“Politika ende bastion i burrave”: Gratë e angazhuara përballen me sfida të shumëfishta në Shqipëri

Përmirësimet ligjore për një përfaqësim të barabartë gjinor në zgjedhje, ende nuk ja kanë bërë jetën profesionale më të lehtë vajzave dhe grave që janë pjesë e politikës në vendin tonë, qoftë atyre në nivel qëndror, por dhe atyre në nivel vendor. Ndonëse shoqëria civile po punon për të siguruar mbështetje të qëndrueshme ndaj vajzave dhe grave në politikë, vetë ato përballen me sfida shumë herë më të mëdha krahasuar me ato të djemve dhe burrave. Për ekspertët e fushës për të siguruar përfaqësim të barabartë në politikë, ka ende shumë për të bërë në një shoqëri që ka norma kulturore të rrënjosura jo mbështetëse ndaj grave dhe vajzave.

Votim në Kuvend. Foto: Kuvendi i Shqipërisë - "Facebook"

Elda Hoti, ishte vetëm 27 vjeçe kur ngjiti për herë të parë shkallët e Parlamentit Shqiptar si deputete.  Kanë kaluar gjashtë vite nga nisja e rrugëtimit të saj në jetën politike dhe Hoti, aktualisht deputete e Partisë Demoktarike për Qarkun e Lezhës në këtë mandat që është drejt fundit, i kujton ende me emocione. 

“Patjetër që ka qenë emocionuese, shumë. Angazhimi im në politikë ka qenë një proces që ka lindur nga dëshira për të kontribuar për vendin tim. Ka qenë një nxitje nga zona që unë përfaqësoj në parlament, ku kam marrë mbështetje shumë të madhe nga njerëzit që besojnë tek unë”, tha Elda Hoti për Median Amfora.  

Hoti kujton se familja ka qenë mbështetja e saj më e madhe, pa të cilën nuk do t’ja kishte dalë. 

“Familja ime ka qenë gjithmonë mbështetja më e madhe. Megjithëse është një rrugë e vështirë, ata gjithmonë kanë qenë aty për të më mbështetur dhe për të më motivuar që të vazhdoj, sidomos në momentet kur përballesh me sfida. Pa mbështetjen nga ata, ky angazhim do të ishte shumë më i vështirë”, rrëfeu Hoti.

Vajzat dhe gratë e përfaqësimit në të gjitha nivelet kanë aspiruar për tu bërë pjesë e jetës politike me synimin për të sjellë ndryshimin. 

Eriselda Sefa, që prej korrikut të vitit 2021 mban detyrën e Kryetares së Bashkisë së Lushnjës.  Rrugëtimin e saj në politikë e ka nisur që në adoleshencë, duke u angazhuar në forumet e Partisë Socialiste dhe shtysën për të vijuar e ka pasur nga bababi i saj. Fillimisht e ka mbështetur familja si vajzë dhe tani ajo që ka ka krijuar vetë si grua. 

“Nuk ishte shumë e thjeshtë për një vajzë  lindur dhe rritur në një mjedis rural, që të sfidonte stereotipet dhe të përballej edhe me paragjykimet, por mbështetja e familjes ishte e madhe dhe kjo gjë më stimulonte vazhdimisht që të ecja përpara”, kujtoi Eriselda Sefa rreth hapave të saj të para. 

Edhe për Teuta Muçogllava, këshilltare e Këshillit Bashkiak Berat, familja ka luajtur rolin kryesor mbështetës në jetën e saj politike vendore. 

“Isha 35 vjeçe kur nisa që të përfshihesha në politikën vendore. Një nënë e re që veç sektorit të arsimit provon dhe mandatin e këshilltares dhe padyshim ke shumë pikëpyetje. Por, me mbështetjen e të afërmëve, të cilët më rekomanduan që ta pranoj, përse mos të isha edhe unë,  pranova”, kujtoi Muçogllava.

Në tërësi përfshirja në politikë e vajzave dhe grave në vendin tonë vlerësohet si sfidë mjaft e madhe sipas ekspertëve të fushës. 

“Përfshirja e vajzave dhe grave në vendin tonë vazhdon të mbetet një sfidë e shumëfishtë për shkak të një sërë faktorësh që përfshijnë norma kulturore të rrënjosura, mungesën e mbështetjes strukturore dhe ekonomike, si edhe sfidat e përfaqësimit në vendimmarrje”, tha Mirela Arqimandriti, nga  Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim.   

Sfidat e vajzave dhe grave për tu angazhuar në politikë, krahasuar me ato të djemve dhe burrave janë më të mëdha. 

“Nuk është e lehtë të jesh grua dhe pjesë e politikës në Shqipëri, një fushë që ende shihet si bastion i burrave”, tha Elda Hoti. 

Sipas saj gratë shpesh përballen me paragjykime të theksuara dhe duhet të punojnë dyfish për të provuar aftësitë dhe meritat e tyre. 

Për kryebashkiaken Sefa situata në zonën e saj, më parë ka qenë e vështirë dhe një sfidë në shumë drejtime me terren të ashpër, me dominim të dukshëm të skenës politike edhe lokalisht nga burra, por ndonëse gjërat kanë ndryshuar, ka ende shumë për të bërë. 

“Patjetër që ka ende për të bërë në këtë aspekt, sidomos për angazhimin më të madh në vendimmarrje të vajzave dhe grave që vijnë nga zonat rurale, mirëpo panorama nuk është më ajo e shumë viteve më parë”, tha Sefa. 

Për këshilltaren Muçogllava përveç sloganit që gratë dëgjohen për barazinë gjinore, në këshilla zëri i tyre dëgjohet pak. 

“E  vërteta e hidhur është që zëri i gruas dëgjohet shumë pak, për të mos thënë që në këshillin bashkiak flasin një apo dy gra dhe pjesa tjetër nuk ka marrë fjalën asnjëherë për të diskutuar një problem, apo për të kundërshtuar një projekt vendim”, tha ajo. 

Për eksperten edhe pse janë bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të barazisë gjinore, gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me barriera sociale dhe institucionale që i vendosin në një pozitë më të pafavorshme krahasuar me burrat dhe djemtë. 

“Këto sfida përfshijnë stereotipet gjinore në tregun e punës, përballjen me diskriminimin e heshtur dhe një ndarje të padrejtë të përgjegjësive në familje”, shtoi ajo. 

Fushata elektorale mbetet një nga momentet më të vështira për tu përballuar nga vajzat dhe gratë në politikën shqiptare. 

Elda Hoti gjatë fjalës së saj në Kuvend. Foto: Kuvendi i Shqipërisë - "Facebook"
Elda Hoti gjatë fjalës së saj në Kuvend. Foto: Kuvendi i Shqipërisë – “Facebook”

“Po, për një grua apo vajzë, fushata elektorale mund të jetë më e vështirë se për një djalë apo burrë”, tha Elda Hoti. 

Sipas saj edhe pse fushata është sfidë në të gjitha drejtimet, vajzat dhe gratë tregojnë se janë shembull në atë që bëjnë. 

“Sfida mund të jetë më e madhe, por fuqia dhe përkushtimi që ato tregojnë janë gjithashtu një shembull frymëzues për të gjithë”, shtoi ajo. 

Eriselda Sefa, 42 vjeçe, nënë e një djali, bën gati dy dekada që kalon nga një fushatë në tjetrën.  E ndërsa tani siç thotë i është kthyer në një normalitet, por ka qenë padyshim e vështirë. 

“Dikur, në një terren shumë më të ashpër sesa sot, agresiv dhe paragjykues, nuk ishte e lehtë, por me mbështetjen e familjes biologjike dhe e miqve në familjen politike, gjërat janë bërë më të lehta”, tha ajo. 

Teuta Muçogllava tregon se fushata elektorale për vajzat dhe gratë është e vështirë, pasi si bashkëshorte, zonja shtëpie, nëna, ato e kanë të vështirë që t’i bëjnë të gjitha vetë. 

“Por, është një sfidë shumë e  madhe sepse ditë të veçanta kam qenë me dy ose tre orë gjumë sepse mbaroja pjesën familjare, që ditën tjetër të kisha mundësi për të lëvizur për të punuar, për të  bashkëpunuar me vazja dhe gra të tjera”, kujton ajo. 

Me përkushtimin që kërkon politika në çdo nivel dhe me barrën e shtëpisë mbi supe, vajzat dhe gratë janë në vështirësi të përmbushjes së detyrave shumë herë më shumë se djemtë dhe burrat. 

“Fëmijët duhet të qëndrojnë tek prindërit e mi sa herë që angazhimet kalojnë atë të një dite, tha deputetja Hoti, një mama e re që angazhimin në politikë tani e shikon si mision.

“Tani kam një ndjesi të madhe përgjegjësie sepse e di që jam në një pozicion ku mund të ndikoj dhe të kontribuoj dhe të jem një zë i fortë për njerëzit e zonës që përfaqësoj dhe jo vetëm”, shtoi ajo. 

Për kryetaren e bashkisë Sefa, angazhimi në fushata i ka marrë kohën dhe në rritjen e fëmijës jo me angazhimin që ajo do të donte. 

“Patjetër që angazhimi i madh ka pasur minuset e veta, kohë më e paktë me familjen, sidomos djalin që po rritet jo me angazhimin e madh kohor pranë meje, por kjo është një sakricë e pashmangshme, një lloj kompromisi me veten në raport me arritjen e objektivave personale”, tha ajo. 

Teuta Muçogllava që në zgjedhjet vendore të vitit 2023, mori mandatin si këshilltare nga subjekti politik Partia e Lirisë, që në angazhimet e hershme në politikë është dashur të kalojë shumë momente të vështira. 

“Ka pasur sigurisht momente që kam menduar që nuk do t’ja dal sepse më është dashur që të lë fëmijën e vogël në shtëpi dhe të dal nëpër takime, por më është dashur që të lë fëmijën me temperaturë dhe të shkoja sërish në takime sepse në fund të fundit qytetari të ka votëbesuar që t’i të jesh aty në ato momente që ai ka nevojë, jo kur të kesh t’i kohën e lirë dhe pasi të mbarosh punët e shtëpisë”, tha ajo.    

Përballë sfidave personale vajzat dhe gratë në politikë vlerësojnë se të qenurit në politikë nuk vlerësohet njësoj mes tyre dhe burrave. 

“Pjesëmarrja e grave duhet të shkojë përtej një shifre statistikore dhe të jetë e bazuar në mbështetje të vërtetë, mundësi për zhvillim dhe promovim të lidershipit të grave”, tha Elda Hoti. 

Ajo vlerëson faktin se historia e vendit tonë është plot shembuj të grave, që kanë sfiduar paragjykimet dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturë, edukim dhe shtetformim. 

“Politika ka gra të forta dhe luftarake që frymëzojnë çdo grua të mos heqë dorë nga ëndrrat e saj”, shtoi ajo. 

Për kryebashkiaken Sefa, mirëarsimimi i grave dhe kontributi i tyre kanë bërë që situata të ndryshojë së fundmi. 

“Vitet e fundit shumë grave dhe vajzave u janë besuar funksione e detyra të rëndësishme në organizatat politike dhe në institucionet lokale apo edhe ato të varësisë nga pushteti qëndror. Shumë të tjera janë modele suksesi edhe në sipërmarrje. Këto gra dhe vajza, të arsimuara mirë, të konsoliduara financiarisht gjithashtu dhe me funksione të rëndësishme në administratë kanë shërbyer edhe si modele motivimi për gratë dhe vajzat e tjera”, tha ajo. 

Foto: Eriselda Sefa - "Facebook"
Foto: Eriselda Sefa – “Facebook”

Për këshilltaren Muçogllava, partitë politike që drejtohen nga gratë nuk kanë shumë dëshirë që t’ i mbështesin apo promovojnë gratë. 

“Partitë politike janë të detyruar jo se kanë shumë dëshirë për t’i mbështetur apo promovuar gratë. Unë kam qenë pjesë e këshillit kur ka qenë prezenca e grave me 30% të kuotave. Ose mund të përmendim kohën kur partive politike u vihej gjobë dhe e kishin më mirë që të paguanin gjobën se sa të vendosnin gratë në listat për këshilltare”, tha ajo. 

Sipas ekspertes në politikë, ende ekziston perceptimi se gratë janë për të plotësuar kuotat gjinore. 

“Sa i përket përfshirjes së grave në partitë politike, ekziston ende një perceptim i fortë se shumë prej tyre përfshihen kryesisht për të plotësuar kuotat gjinore, më tepër sesa për të vlerësuar realisht kontributin e tyre”, tha Mirela Arqimandriti. 

Kjo legjislaturë që është gati drejt fundit numëron 46 deputete gra dhe vajza, në një parlament me në total 140 deputetë. Nga zgjedhjet e fundit vendore të vitit 2023, ndër 61 bashki të vendit, vetëm shtatë prej tyre janë vajza dhe gra. 

Por edhe pse në qeverinë shqiptare vitet e fundit nuk ka munguar emërimi i grave në ministri të një rëndësie të madhe, për ekspertët përfshirja e tyre mbetet simbolike.  

“Edhe pse disa gra kanë arritur të zënë pozita kyçe dhe të demonstrojnë aftësitë e tyre, për shumë të tjera përfshirja mbetet simbolike, e kontrolluar nga strukturat partiake, të cilat shpesh nuk u japin hapësirën e duhur për të ndikuar në vendimmarrje”, tha Mirela Arqimandriti.

Sipas saj nevojitet një qasje më e thelluar që promovon përfshirjen e grave në politikë. 

“Nevojitet një qasje më e thelluar që promovon përfshirjen e grave në politikë përmes meritokracisë dhe mbështetjes konkrete, veçanërisht mbështetjes financiare gjatë fushatave zgjedhore, e cila shpesh mungon ose është e kufizuar për gratë kandidate”,  shtoi ajo. 

Përtej çdo mbështetje, ajo që vë edhe më shumë në vështirësi gratë veçanërisht në nivel vendor lidhet edhe me aspektet ekonomike.

“Niveli ekonomik bën të vetën sepse unë e kam thënë dhe e them që nëse duan që të fuqizojmë gratë, duhet t’i fuqizojmë ato një herë ekonomikisht, që të mos jenë të varura nga burrat, por të kenë mundësi qoftë edhe të dalin për një kafe me shoqet, qoftë edhe për tu angazhuar në takime, diskutime, biseda, sepse duam apo nuk duam ne, ato kanë kosto për një këshilltare”, tha Muçogllava. 

Këto kufizime financiare shtrihen përtej shpenzimeve ditore të fushatës – ato ndikojnë në strukturën dhe funksionimin e partive politike. Sipas një studimi të vitit 2021 nga “Rrjeti i Grave për Barazinë në Vendimmarrje”, i mbështetur nga NDI(National Democratic Institute), vetëm 13.25% e grave kandidate në Shqipëri kishin akses në fondet e partisë, ndërsa 68% u detyruan të financonin fushatat e tyre duke përdorur burime personale, kryesisht mbështetje nga familja, të afërmit dhe donatorë në pak raste.

Studimi zbuloi gjithashtu se shumica e grave nuk ishin në dijeni të ndonjë mekanizmi të brendshëm brenda partive të tyre politike për të aksesuar mbështetjen financiare, duke nënvizuar një mungesë serioze të transparencës së brendshme dhe angazhimit institucional ndaj buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

Ky hendek gjinor në aksesin në para, jo vetëm që ndikon në qëndrueshmërinë e fushatës, por përforëcon pabarazitë më të thella në dukshmëri, konkurrencë dhe fuqizim afatgjatë politik për vajzat dhe gratë.

Me eksperiencë drejtuese dhe në forume, si Kryetare e Gruas në Partinë e Lirisë, Muçogllava thotë se partitë politike nuk kanë fonde të veçanta për vajzat dhe gratë për kontributin që ato kanë në parti dhe aktivitetin që zhvillojnë. 

“Problemi kryesor është që partitë politike nuk kanë një fond të përcaktuar për gratë, që këtë fond ta menaxhojnë vetë gratë, t’ja u japin atyre dhe gjatë kohës që t’i bën fushatën dhe gjatë kohës që kryen mandatin e këshilltarit, në mënyrë që të krijojnë mundësi që të takosh njerëz apo të diskutosh, të ndihmosh apo të propozosh tryeza të ndryshme për një çështje të caktuar”, tha ajo.

Kjo mungesë financimi gjinor brenda partive politike jo vetëm që kufizon aftësinë e grave për të drejtuar fushata efektive, por gjithashtu përkeqëson pabarazitë ekzistuese. Studimi theksoi se gratë në përgjithësi kanë më pak vite anëtarësimi në parti, më pak lidhje brenda partisë dhe ekipe më të vogla të fushatës – të gjitha këto i izolojnë më tej në një mjedis politik konkurrues.

Për eksperten, në mungesë të mbështetjes financiare nga forumet e partive vajzat dhe gratë gjejnë mbështetje tek familja dhe të afërmit. 

“Mbështetja që gratë dhe vajzat marrin nga rrethi i tyre familjar dhe shoqëror është një faktor vendimtar për ecurinë e tyre përpara”, tha Mirela Arqimandriti.

Për deputeten Hoti jo vetëm forumet dhe familja, por dhe vetë shoqëria duhet të bëjë më shumë për të përkrahur gratë në politikë. 

“Shoqëria jonë duhet të mbështesë më shumë gratë në këtë rrugë. Duhet të krijojmë një kulturë ku gratë nuk ndihen të paragjykuara për zgjedhjet e tyre dhe ku sukseset e tyre shihen si frymëzim, jo si përjashtime”, u shpreh ajo. 

Reformat strukturore brenda partive politike në Shqipëri nevojiten urgjentisht për të siguruar që barazia gjinore të shkojë përtej përfaqësimit simbolik. Ekspertët, aktivistët dhe gratë deputete kanë theksuar vazhdimisht nevojën për mekanizma të brendshëm financiarë të detyrueshëm që garantojnë qasje të drejtë dhe transparente në burimet e fushatës për gratë. Analiza Krahasuese 2023 mbi fondet e Partive Politike në Ballkanin Perëndimor, drejtuar gjithashtu nga “Rrjeti i Grave për Barazinë në Vendimmarrje” dhe i mbështetur nga NDI, konfirmon se Shqipërisë, pavarësisht nga kuotat ligjore gjinore, i mungon çdo dispozitë detyruese që lidh financimin publik me barazinë gjinore ose që kërkon që partitë të ndajnë burime për pjesëmarrjen politike të grave.

Ndryshe nga vende si Mali i Zi, i cili ka futur fonde të synuara për gratë në politikë, Shqipëria nuk ofron stimuj apo detyrime të tilla. Për të adresuar këtë boshllëk, “Rrjeti” ka punuar ngushtë me gratë deputete dhe Aleancën e Grave Parlamentare, për të zhvilluar një nisëm legjislative që propozon që të paktën 10% e fondeve publike të alokuara për partitë politike të drejtohen në forumet e grave.  Ndërsa propozimi është prezantuar zyrtarisht dhe është mbështetur nga disa gra deputete, partitë politike deri më tani kanë dështuar ta avancojnë atë – duke reflektuar mungesën e vazhdueshme të vullnetit politik dhe rezistencës ndaj institucionalizimit të financimit të përgjegjshëm gjinor.

Pa reforma të tilla, vetëm kuotat ligjore nuk mund të barazojnë fushën e lojës. Gratë do të vazhdojnë të përballen me akses të pabarabartë në burimet politike, duke kufizuar aftësinë e tyre për të bërë fushatë konkurruese, për të krijuar ndikim brenda partive dhe për të marrë pjesë në mënyrë domethënëse në proceset vendimmarrëse.

Sipas saj kjo do të ndihmonte edhe në krijimin e mundësive për vajzat dhe gratë e tjera.

“Sepse, kur një grua ngjitet lart, ajo hap rrugën për shumë të tjera pas saj”, shtoi ajo. 

Referuar përmirësimeve ligjore për një përfaqësim të barabartë gjinor në zgjedhje, për eksperten përfshirja reale e vajzave dhe grave në politikë kërkon më shumë përpjekje.  

“Në përgjithësi, ndonëse ka përparime të dukshme, përfshirja reale e grave dhe vajzave në vendimmarrje, në politikë dhe në shoqëri kërkon ende më shumë përpjekje për të kaluar nga një kuotë formale drejt një angazhimi të mirëfilltë dhe efektiv”, përfundoi Arqimandriti.