Nën çatinë e Tedeschinëve, aty ku historia nuk pushon së jetuari 

Në banesën më të vjetër të Durrësit, çdo mur flet. Këtu, ku dikur u ngrit Konsullata Austriake, farmacia e parë që shpërndante ilaçe falas dhe stacioni i parë meteorologjik i qytetit bregdetar, historia nuk ka mbaruar-thjesht ka zgjedhur të jetojë.

Në çastin kur hap derën e banesës së vjetër në lagjen “Kala”, aroma e ëmël e një keku duket se përzihet me erën e drurit dhe gurëve që mbajnë më shumë se një shekull kujtesë. Alma Tedeschini, zonja e shtëpisë na pret në hyrjen e katit të dytë të saj me një buzëqeshje të ngrohtë . “Kam bërë diçka shtëpie,” thotë ajo me butësi.

Bashkëshorti i saj, Jozef Tedeschini na fton drejt dhomës kryesore, ku koha duket se ka ndalur për të ruajtur kujtesën. Një bibliotekë e vjetër, me rafte të mbushur me dorëshkrime e libra të trashë, mban erën e letërsisë së shekujve. Në mes të dhomës, një tavolinë e rëndë druri, me një vazo porcelani të bardhë, pasqyron përkujdesjen që kjo familje ka pasur për çdo detaj. Çdo objekt këtu është rrëfim më vete: karriget me shpinore hekuri, piktura, rafti i librave që ende ruan rëndësinë e historisë, dhe një dritë e butë që bie mbi faqet e zverdhura nga koha.

“Unë mund t’ju them se dëshmuar nga dokumenta që kjo është një ndër ndërtresat më të vjetra që kanë ngelur në Durrës”, thotë Jozef Tedeskini pasardhësi i drejtpërdrejtë i familjes që ka ruajtur këtë trashëgimi brez pas brezi.

Me një zë të ngrohtë e të qetë, ai e thotë këtë jo me krenari të tepruar, por me përgjegjësinë e atij që e di mirë peshën e historisë që mban mbi supe kjo shtëpi.

Datimi i banesës është i dokumentuar në hyrje të saj, viti 1843, por rrënjët janë edhe më të thella.

“Kuptohet që të parët e Tedeschinëve kanë ardhur më herët në Durrës, sepse ata ishin ndër mjekët e parë të qytetit, ardhur nga Shkodra me origjinë nga Italia. Fillimisht kanë punuar si mjekë në Konsullatën e Venedikut në Durrës, e më vonë janë bërë zëvendëskonsuj të Venedikut. Me mbarimin e Republikës së Venedikut më 1787, pas pushtimit nga Austria, ata qëndruan përsëri në Durrës, tashmë si konsuj të Austrisë në këtë territor. Pothuajse për 15 vjet kanë zhvilluar këtu aktivitetin e tyre”, shpjegoi ai.

Momentet më të rëndësishme të historisë së vendit e vendosin shtëpinë e Tedeschinëve përtej kufijve të kujtesës familjare- në zemër të zhvillimeve qytetare e shkencore të Durrësit.

“Është interesante që në këtë shtëpi, rreth viteve 1800, nuk kishte Kishë Katolike në Durrës”, thotë tregon Jozef Tedeschini. “Për këtë arsye, një pjesë e saj, një kënd i vogël, u kthye në kishë ku bëheshin ceremonitë fetare të katolikëve, paguhej prifti nga familja. Ishte e vetmja mënyrë që besimi të mos humbiste, sepse në qytet nuk kishte asnjë vend tjetër ku mund të mblidheshin”, vijoi ai.

Rreth viteve 1800, Durrësi nuk ishte më vetëm një port i tregtisë, por po kthehej edhe në një port të dijes. Instalimi i pajisjeve të para meteorologjike në shtëpinë e Tedeschinëve shënoi një moment historik – për herë të parë, qielli i qytetit po mathej me instrumente shkencore. Nga korridoret e kësaj banese nisën të dërgohen drejt Austrisë të dhënat e para mbi klimën e qytetit.

Shtëpia që shohim me dy kate, shkallë druri të brendshme dhe dritare që hapen mbi historinë, nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Ajo u zgjerua e mori formën aktuale në mesin e shekullit XIX- një ndryshim që nuk i shpëtoi syrit të udhëtarëve evropianë.

“Shtëpia e vjetër e Tedeschinëve ka qenë një shtëpi shumë më e vogël”, rrëfen Jozefi. “Por më pas, në vitin 1843, ajo ka përfunduar si ndërtesë e madhe me hapësira të gjera. Këtë e vërtetojnë edhe disa udhëtarë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri- ndër ta Jozef Han dhe Jozef Majer. Ky i fundit shkruante se, ‘nëse do të shihni Durrësin, gjërat që të bëjnë më shumë përshtypje janë porta e madhe e Hallisë me dymbëdhjetë magazina dhe brenda në qytet, shtëpia e konsullit Tedeschini, ndërtuar me fortësi të jashtëzakonshme’, citoi Jofezi.

Alma dhe Jozef Tedeskini në sallonin e banesës së tyre. Foto: Media Amfora

Nga konsujt te albanologët, nga oborri i Habsburgëve te studiuesit gjermanë, shumë sy të huaj kanë parë në këtë shtëpi jo thjesht një vendbanim, por fytyrën më të qytetëruar të Durrësit të shekullit XIX.

“Kuptohet që, duke qenë konsuj të Austrisë në Durrës, këtë shtëpi e kanë vizituar shumë personalitete”, tregoi Jozefi.

Jozef Han ishte një albanolog dhe studiues austriak, ndër të parët që udhëtoi në territoret shqiptare për të përshkruar jetën, zakonet dhe qytetërimin e vendasve. Ndërsa Jozef Majer, një gjeograf dhe udhëtar gjerman, përshkruan Durrësin si një qytet portual që e magjepste me kontrastet mes detit, tregtisë dhe elegancës së banesave diplomatike.

Në shënimet e tij, ai shkruan se “brenda në qytet mund të vështrosh shtëpinë e konsullit Tedeschini- një ndërtim me fortësi të jashtëzakonshme dhe madhështi të rrallë.”

Një banesë që për disa vite kishte ruajtur besimin, tani ruante edhe kuptimin e kohës.

“Gjatë periudhës midis viteve 1868 dhe 1873, kjo shtëpi ka shërbyer si qendër meteorologjike”, tregoi Jozef Tedeschini pasardhësi i gjeneratës së shtatë të familjes dhe kujdestari i sotëm i shtëpisë që mban mbi supe më shumë se dy shekuj histori.

“Kam gjetur dokumente që tregojnë se konsulli Balarini, që banonte këtu, solli për herë të parë në Shqipëri aparaturat për matjen e temperaturës, lagështisë dhe shpejtësisë së erës. Të dhënat dërgoheshin çdo ditë në Austri dhe botoheshin në gazetat e kohës”, shtoi ai.

Koha nuk e rrëzoi dot, por regjimi komunist e shtetëzoi, por për fat të mirë jo për shumë vite.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shtëpia e Tedeschinëve u shtetëzua. Arsyeja zyrtare ishte absurde -“kishte mure shumë të trasha”-një shprehje që ende sot Jozefi e kujton me një buzëqeshje të hidhur.

“Shtëpia është me mure tepër të trasha”,  tregoi Jozef Tedeschini.

“Në periudhën e komunizmit, në vitin 1946, e shtetëzuan me një farë preteksti që të bën të qeshësh- sepse nuk gjetën asnjë arsye tjetër, veçse ‘është shtëpi që i ka muret e trasha’.

Pastaj gjetëm një mënyrë- babai im, duke qenë avokat dhe jurist, me shumë përpjekje pas tre-katër vitesh e kemi rimarrë dhe vazhdon që të jetë pronë e familjes Tedeschini”, tha ai.

Nga brigjet e Abruzzos në Shkodrën e hershme dhe më pas në Durrësin e lashtë, Tedeschinëtsollën dije, kulturë e fisnikëri -duke u bërë urë mes Italisë dhe Shqipërisë, mes qytetërimit të Adriatikut dhe shpirtit shqiptar që nuk harron rrënjët.

Për këtë familje, Media Amfora ka përgatitur një “Pasaportë të Trashëgimisë”, një dokument simbolik që mbledh historinë, gjurmët dhe dëshmitë e brezave të Tedeschinëve, duke i kthyer ato në pjesë të identitetit kulturor të Durrësit.

Nga dokumentet te kujtimet- shtëpia që mbahet gjallë nga një grua

Pas dekadash që historia e shtëpisë u shkrua nga burrat e saj, ardhja e Almës, bashkëshortes së Jozefit,  solli frymën e një epoke të re. Ajo nuk e pa shtëpinë si trashëgimi, por si jetë që duhej mbajtur gjallë-gur pas guri, kujtim pas kujtimi.

“Alma është arsyeja pse kjo shtëpi vazhdon të qëndrojë në këmbë kështu siç e shihni,” thotë Jozefi. Ajo e ka ruajtur çdo detaj, çdo fotografi, çdo mobilje sikur të ishte pjesë e trupit të saj.

Në vitin 1979, Alma nga një familje orthodokse durrsake hyri për herë të parë në këtë shtëpi si nuse.

“Kur kam hyrë në këtë shtëpi më është dukur një ëndërr, një përallë tamam si ‘Liza në botën e çuditare’, çudi ishte çdo detaj, çdo aredim, shtëpia ishte goxha e vejtër e parestauruar fare, pasi më pas me vite ne kemi bërë shumë punime, por ishte akoma dhe më e bukur natyrale”, kujtoi zonja e shtëpisë.

Në çdo cep të shtëpisë së Tedeschinëve ruhet nga një histori që s’është shkruar kurrë, por është pëshpëritur mes brezash. Një nga më prekëset është ajo e dy kushërirave të Zefit- gra që u bënë simbol i qëndresës shpirtërore në një kohë heshtjeje.

Në Shqipërinë ku kishat ishin mbyllur e besimi fshihej nën frymë, ato zgjodhën besimin në Zot. Njëra, murgeshë e formuar në Firence, qëndroi me petkun e saj derisa mbylli sytë, ndërsa tjetra hoqi dorë nga jeta e vet për t’u kujdesur për të. Shtëpia u bë manastiri i tyre, dhe lutjet e tyre, fryma që e mbajti gjallë shpirtin e vendit.

“Këtu jetonin dy kushërira të Zefit,” tregoi Alma Tedeschini. “Sot kur i tregon, janë gjëra të pabesueshme. Njëra prej tyre, që prej ditës kur u mbyllën kishat në Shqipëri, ishte murgeshë. Ajo kishte studiuar në Firence dhe ka ndenjur me veshjen e saj-nuk ka dalë më asnjëherë nga shtëpia. E motra, për t’i qëndruar pranë, nuk u martua kurrë. Të dyja jetuan këtu, duke ruajtur me përkushtim çdo kujtim dhe çdo histori të familjes”, kujtoi Alma.

Në një kohë kur lutja ishte ndaluar, dreka e parë e Almës në shtëpinë e Tedeschinëve u kthye në një moment simbolik- si një përplasje mes botës së heshtjes dhe asaj që guxonte ende të lutej.

Ajo vetë ishte rritur në një familje ortodokse, ku besimi ruhej si relike në heshtje, por atë ditë, në mes të Durrësit të vitit 1979, u gjend përballë një realiteti që s’e kishte njohur kurrë: një tavolinë ku lutja bëhej fshehurazi, por me zemër plot.

“Dreka e parë ishte një përallë dhe pse unë jam orthodokse dhe nga gjyshërit kam trashëguar ritet fetare dhe pse të mbyllura të fshehura, në atë drekë u ngritëm në këmbë dhe bëhej ‘pregiera’, pra, ato nuk ezituan për drekën time të parë, por fytyra ime dhe reagimi im tamam si në botën e çudirave”, kujtoi Alma.

Një prej dhomave në banesën e familjes Tedeskini. Foto: Media Amfora

Sipas tregimeve që Alma Tedeschini ka dëgjuar nga kushërirat e Zefit, shtëpia nuk ka qenë gjithmonë kjo që shihet aktualishtë nëpërmjet të cilës njeh dhe shumë pjesë historie. Fillimisht më e vogël, ajo u zgjerua më vonë në stil venecian-me mure të trasha, dritare të thella dhe korridore të gjata plot dritë.

“Gurët,” tregon Alma, “janë sjellë nga Venecia. Ata që mbetën, familja i dhuroi Kishës së Shën Luçisë, këtu afër”, kujtoi ajo.

Nga ajo kohë, mes kishës dhe shtëpisë së Tedeschinëve u krijua një lidhje që nuk ishte thjesht fqinjësi, por një rit i heshtur qytetar: çdo të diel, pas meshës, nga dera e Kishës deri te porta e kësaj shtëpie shtrihej një tapet i kuq, ku kalonin miqtë e familjes dhe katolikët e vjetër të Durrësit për vizitë.

Në vitet e sistemit komunist, shtëpia e Tedeschinëve u bë një ‘barrë’ dhe një bekim njëkohësisht. Në një kohë kur e vjetra shihej si pengesë për “njeriun e ri”, Alma e re duhej të mbronte një trashëgimi që shumë e quanin të pavlefshme.

“Të gjithë komentonin aso kohe se isha martuar në një shtëpi të vjetër”, kujtoi Alma Tedeschini.

“Në atë kohë mundoheshin që shtëpinë nga jashtë ta linin të palyer, të parregulluar, madje edhe vetë, që të mos binte në sy. Dhe nëse binte në sy, të gjithë thoshin: ‘S’ka ngelur njeri pa bërë shtëpi të re, ju ala me këto raqe”, tha Alma.

Pas viteve 1990, banesa rifitoi edhe një herë rolin e saj të hapur ndaj botës. Murgeshat italiane të Karitasit kërkuan të vendoseshin këtu dhe nisën të organizonin udhëtime për të sëmurët drejt San Giovanni Rotondo. Alma, që është mjeke, përgatiti epikrizat për rreth 2 mijë pacientë, ndërsa murgeshat ndihmonin me dokumentet.

“Ishte sikur historia e kësaj shtëpie po përsëritej, me një formë tjetër dashurie”, tha ajo.

Në librin e vizitorëve të banesës, ndër shumë shënime të udhëtarëve e gazetarëve, ndodhet edhe një mbishkrim i Ivan Dias, Nunc Apostolik i Kishës Katolike:

“Zoti e bekoftë këtë shtëpi”.

Në një faqe tjetër është kujtimi i takimit me Nënë Terezën, ku Alma dhe fëmijët e saj morën pjesë në meshën e parë të saj në Shqipëri.

“Ishte ora pesë e mëngjesit, por unë ndjeja sikur po hapnim dritën pas një errësire të gjatë dhe kam shkuar atje me fëmijët, nga ky kemi dhe një kujtim të pashlyer”, kujtoi ajo.

Sot, çdo dhomë e kësaj shtëpie ka zërin e vet. Dritaret e gjata që hapen mbi rrugicat e kalasë, tavolinat e vjetra prej druri, raftet e librave që kanë përballuar dekada-të gjitha janë ruajtur me fanatizëm dhe dashuri. “Nuk kemi humbur as një gozhdë,” thotë Alma. “Në këtë shtëpi nuk hyhet për ta ndryshuar, por për ta kuptuar.”

Në korridorin e poshtëm, me një hap të vetëm, hapet një dritë 18 metra e gjatë. “Të huajtë që vijnë këtu na thonë gjithmonë: mos ndryshoni asgjë,” shton ajo. Dhe vërtet, është e vështirë të gjesh diçka që mund të ndryshohet në një shtëpi që duket sikur mban frymën e vet.

Prej vitesh, banesa është kthyer në një vend takimi për miq, shkrimtarë, muzikantë. Anisa Markaj zgjodhi të promovojë librin e saj këtu, në oborrin ku u mblodhën mbi 100 njerëz, nën hijen e shtëpisë së vjetër që dikur priste konsuj e murgesha. “Shtëpia jonë ka jetuar me njerëzit, dhe për njerëzit,” thotë Alma, ndërsa shërben kekun me banane.

Oborri në banesën e familjes Tedeskini. Foto: Media Amfora

Në këtë shtëpi që ka qenë farmaci, kishë, konsullatë dhe stacion meteorologjik, çdo mur ka kujtesë. Çdo gur është dëshmi e një qytetërimi që nuk ka vdekur. Dhe nëse Durrësi do të kishte një zemër që rreh për të kaluarën e tij, ajo do të ndodhej këtu- mes historisë së gurëve të Venecias.