OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit: Pabarazi politike dhe varësi mediatike

Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025 njeh progresin teknik dhe transparencën e administratës zgjedhore, por thekson mungesën e kushteve të barabarta në garë. Sipas ODIHR, partia në pushtet përfitoi nga burimet shtetërore, ndërsa mediat mbetën të varura nga interesa politike e ekonomike, duke kufizuar pluralizmin dhe informimin e votuesve.

Foto nga procesi zgjedhor i 11 majit në Durrës. Foto: Media Amfora

Më 23 tetor 2025, OSBE-ODIHR publikoi një raport të detajuar mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Raporti evidenton problematika, por edhe progres, duke vënë njëherazi piketa për përmirësim institucional e operacional nga ana e autoriteteve shqiptare. 

Raporti dha konkluzione të përgjithshme, si edhe analizoi veçanërisht rolin e medias, administratës zgjedhore, financimit publik, drejtësisë, shoqërisë civile, e sigurisht politikës në mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve të 11 majit.

ODIHR identifikoi se, “zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale”, e se “administrata zgjedhore veproi në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, por nga ana tjetër evidentoi se “garuesit nuk gëzuan kushte të barabarta”, se “partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të qeverisjes”, dhe se këto evidentohen nga fakti se “u paraqitën pretendime për presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve publikë”. 

Gjithashtu, ODIHR nxorri konkluzione mbi retorikën dhe shëndetin e ekosistemit politik shqiptar, duke evidentuar si problem zhvillimin e zgjedhjeve “në një mjedis shumë të polarizuar”.

Media nën ndikimin e politikës 

Për sa i përket medias dhe opinionit publik, e impaktit që “pushteti i katërt” pati në zgjedhjet e 11 majit, ODIHR kishte shumë për të thënë. Në raportin voluminoz, ODIHR shpreh shqetësim për përqendrimin e pronësisë së mediave, i cili sipas OSBE-së minon pluralitetin e burimeve të informacionit. Shqetësim mbetet varësia e shumicës së mediave ndaj financimeve jotransparente nga interesa politike dhe biznesi, shpesh të mbështetura në kontrata qeveritare. 

Kjo varësi ekonomike e medias nga politika e biznesi shihet edhe nga OSBE-ja te pronësia e disa shtëpive kryesore të reklamave nga interesa politike, që pengon shpërndarjen e drejtë të të ardhurave nga reklamat. 

Po sipas këtij raporti, varësia ekonomike e medias shqiptare nga interesat politike e të biznesit reflektohet në vetëcensurë të gazetarëve dhe dominimin e dy partive më të mëdha në mbulimin mediatik, të cilat sipas ODIHR kufizuan mundësinë e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar. ODIHR shqetësohet edhe nga dominimi i hapësirës mediatike nga duopoli PS-PD, në një kohë kur edhe partitë dhe koalicionet e reja kandiduan në parlamentaret e 11 majit. 

ODIHR evidenton se “në RTSH, A2 CNN, Top Channel dhe TV Klan, PS mori përkatësisht 45%, 46%, 48% dhe 57%, ndërsa PD-AMC mori 41%, 48%, 45% dhe 43%”, që dëshmon për ndikimin e hapësirës mediatike nga dy partitë e mëdha dhe në kufizimin e partive të tjera. 

Fenomeni i kasetave të gatshme duket se u përsërit edhe këtë radhë dhe ODIHR vërejti se, “mbulimi redaksional shpesh zëvendësohet nga materiale të përgatitura nga institucionet qeveritare, duke minuar integritetin editorial”. 

ODIHR e mbylli vlerësimin e vet për median me konkluzionin se mjedisi i kufizuar mediatik dhe dështimi për të zbatuar kërkesat ligjore me mirëbesim, privuan votuesit nga informacioni i pavarur, i shumëllojshëm dhe i besueshëm për garën elektorale.

Referuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për ODIHR administrimi ishte transparent dhe u respektuan afatet ligjore, duke u treguar gjithëpërfshirës. Nga ana tjetër raporti gjeti se komisionet zonale dhe zyrtarët e niveleve të ulëta emërohen nga partitë politike, pavarësisht rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për emërime jopartiake. 

Ndërsa për ditën e zgjedhjeve, ODIHR-i evidentoi se “votimi u vlerësua pozitivisht në 95% të vëzhgimeve, por pati një numër mjaft të lartë vlerësimesh negative dhe incidentesh frikësimi”. Këto incidente frikësimi gjatë votimit u pasuan me mungesë të shpeshtë respektimi të procedurave dhe mangësi procedurale dhe të transparencës në numërimin e votave. Në kuadrin e gjithëpërfshirjes, në raportin e ODIHR u vunë re barrierat strukturore në raport me votimin e individëve me aftësi të kufizuara. Raporti evidenton se në shumë qendra votimi ende mungon aksesi për personat me aftësi të kufizuara, në rreth 50% të rasteve.

SPAK dhe mungesa e ndëshkimeve për patronazhimin politik

ODIHR gjithashtu vlerësoi punën e SPAK-ut në identifikimin dhe hetimin e krimit zgjedhor. Raporti konstatoi se SPAK luajti një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit elektoral dhe nga një total prej 189 kallëzimesh, ai nisi rreth 40 procedime penale për krime zgjedhore. Sidoqoftë mbetet shqetësuese mungesa e procedimeve penale për individë të dyshuar për përfshirje në patronazhim të votës, fenomen ky i fundit që mbetet i pandëshkuar dhe sipas të ODIHR është ushtruar në formën e presionit ndaj punonjësve publikë dhe frikësimit të mbështetësve të opozitës.

Respektimi i kuadrit ligjor për financimin e partive mbetet një problem kyç, e ky fakt u evidentua edhe në raportin e OSBE-ODIHR-it. Pavarësisht ligjit për partitë politike që detyron transparencë financiare në raport me donacionet e shpenzimet nga ana e partive politike, ODIHR gjeti se “asnjë nga garuesit nuk publikoi një bazë të dhënash të donacioneve ose huave”.

Avantazhi i pushtetit mbi votuesit 

Në aspektin teknik të zhvillimit të zgjedhjeve, ODIHR evidentoi dy raste që sipas tij janë shembuj të një “gare të pabarabartë, me partinë në pushtet që përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative dhe ndikimit institucional. 

Në njërin rast, ODIHR i referohet një VKM-je të datës 7 maj 2025, ku “Këshilli i Ministrave zgjati vlefshmërinë e dokumenteve të skaduara deri më 31 maj”, duke u dhënë të drejtën e votës 360.808 shtetasve që me legjislacionin aktual nuk do të mund të votonin ligjërisht me dokumente identifikimi të skaduara. 

Më tej ODIHR-i shprehu shqetësimin për vendimin e 9 majit 2025, ku Këshilli i Ministrave zbatoi një ligj të dhjetorit 2024, duke falur gjobat për ndërtimet pa leje në vitet 2015–2024, akt që sigurisht ka potencialin të ndikojë në rezultatin zgjedhor. 

Ndërkaq, raporti përmend rastet e shumta të raportimeve për presion ndaj punonjësve bashkiakë nga eprorët e tyre, me qëllim mbështetjen ose marrjen pjesë në fushatën e PS-së, që bie në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike.

ODIHR-i sugjeroi përmirësimet e nevojshme në organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor shqiptar, duke sugjeruar ndërmarrjen e një reforme gjithëpërfshirëse të kuadrit ligjor zgjedhor përmes një procesi konsultativ, sigurimin e stabilitetit të administratës zgjedhore përmes depolitizimit të emërimeve në nivelet e ulëta, rritjen e ndërgjegjësimit të votuesve për procedurat e votimit elektronik dhe sigurimin e një gare të barabartë, duke parandaluar keqpërdorimin e detyrës dhe të burimeve shtetërore.