organizatës për të përmirësuar kërkimin dhe inovacionin e orientuar drejt lëvizshmërisë në Ballkanin Perëndimor (WB6), si një rrugë drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe konvergjencës me Bashkimin Evropian (BE).
Burokracia: Mur për marrëveshjet
Lëvizja e studentëve dhe studiuesve në Ballkanin Perëndimor mbetet sfidë edhe pse në marrëveshjen e Procesit të Berlinit vendet kanë rënë dakord për krijimin e lehtësirave që prej vitit 2022.
Xaira Shurdha, një tjetër eksperte që ka përgatitur raportin, “Masat e Politikave që Lidhen me Kërkimin dhe Inovacionin e drejtuar nga lëvizshmëria në planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor”, thekson se sipas kuadrit të Procesit të Berlinit qeveritë ranë dakord në vitin 2022 për njohjen reciproke të kualifikimeve akademike, duke shënuar një hap të rëndësishëm që pritet të lehtësojë gradualisht lëvizjen brenda Ballkanit Perëndimor të studiuesve dhe studentëve, por zbatimi në terren po përballet me vështirësi.
“Zbatimi mbetet i ngadaltë dhe pengesat administrative vazhdojnë, ekziston një angazhim i qartë për lëvizshmërinë si një katalizator për inovacionin”, konstaton raporti i përgatitur në kuadër të projektit, “Përmirësimi i kërkimit dhe inovacionit të drejtuar nga lëvizshmëria në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe përshtatje me Bashkimin Evropian”, udhëhequr nga ekspertët dhe ekipi i organizatës zbatuese të projektit, “SCiDEV”, si pjesë e iniciativës “Ignita”.
“Vendet angazhohen gjithashtu në Këshillin Evropian për Kërkime Bërthamore (CERN), si anëtarë të asociuar ose kontribues, në shkëmbimet shkencore dhe arsimore të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) dhe programe anëtarësimi si ‘CEEPUS’, një rrjet shkëmbimi universitar në Evropën Qendrore dhe Lindore”, shkruhet më tej në raport.
Një hap tjetër pozitiv për lëvizshmërinë në rajon vlerësohet ajo që njihet si Strategjia 2020 e Evropës Juglindore, e cila trajtoi lëvizshmërinë e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar, së bashku me standardizimin e kualifikimeve, por këto marrëveshje nuk kanë autoritet shqyrtimi apo zbatimi.
“Së fundmi udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor miratuan “Planin e Veprimit CRM 2025-2028”, duke pranuar se ai do të “ruante dhe zhvillonte kapitalin njerëzor (rajonal)”. Marrëveshja për Tregtinë e Lirë të Evropës Qendrore “CEFTA” dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal “RCC” shërbejnë gjithashtu si një njësi koordinimi për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në lidhje me lëvizshmërinë sipas Procesit të Berlinit, megjithëse ato nuk kanë autoritet shqyrtimi ose zbatimi.
Gjithashtu për elementin tjetër që lidhet me çështjen e punësimit të profesionistëve brenda vendeve të rajonit, bazuar në marrëveshjen e procesit sipas pedagogut Spiro Paço edhe kjo është një pikë që nuk është realizuar.
“Sipas marrëveshjes një qytetar i vendeve që kanë firmosur për marrëveshjen e Berlinit mund të punësohet në vendet e tjera pa pengesa. Por praktikisht qytetarët nga vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë të njëjtat detyrime që kanë qytetarët e tjerë nga vendet jashtë rajonit tonë”, shtoi Paço.
Nxjerrja e akteve nënligjore, që do të shërbenin si një mekanizën lehtësues vlerësohet se do t’i bënin këto marrëveshje të vlefshme dhe më të lehta për tu zbatuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë.