Një muzë lirie me emrin Spaç
Spaçi, një fshat i vogël pranë Rrëshenit, është i njohur për kampin famëkeq të riedukimit gjatë diktaturës komuniste. Qindra të burgosur politikë punuan aty në kushte çnjerëzore në minierën e bakrit. Rebelimi i vitit 1973 është simbol i rezistencës antikomuniste dhe diskutimet mbi rikonstruksionin kanë ngjallur debat për mënyrën e ruajtjes së kujtesës historike.

Ndërtesat e Kampit të Spaçit. Foto: Media Amfora
Spaçi është një fshat i vogël në verilindje të Rrëshenit, shumë pak kilometra nga qyteza e Repsit. Ai shtrihet në këmbët e një mali 1991 metra të lartë, që në zonë njihet si Mali i Munellës. Aq e thepisur është zona sa në disa raste rrëpirat janë deri në 300 metra të thella. Gjatë periudhës që shkon nga tetori në maj, temperaturat janë shumë të ulta dhe dimri tepër i ashpër.
Zona edhe pse e banuar gjithmonë nuk ka gëzuar rrjet infrastrukturor modern, veçse pas vitit 2007, kur edhe nisi ndërtimi i Rrugës së Kombit. Përpara viteve ‘90 ndërlidhja me zonat urbane ishte tepër e vështirë dhe banorëve të zonës, kur nuk zotëronin automobil, i duheshin ditë të tëra ecje në këmbë për të arritur qytetet si Shkodra dhe Lezha.
Fshati ndodhet në një territor si ai i Mirditës, që ka qenë i famshëm për minierat e bakrit, të paktën që nga koha e romakëve. Gjatë viteve 1930 qeveria e Zogut arriti të identifikonte potencialin minerar të zonës, por për shkak të zhvillimeve politike dhe ushtarake ajo nuk arriti ta konkretizonte seriozisht ndërtimin e ndonjë miniere. Ishte vetëm në vitin 1951 që në Spaç gjeologët rus zbuluan me siguri shkencore depozitat e bakrit dhe të piritit. Matjet dhe studimet u zhvilluan deri në vitin 1960, ndërsa në vitin 1968 miniera e hapur u kthye në kamp riedukimi, famëkeqi “Reparti numër 303”. Mes viteve 1951-1968 ai njihej si “Kampi nr. 2”.
Formalisht ai që njihet si Burgu i Spaçit ishte teorikisht një kamp riedukimi. Por emërtesa nuk duhet të krijojë keqkuptime. Kamp riedukimi apo Kamp Pune quheshin nga nazistët edhe Auschwitz, Buchenwald dhe Dachau. Madje në hyrje të Auschwitz ndodhej një parrullë ku lexohej “Puna të bën të lirë” (gjermanisht “Arbeit macht frei”). Ato ishin në fakt kampe ku kultivohej dhuna dhe vdekja.
Miniera krejt primitive, ku mungonte çdo lloj sigurie apo kushti minimal i punës, gërmohej çdo ditë në vitin 1968 nga 633 të dënuar. Nga këto, 566 ishin të dënuar politik, pra ata që nuk mendonin njësoj si Byroja Politike e kohës. Në maj të vitit 1981 në Repartin e Riedukimit nr. 303 punonin 1023 të dënuar politik – që pothuajse ishin dyfishuar në 13 vite.
Në fund të viteve ‘80 të dënuarit kishin arritur të gërmonin (pa e ditur!) 12 kilometra tunele në brendësi të malit. Në fillim të viteve 1970 ata arrinin të nxirrnin rreth 1000 ton bakër dhe mesatarisht rreth 6200 ton koncentrate çdo vit. Dhjetë vite më vonë, në 1981-in, falë punës së të burgosurve politikë, prodhimi i bakrit u rrit në 200 mijë ton në vit, duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë e vendit dhe në mirëqenien e regjimit.
Sipas një studimi të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nga viti 1968 deri në vitin 1990, rreth 2000 të dënuar dhe të ridënuar punuan në kampin e Spaçit. Nga shfrytëzimi i punës së tyre gjatë atyre viteve janë prodhuar 2.82 milionë ton bakër dhe 1.3 milionë ton pirit.
Kushtet e punës dhe ato të ekzistencës ishin çnjerëzore. Për shembull, ajo që bie në sy sot është mungesa e kangjellave nëpër dritare. Krijohej iluzioni i lirisë. Krijohej pritshmëria se mund ta kapje qiellin me një të hapur të dritares. Por ky ishte vetëm një iluzion. Rrëpirat e shumta, rrethimi i dyfishtë me telat me gjemba, temperaturat nën zero, 38 policët dhe 4 togat ushtarake (rreth 300 ushtarë të armatosur gjer në fyt) që ruanin 30 pikat e vrojtimit (karakollë) që ndodheshin brenda dhe rreth repartit, e bënin të pamundur çdo lloj aventure drejtë lirisë së vërtetë. Ata njerëz regjimi i donte nëntokë, të varrosur për së gjalli.
Ata kishin lejen të vizitoheshin vetëm 2 herë në muaj nga familjarët e tyre, por ky “privilegj” nuk gëzohej kurrë i plotë, pasi zona ishte aq e paaksesueshme sa që familjarët e kishin shumë të vështirë realizimin qoftë edhe të një vizite të vetme një herë në disa muaj. Në repart ndodhej një banjo për rreth 60 të dënuar. Zgjimi i tyre bëhej në orën 05:30 dhe mëngjesi ofrohej në orën 06:00. Kjo do të thoshte se 60 të dënuar nëse nuk donin të humbisnin mëngjesin, kishin 30 minuta kohë për të përdorur të gjithë të njëjtën banjo. Pra 30 sekonda për secilin.
Kushtet e vështira të punës, uria, izolimi dhe dhuna e ushtruar, detyruan të burgosurit të rebeloheshin të dielën e 20 majit 1973. Të burgosurit morën kontrollin e kampit për rreth 52 orë dhe arritën të ngrinin flamurin e Shqipërisë pa yllin komunist. Legjendat urbane (të paverifikuara) thonë se ishte pikërisht gjatë këtij rebelimi dy ditor ku lindi parrulla, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”!.
Reparti i Riedukimit numër 303 nuk është vetëm simbol i komunizmit, por edhe simbol i antikomunizmit. Ai është simboli i anti-tiranisë. Shenja e dukshme e një aspirate të padukshme: Lirisë. Ajo duhej të ishte prej kohësh një muze jo vetëm i asaj që komunizmi ishte, por edhe i asaj që vetë populli ishte. Dhe ndërkohë në Shqipëri ka lindur debati mbi rikonstruksionin. Një diskutim që mban larg thelbin e vërtetë të muzeut: Luftën për liri. Të heshtur apo të zëshme. Luftën individuale apo atë të përbashkët.
Jo më kot emrin e tyre muzetë e kanë të marrë nga muzat greke. Ato ishin hyjneshat e frymëzimit dhe si të tilla duhej të frymëzonin popullin e thjeshtë drejt dijes dhe të vërtetave të mëdha, përmes objekteve apo historive nga e kaluara. Këtë të paktën kishte në mendje Papa Klementi XII, kur hapi në vitin 1734 të parin muze modern në Evropë, “Muzetë Kapitolin”.
Debati i vërtetë sipas nesh ka lidhje me pyetjen themelore: A do të frymëzojë Spaçi sot dhe nesër luftën tonë për liri nëse zhvishet nga ajo çka ishte për tu bërë ajo që ne jemi sot?! A do të kujtohet më vuajtja e atyre mijëra të burgosurve nëse në mure nuk ndjehet lagështia, nëse aty ka shumë drita, ajër i kondicionuar dhe mure të patinuara? Rrudhat në fytyrën e godinave janë vetë historia e tyre.