Nga konflikti për truallin, te qiellgërvishtësja e re në zemër të Shkodrës

Në qendër të Shkodrës ka nisur ndërtimi i një kompleksi shumëkatësh që pritet të ndryshojë profilin urban të qytetit. Ndërsa punimet avancojnë, qytetarët ndahen mes idesë së zhvillimit modern dhe shqetësimit për humbjen e një hapësire që prej vitesh ishte pjesë e jetës urbane.

Pas konflikteve vendore që shënuan fundin e vitit 2025, në zemër të Shkodrës makineritë e rënda kanë nisur hapjen e themeleve të një ndërtimi të ri, ndërsa pas rrethimit reklamues të kantierit po merr formë një projekt që pritet të ndryshojë profilin urban të qytetit.

“Aty ndërtohet një hotel 32-katësh, që do të thotë një i shtuar që i shtohet qytetit ose një çiban që ia humb sadopak bukurinë”, tha Faik Kulikaj, qytetar i Shkodrës.

Për të, ndërtimi nuk lidhet vetëm me një projekt të ri urban, por me mënyrën se si qyteti po transformohet dhe me hapësirat që, sipas tij, kanë qenë pjesë e identitetit të përditshëm të Shkodrës.

“Qyteti i Shkodrës ka hapësira dhe gjëja më e bukur është hapësira për qytetarët. Fatkeqësisht po humbim gjënë kryesore: traditat dhe gjërat e bukura që ka pasur Shkodra dikur”, tha ai.

Në vendin ku sot shtrihet kantieri pranë Hotel Rozafa, tabela informuese prezanton projektin “Rozafa Tower”, një kompleks shumëfunksional që parashikon ndërtesa që arrijnë deri në 30, 34 dhe 35 kate. Sipas informacionit zyrtar, projekti po zhvillohet nga subjekti ndërtues “Rozafa A” sh.p.k., mbi bazën e lejes së ndërtimit nr. 283/14 të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Për kalimtarët, projekti ekziston ende vetëm në ilustrimin grafik të vendosur në rrethimin reklamues, ndërsa pas tij shtrihet gropa e ndërtimit që shënon fillimin real të transformimit të kësaj hapësire urbane.

Për disa qytetarë, projekti shihet si shenjë zhvillimi dhe modernizimi.

“Në kapitalizëm nuk mund të kuptohet zhvillimi pa kulla,” u shpreh Muamer Vuci. “Kur investitorët e mëdhenj nuk kanë ku t’i çojnë investimet, shpërthejnë në projekte të tilla. Unë jam për t’i bërë, sepse Shkodra ka ngelur pa një objekt të veçantë”, tha ai.

Edhe pse e sheh ndryshimin si të madh për qytetin, ai shton se një ndërtesë e tillë mund të kthehet në simbol të ri urban për Shkodrën.

Megjithatë, jo të gjithë qytetarët ndihen të sigurt për ndikimin që do të ketë ndërtimi.

“Shkodra është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë”,  tha Karlema Kiri. “Ne duam të lulëzojë si qytetet e tjera, por nuk e dimë kujt po i intereson t’i zhdukë këto gjëra të bukura”.

Ajo shprehet se zhvillimi nuk duhet të vijë duke kufizuar hapësirat e qytetarëve. “Njeriu ka nevojë për ajër, për diell dhe për hapësirë. Mirë s’ka qenë që të bëhet në këtë vend, sepse të merret fryma”, tha pensionistja.

Në fundshkurtin e ngrohtë në Shkodër, zhurma e zakonshme e qytetit ndërpritej nga ritmi i rëndë i makinerive që kanë nisur hapjen e themeleve të ndërtimit. Mes lëvizjes së përditshme të kalimtarëve dhe biçikletave, mjetet e rënda të kantierit prishin qetësinë karakteristike të zonës qendrore, duke sinjalizuar fillimin e një transformimi të ri urban.

Rozafa Tower kompleksi që ka nisur të ndërtohet në Shkodër. Foto: Media Amfora

Pas rrethimit reklamues që mbulon të gjithë perimetrin e kantierit, tabela informuese e projektit paraqet atë që pritet të ngrihet në këtë hapësirë: “Rozafa Tower”, një kompleks shumëfunksional i përbërë nga disa struktura ndërtimore, ku ndërtesat kryesore parashikohen të arrijnë deri në 30, 34 dhe 35 kate.

Sipas të dhënave të afishuara në kantier, projekti parashikon ndërtimin e hapësirave rezidenciale, ambienteve hoteliere dhe shërbimeve tregtare, duke sjellë një model zhvillimi vertikal në një zonë që historikisht është karakterizuar nga ndërtime më të ulëta dhe hapësira të hapura urbane. Punimet aktualisht ndodhen në fazën fillestare, me hapjen e gropës së podrumit që shënon nisjen fizike të projektit.

Nga jashtë rrethimit, qytetarët shohin vetëm ilustrimin grafik të ndërtesës së ardhshme, ndërsa pas paneleve reklamues po ndërtohen themelet e një projekti që pritet të ndryshojë ndjeshëm pamjen e qendrës së Shkodrës.

Projekti u shoqërua me debat publik disa muaj përpara nisjes së punimeve. Më 10 nëntor 2025, çështja e truallit në qendër të qytetit u kthye në konflikt institucional pas reagimit publik të Myftinia Shkodër, e cila ngriti shqetësime mbi statusin e pronës. 

 Konflikti mes Myftinisë dhe Bashkisë Shkodër lidhej me pretendimet për pronësinë e truallit ku po zhvillohet projekti i kullës shumëkatëshe. Institucioni fetar dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kanë deklaruar se zona konsiderohet pronë vakëf, ndërsa ndërtimi i projektit u interpretua prej tyre si cenim i kësaj prone. Në këtë kontekst u vendos edhe tabela me mesazh kundër grabitjes së pronave, e cila shënoi kulmin e debatit publik në qytet. 

Përplasja mes institucioneve kaloi edhe në terren. Në oborrin e Xhamisë “Ebu Beker”, Myftinia Shkodër vendosi një tabelë me një mesazh kundër grabitjes së pronave, të cilën e lidhte me çështjen e pronësisë së truallit ku sot po zhvillohet projekti i ndërtimit.

Tabela u hoq më pas nga Policia Bashkiake, veprim që u bë publik dhe shënoi kulmin e debatit institucional në qytet.

Në përgjigjen zyrtare për Amfora, Bashkia Shkodër sqaroi se ndërhyrja është kryer pasi tabela ishte vendosur në trotuar, jashtë perimetrit të pronës së xhamisë “Ebu Beker”.

“Policia Bashkiake ka ndërhyrë me heqjen e tabelës së vendosur në trotuar, jashtë perimetrit të oborrit të xhamisë ‘Ebu Beker’, sipas procedurës së njëjtë të ndjekur në aksionin e përditshëm për lirimin e hapësirave publike në territorin e Bashkisë Shkodër”, shpjegoi në një përgjigje zyrtare Bashkia Shkodër.

Autoritetet vendore theksojnë se ndërhyrja nuk lidhej me përmbajtjen e mesazhit, por me vendosjen e tabelës në një hapësirë publike, në kuadër të aksioneve për lirimin e trotuareve në qytet. Bashkia bën me dije gjithashtu se deri më tani nuk janë regjistruar ankesa lidhur me qarkullimin rrugor dhe se zona mbetet nën monitorim nga Policia Bashkiake.

Në reagimin e saj aso kohe Myftinia kërkoi sqarime institucionale mbi procedurat dhe përdorimin e hapësirës, duke theksuar rëndësinë historike dhe komunitare të zonës për besimtarët dhe qytetin.

Bashkia Shkodër sqaroi se “trualli i objektit nuk është pjesë e inventarit të pronave në pronësi të Bashkisë Shkodër dhe ndërmjet bashkisë dhe Myftinisë Shkodër nuk ka proces gjyqësor në shqyrtim”.

Bashkia bën me dije gjithashtu se projekti po zhvillohet mbi bazën e një lejeje ndërtimi të dhënë nga institucionet kombëtare të planifikimit territorial, ndërsa për dokumentacionin e plotë të projektit dhe procesin e konsultimit publik i referohet institucioneve përgjegjëse për dhënien e kësaj lejeje.

Ndërsa institucionet e trajtojnë projektin në aspekt procedural, për shumë qytetarë diskutimi lidhet më tepër me ndryshimin që po përjeton vetë qyteti.

Banorët që kujtojnë zonën para nisjes së punimeve thonë se hapësira kishte funksionuar si pikë kalimi dhe qëndrimi për qytetarët në qendër të Shkodrës. Sot ajo është kthyer në një kantier të rrethuar me panele reklamimi që prezantojnë projektin e ri urban, ndërsa qyteti përballet me një model zhvillimi ku ndërtimet vertikale po zëvendësojnë gradualisht hapësirat e hapura.

Sipas banorëve, kjo nuk është e vetmja hapësirë që ka ndryshuar funksion në qytet gjatë viteve të fundit. Një pjesë e ish-lulishteve në qendër janë shndërruar gradualisht në hapësira parkimi apo zona të tjera shërbimi, duke reduktuar sipërfaqet e gjelbra që dikur shërbenin si pika takimi për qytetarët.

“Kjo pjesë tjetër ka qenë lulishte. Fillimisht s’ka pasur ndërtime; ka qenë një xhami e vogël këtu tani është bërë parkim një pjesë”, tha Faik Kulikaj.

Kujtesa urbane për këto ndryshime shfaqet shpesh në bisedat e përditshme të banorëve, të cilët e lidhin transformimin aktual me humbje të mëhershme simbolike të qytetit. Mes tyre përmendet edhe mosfunksionimi i “Kafes së Madhe”, një hapësirë e njohur për shkodranët që, sipas qytetarëve, përfaqësonte një tjetër moment kur qyteti humbi një pjesë të identitetit të vet publik.

“Gjërat e vjetra janë si ato që ruhen në shtëpi sepse kanë kuptim, siç ishte ‘Kafja e Madhe’. Kështu janë edhe këto hapësira për t’u ruajtur, jo për t’u shkatërruar”, tha Karmela Kiri.

Kafja e Madhe objekti ikonik i qytetit prej vitesh i mbyllur. Foto: Media Amfora

Ndërkohë, fakti që punimet vijojnë normalisht në kantier sugjeron se përplasja institucionale që shoqëroi projektin në fund të vitit 2025 është zbutur, ndërsa situata duket se ka hyrë në një fazë mirëkuptimi mes palëve të përfshira dhe investitorëve, duke i hapur rrugë vazhdimit të ndërtimit.

Transformimi i qendrave urbane përmes kullave shumëkatëshe po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në qytetet shqiptare. Ndërsa investimet private synojnë zhvillim ekonomik dhe modernizim, debati mbi ruajtjen e hapësirave publike dhe identitetin urban mbetet i hapur.

Ndërkohë që punimet vazhdojnë çdo ditë, përgjigjja për atë se çfarë do të fitojë apo humbasë Shkodra nga ky projekt mbetet ende e hapur – një përgjigje që do të vijë me kohën dhe me mënyrën se si qyteti do ta jetojë këtë ndryshim.