“Pentagoni lundrues” në Durrës, një monument i gjallë i sigurisë transatlantike

Anija komanduese amerikane “USS Mount Whitney”, e njohur edhe si “Truri lundrues i NATO-s” u ankorua në Durrës përmes një ceremonie ushtarake dhe diplomatike që simbolizoi partneritetin strategjik. Mbërritja e saj shënoi një moment historik që e kthen Shqipërinë në një portë të rëndësishme për sigurinë transatlantike.

", Colin Price dhe aviatorët në kuvertën e saj. Foto Media Amfora

Si një gjigant prej çeliku 189 metra e gjatë që sfidon horizontin, anija komanduese amerikane “USS Mount Whitney” – një nga më të vjetrat dhe më të veçantat e flotës amerikane që vijon të jetë ende në shërbim, u ankorua në Porto-Romano mes flamujve të NATO-s dhe një ceremonie sa ushtarake aq edhe gjithëpërfshirëse për sferën publike shqiptare.

E njohur si “Pentagoni lundrues”, mbërritja e saj në Shqipëri përcolli mesazhin e qartë të forcës amerikane dhe të partneritetit strategjik që e lidh vendin tonë me Aleancën Atlantike.

Ngjyrat e flamujve të vendeve anëtare të NATO-s valëviteshin mbi kuvertën e anijes, ndërsa trupat ushtarake në shërbim pritën gajtë 10 shtatorit përfaqësues diplomatikë, ushtarakë, zyrtarë të lartë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Anija komanduese amerikane "USS Mount Whitney" e ankoruar në Porto-Romano. Foto Media Amfora
Anija komanduese amerikane “USS Mount Whitney” e ankoruar në Porto-Romano. Foto: Media Amfora

Kur anija u ankorua në Porto-Romano, një erë e lehtë frynte mbi kuvertë, duke valëvitur simbolet e NATO-s, të SHBA-së dhe flamurin Shqiptar të ngritur mbi “urën e komandimit”, si një trinom i aleancës që synon stabilitetin dhe sigurinë e ujërave të Adriatikut dhe më gjerë.

Në rresht ishin vendosur dhjetëra ushtarakë të rinj, që pritën fillimisht një ekip gazetarësh dhe operatorësh, që mbushën me ngjyra mjedisin ku dominon uniforma dhe disiplina ushtarake.  Anija legjendë e komandës amerikane, “Mount Whitney” të jepte ndjesinë e një muzeu lundrues, e kuruar deri në detaje, nga njëra anë me një histori të gjatë dhe që ruan gjithashtu teknologjinë bashkëkohore.

“Anija është projektuar për të udhëhequr operacione të përmasave të mëdha dhe për të drejtuar misione ushtarake në çdo cep të globit, falë kapaciteteve unike të komandës dhe teknologjisë së avancuar. Si anije flamur, ne kemi kapacitetin të ofrojmë komandë, kontroll dhe inteligjencë për Flotën e 6-të të SHBA-së. Unë e përshkruaj shpesh këtë anije si një ‘Pentagon lundrues’'”, tregoi me krenari Jonathan DeSimone, Oficer i Sistemeve të Komunikimit dhe Informacionit, i cili shpjegoi se çfarë e bën “USS Mount Whitney” një anije unike në flotën madhështore amerikane.

Anija "USS Mount Whitney " ka marrë pjesë në misione të ndryshme të NATO-s. Foto Media Amfora
Anija “USS Mount Whitney ” ka marrë pjesë në misione të ndryshme të NATO-s. Foto: Media Amfora

Flota e 6-të e fokusuar në Mesdhe dhe në Derin e Zi, mbulon një zonë tejet të gjerë operacionale, që shtrihet nga Poli i Veriut deri në atë të Jugut, duke i dhënë komandantit mundësinë që të drejtojë çdo forcë apo njësi në secilin cep të saj. 

Emri i saj buron nga mali më i lartë në Virxhinia, SHBA (“Mount Whitney”) dhe ajo ka kapacitet që të akomodojë deri në disa qindra oficerë të lartë dhe ekspertë në të njëjtën kohë, duke e bërë një qendër të lëvizshme vendimmarrjeje ndërkombëtare – si një nga dy anijet komanduese të këtij lloji që ka Marina Amerikane. Kështu në dallim nga anijet tipike luftarake, kjo anije mbështetet edhe tek diplomacia – një aspekt që siç theksoi oficeri Jonathan DeSimone, është pjesa më e fortë e saj.

“Anija ka dy lloje fuqish, atë të ashpër, bombat, raketat dhe fuqinë e butë, që është diplomacia. Dhe pikërisht aty ‘USS Mount Whitney’ e ka forcën e saj më të madhe”, shtoi Oficeri DeSimone.

Ajo konsiderohet edhe si “truri lundrues i NATO-s” sepse është e pajisur me sisteme të fuqishme komunikimi satelitor dhe komandimi, me kapacitet të lartë në mbledhjen, analizimin dhe shpërndajen në kohë reale të informacioneve nga ajri, deti dhe toka.

Duke qëndruar mbi kuvertën e anijes, nga ana tjetër gjendej komandanti i “USS Mount Whitney”, kapiteni Colin Price, që e përshëndeti Shqipërinë si një aleat kyç në Aleancën Atlantike dhe vuri theksin tek marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve.

“Shqipëria mbetet një partner thelbësor në operacionet e NATO-s dhe vizita jonë në Porto-Romano është dëshmi e forcës së kësaj aleance. Ekuipazhi i ‘Team 20’ është i nderuar të ndodhet këtu dhe të vazhdojë ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme me aleatët tanë shqiptarë”, u shpreh kapiteni i saj. 

Komandanti i anijes, Colin Price në "urën e kontrollit". Foto: Media Amfora
Komandanti i anijes, Colin Price në “urën e kontrollit”. Foto: Media Amfora

Në anijen simbol të fuqisë amerikane që zotëron oqeanet dhe ku teknologjia e avancuar e komandës bashkëjeton me historinë gjysmëshekullore të anijes, u ngjitën po ashtu personalitetet e vendit tonë, përfshirë presidentin e republikës, Bajram Begaj. 

Mes të pranishmëve, fjala e të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, solli mesazhin e vizitës, duke nënvizuar rolin që anija komanduese e Flotës së 6-të “USS Mount Whitney” ka për NATO-n dhe për vetë Shqipërinë.

“Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto-Romanos do t’i tregojë rajonit – dhe të gjithë Evropës – aftësinë e saj për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s”, u shpreh në fjalën e saj e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri. 

VanHorn e përshkroi mbërritjen e anijes si një sinjal të fuqishëm për gjithë rajonin dhe një dëshmi të angazhimit të përbashkët brenda Aleancës Atlantike.

“Përmes kësaj vizite ne dërgojmë një sinjal të qartë, jemi të aftë, jemi të bashkuar dhe jemi të angazhuar ndaj mbrojtjes kolektive në tokë, në ajër dhe në det”, deklaroi VanHorn përpara përfaqësuesve të ushtrisë dhe sferës publike të vendit. 

Helikopteri MH-60S Seahawk shërben për operacionet dhe ushtrimet rutinë. Foto Media Amfora
Helikopteri MH-60S Seahawk shërben për operacionet dhe ushtrimet rutinë. Foto: Media Amfora

Teksa mbante mbi trupin e saj fuqinë ushtarake dhe diplomatike, anija dominonte horizontin e Porto-Romanos – jo vetëm si një mjet ushtarak, por edhe si një simbol të forcës dhe prestigjit amerikan. 

“Ky është një moment historik që e kthen Porto-Romanon në një pikë referimi për operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe thellon bashkëpunimin ushtarak e diplomatik mes dy vendeve dhe NATO-s”, u shpreh presidenti Barjam Begaj gjatë ceremonisë.

Mbërritja historike e kësaj anije në Shqipëri ishte një demonstrim i qartë i angazhimit për sigurinë rajonale dhe për partneritetin me aleatët strategjikë të NATO-s në Ballkan, të cilën e theksoi edhe Samantha Mendiguren, oficere e marrëdhënieve me publikun në “USS Mount Whitney”.

“Vizita jonë këtu në Shqipëri tregon angazhimin e Marinës së SHBA-së për forcimin e sigurisë detare, si edhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Detin Adriatik. Shqipëria është një aleat shumë i rëndësishëm i NATO-s”, u shpreh Samantha Mendiguren.

Komandanti i anijes, Colin Price dhe Samantha Mendiguren, oficere e marrëdhënieve me publikun. Foto: Media Amfora
Komandanti i anijes, Colin Price dhe Samantha Mendiguren, oficere e marrëdhënieve me publikun. Foto: Media Amfora

“USS Mount Whitney” mbart një rol të pazëvendësueshëm në arkitekturën e sigurisë globale. Si anija komanduese e Flotës së 6-të të SHBA-së, ajo është projektuar për të udhëhequr operacione të përmasave të mëdha, për të penguar kundërshtarët rajonalë dhe për të drejtuar misione detare në mbrojtje të atdheut, të partnerëve dhe aleatëve të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë. 

E bazuar në Bazën e Marinës Amerikane të NATO-s në Gaeta të Italisë, ajo operon me një ekuipazh të përbashkët, ku marinarët amerikanë shërbejnë krah për krah me personelin civil të Komandës së Shërbimit të Transportit Ushtarak, duke krijuar një model unik të bashkëpunimit ushtarak dhe civil.

Komanda e Flotës së 6-të me seli në Napoli mbikëqyr gamën e plotë të operacioneve detare dhe të përbashkëta, shpesh në koordinim me aleatët dhe partnerët ndërinstitucionalë. Ky është mekanizmi që mban gjallë sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe Afrikë, duke garantuar lirinë e lundrimit në Mesdhe dhe përtej tij. Ajo i përket kategorisë së anijeve komanduese amfibe (“flagship”) dhe është në shërbim aktiv prej vitit 1971.

Ndërsa u largua nga brigjet e Durrësit 24 orë pas mbërritjes së saj, “Pentagoni lundrues” la pas jo vetëm jehonën e sirenave detare, por edhe mesazhin e qartë se Shqipëria është tashmë një portë e sigurisë transatlantike.