Një minare që mungon: dhurata protokollare ndezi debatin për kujtesën e Beratit

Një detaj i “harruar” në një dhuratë protokollare ndezi një debat të papritur mbi kujtesën kulturore të Beratit. Ngjarja riktheu vëmendjen te mënyra se si kujdesi – apo mungesa e tij – nga institucionet ndikon në ndërtimin e identitetit të qytetit. 

Më 2 dhjetor të këtij viti, gjatë vizitës së ambasadorit italian në Bashkinë e Beratit, kryetari Ervin Ceca i dhuroi një gdhendje në dru që paraqiste pamjen e qytetit; por mungesa e minares së xhamisë në këtë vepër artistike shkaktoi një valë reagimesh politike dhe qytetare, pasi shumëkush e pa si veprim të qëllimshëm për të fshirë një simbol të trashëgimisë fetare dhe kulturore të Beratit.

Fotografia e kryebashkiakut Ervin Ceca me ambasadorin Marco Alberti, e publikuar nga vetë Bashkia e qytetit, u bë shpejt objekt debatit. Në të shihej momenti i dorëzimit të gdhendjes në dru që paraqiste lagjen muzeale Mangalem – një vepër ku minarja e Xhamisë së Beqarëve mungonte, dhe pikërisht ky detaj vizual do të nxitë reagimet që pasuan.

Deputeti i Partisë Demokratike, Zija Ismaili, reagoi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar ngjarjen si “një akt të paprecedentë dhe tejet të turpshëm”.  Ai akuzoi Bashkinë e Beratit dhe Ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo – ish-kryetar i Bashkisë – se kishin lejuar “një skandal që fyen hapur komunitetin mysliman dhe shtrembëron historinë e qytetit”.

Në reagimin e tij, Ismaili theksoi se “në një vepër që duhej të pasqyronte harmoninë dhe bashkëjetesën fetare shekullore të Beratit, është fshehur qëllimisht xhamia me minare – pjesë e pandashme e identitetit tonë kulturor”. 

Veprimi u kthye brenda pak orësh në një ngjarje që tejkaloi kufijtë lokalë dhe për disa ditë me radhë u bë objekt debati shoqëror. Ai ndezi reagime të menjëhershme në rrjete sociale dhe në hapësirën publike, ku mijëra qytetarë, besimtarë dhe emigrantë e panë si një veprim të pafalshëm që i heq Beratit vlerën për të cilën njihet prej shekujsh  harmoninë fetare dhe bashkëjetesën që e kanë bërë simbol të tolerancës në Shqipëri.  

Kryetari i PD-së lokale, Kasion Hasimetaj, kur u pyet nga Media Amfora, e cilësoi veprimin si “të qëllimshëm, për t’i treguar ambasadorit që jemi ortodoksë”. Sipas tij, “ky është një shtrëmbërim faktesh – Berati është qytet i bashkëjetesës fetare dhe historia duhet ruajtur ashtu siç është”. 

Xhamia e Beqarëve, e ndërtuar në fillim të shekullit XIX në zemër të lagjes Mangalem, është një nga simbolet më të njohura të Beratit dhe pjesë e pandashme e panoramës historike të qytetit. Pamja e saj me minaren karakteristike është përfshirë në shumë vepra artistike, piktura e skulptura, dhe për këdo që viziton Beratin, ajo është një pikë referimi ikonike për harmoninë fetare që e dallon qytetin prej shekujsh.

 Ndryshe nga tonet politike që e lexuan rastin si të qëllimshëm, qëndrimi i Myftiut të Beratit, Bilbil Talla, erdhi më i qetë dhe me theks mbi bashkëjetesën. Në komunikimin për Median Amfora, ai kërkoi që çështja të mos shihej përmes emocioneve apo dyshimeve, por si mundësi për të reflektuar mbi kujdesin institucional ndaj simboleve të qytetit.

“Sapo e konstatova rastin përmes fotos së publikuar dhe pashë reagimet e shumta të qytetarëve, veçanërisht të besimtarëve myslimanë, kërkova menjëherë takim me kryetarin e Bashkisë së Beratit, Ervin Ceca”, tha Talla në një komunikim me telefon për Median Amfora. 

“Kryetari më shpjegoi se nuk bëhej fjalë për diçka të qëllimshme, por për një veprim të pavëmendshëm nga ana e institucionit”. 

Ky qëndrim, ndonëse nuk e qetësoi debatin që vijoi edhe ditët pasuese, solli një ton më të matur në diskutim. Myftiu nuk u përfshi në polemikë, por vuri në dukje diçka thelbësore: nevojën për më shumë vëmendje dhe kujdes nga institucionet, sidomos kur bëhet fjalë për simbolet që mishërojnë historinë dhe harmoninë fetare të Beratit. 

“Kryetari i Bashkisë Ceca më garantoi se kjo gjë nuk do të ndodhë më dhe se nuk fshihej asgjë e qëllimshme”, shtoi Talla, duke nënvizuar se synimi ishte shmangia e çdo keqkuptimi që mund të dëmtonte harmoninë për të cilën Berati është i njohur. 

Përmes një kërkese nga Media Amfora, kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Ceca, u pyet për këtë rast, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk dha asnjë koment.

Megjithë reagimet e shumta publike dhe debatin që pasoi, postimi i Bashkisë së Beratit vijon të qëndrojë i pandryshuar. Fotografia ku kryetari Ervin Ceca i dhuron ambasadorit italian gdhendjen në dru mbetet ende pjesë e publikimit zyrtar të datës 2 dhjetor.  

 Në komente të shumta, qytetarët kujtuan se nuk ishte hera e parë që e njëjta vepër përdorej si dhuratë institucionale. Ata shpërndanë në rrjete sociale foto të mëparshme, ku ish-kryetari i bashkisë dhe sot ministër i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, shfaqej duke dorëzuar të njëjtën gdhendje në dru. Për shumëkënd, përsëritja e imazhit pa minare ishte dëshmi se mungesa nuk ishte rastësore, por pjesë e një modeli që shfaq mungesë vëmendjeje ndaj simboleve që përfaqësojnë historinë dhe identitetin e qytetit.   

 Nga verifikimi i Amfora-s rezulton se në postimin e datës 6 tetor 2025, në faqen zyrtare të Bashkisë së Beratit, tregohet pamje nga ceremonia e binjakëzimit me komunën Montecilfone të Italisë, ku shfaqet e njëjta gdhendje në dru me pamjen e qytetit, mungesën e minares që i dhurohet delegacionit. 

As kryetari aktual i Bashkisë së Beratit, Ervin Ceca, as ish-kryetari dhe sot Ministër i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, nuk kanë reaguar publikisht për debatin që ka përfshirë qytetin, por gjithë opinionin publik. 

Heshtja institucionale, e lexuar nga shumë si mungesë përgjegjësie përballë ndjeshmërisë së komunitetit, nuk e ka qetësuar situatën, por ka lënë hapësirë për interpretime të mëtejshme dhe mosbesim tek kujdesi institucional ndaj simboleve të qytetit.