Ndonjëherë aksesueshmëria do të thotë gjithçka

Programi “90 Zërat e Rinisë”, i Këshillit Britanik, bashkoi liderë të rinj nga e gjithë bota, ku secili kishte një kauzë për të cilën ndiente pasion. Pjesëmarrësi Geri Emiri nga Shqipëria, hodhi një vështrim mbi gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri dhe bisedoi me bashkëpjesëmarrësen në program, Jacqueline Cruz-Aguila nga Meksika, mbi përvojat e saj në një botë që ende është e ngadaltë në ofrimin e barazisë së vërtetë për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Pas 14 orësh udhëtim mbi Oqeanin Atlantik, avioni që u nis nga Qyteti i Meksikos zbriti në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar. Sapo doli nga avioni, Jacqueline Cruz-Aguila u mahnit aq shumë nga një detaj, saqë mezi e vuri re ndryshimin e temperaturës midis dy kryeqyteteve.

“Duke dalë nga avioni, një detaj i vogël më tërhoqi vëmendjen, një sportel shërbimi për aksesueshmërinë. Jo vetëm kaq, por ishte i shënuar me simbolin e ri global të aksesueshmërisë”, kujtoi Jacqueline duke qeshur.

Ta cilësosh atë si “logo të re” është një emërtim i gabuar sepse ajo u prezantua në vitin 2015 – pothuajse një dekadë më parë. – Ajo zëvendësoi simbolin tradicional të karrocës me një dizajn që tregon një person me krahë të hapura, duke zhbërë portretizimin e deriatëhershëm të aftësisë së kufizuar.

“Mendova, Lëvizja për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara e arriti këtë. Nuk është e zakonshme të gjesh këtë logo jashtë lëvizjes apo hapësirave institucionale në jugun global,” kujtoi ajo.

Logo është më shumë se një dizajn, ajo shërben si një kujtesë për aksesueshmërinë në shërbime, informacion, teknologji komunikimi dhe aksesueshmërinë fizike.

“Ky ishte momenti i parë kur u ndjeva e prekur nga ndryshimet midis përvojave të mia në Meksikë, si një grua autike me aftësi të kufizuara dhe kushteve që hasa në Mbretërinë e Bashkuar”, rrëfeu Jacqueline.

Në aeroport, ajo vlerësoi shërbimet ndihmëse sikurse edhe mirësinë e njerëzve. Kur mbërriti në strukturën akomoduese, ajo vërejti që ishin bërë përshtatjet e nevojshme për të siguruar qëndrimin e saj të rehatshëm.

“Edhe pse disa OJQ dhe institucione në Meksikë përpiqen të ofrojnë lehtësira për personat me aftësi të kufizuara, dizajni urban dhe arkitektura shpesh krijojnë barriera”, shpjegoi Jacqueline.

Infrastruktura publike, aksesueshmëria në ndërtesa, arsimimi dhe raportimi mediatik janë sfida që bashkojnë njerëzit me aftësi të kufizuara ndër kontinente. Jo larg Londrës, një situatë e ngjashme me atë të Meksikës mund të gjendet në Shqipëri, e vendosur në Gadishullin Ballkanik të Evropës Juglindore.

“Është thelbësore që institucionet përgjegjëse të sigurojnë aksesueshmëri në ndërtim, komunikim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu, është jetike të ofrohen shërbime mbështetëse që mundësojnë përfshirje të plotë dhe jetesës së pavarur,” tha Bardhylka Kospiri, një aktiviste për Personat me Aftësi të Kufizuara.

Si pjesë e këtij grupi, ajo është plotësisht e vetëdijshme për situatën në Shqipëri dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit.

“Në të njëjtën kohë, është i nevojshëm fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, duke i mbështetur ata me shërbimet e duhura për të kapërcyer barrierat,” shpjegoi zonja Kospiri.

Sfidat e kontekstit të Aftësisë së Kufizuar

Në Amerikën Latine dhe në Karaibe në vitin 2021, popullsia e personave me aftësi të kufizuara u vlerësua në 85 milionë, që përfaqëson 14.7% të popullsisë së rajonit. Në Meksikë, ata përbëjnë 16.5% të popullsisë dhe përballen me barriera të rëndësishme për të pasur kushte dinjitoze.

Vetëm 4% arrijnë të kryejnë arsimin e lartë, 21% janë analfabetë dhe vetëm 26% janë pjesë e popullsisë ekonomikisht aktive. Ky numër pasqyron varfërinë e thellë dhe pabarazinë strukturore, të cilat ndikojnë grupet e cenueshme në mënyrë ndërsektoriale. Personat me aftësi të kufizuara shpesh përfshijnë të moshuarit, ata me vështirësi ekonomike, pakicat/minoritetet racore dhe etnike, si dhe komunitetet LGBTQI+.

Në Shqipëri, statistikat janë po aq sfiduese. “Të dhënat e disponueshme tregojnë se personat me aftësi të kufizuara përfaqësojnë 6.5% të popullsisë në Shqipëri (2024), 5.4% në Kosovë (2022) dhe 10% në Maqedoninë e Veriut (2022)”, u shpreh znj. Kospiri.

Në këtë kontekst, adoptimi i një qasjeje ndërsektoriale për të advokuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara është thelbësore. Një perspektivë kritike sociale është e nevojshme për të kuptuar aftësinë e kufizuar përtej fokusit mjekësor. Sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara nuk janë të izoluara; ato lidhen me çështje më të gjera shoqërore.

“Qëllimi është gjithmonë përfshirja e plotë sociale e personave me aftësi të kufizuara. Për këtë, është e nevojshme të rritet ndërgjegjësimi në shoqëri, përfshirë edhe në institucione, për të trajtuar personat me aftësi të kufizuara në mënyrë të barabartë, duke ofruar mundësi të barabarta dhe duke eliminuar barrierat”, theksoi znj. Kospiri.

Barrierat që ndikojnë personat me aftësi të kufizuara janë të pranishme në pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme, megjithatë aftësia e kufizuar shpesh mbetet e padukshme në diskutime kritike. Është jetike të integrohet perspektiva e aftësisë së kufizuar në biseda mbi varfërinë, të drejtat seksuale dhe riprodhuese, ndryshimet klimatike, arsimimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Duke trajtuar aftësinë e kufizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse në këto hapësira, mund të promovojmë përfshirjen e mirëfilltë dhe të shkojmë përtej qasjeve historikisht stereotipizuese që margjinalizojnë këtë komunitet.

“Për shkak të zbatimit të pamjaftueshëm të legjislacionit, personat me aftësi të kufizuara ende përballen me shumë barriera që pengojnë integrimin e tyre social”, shpjegoi znj. Kospiri, duke iu referuar Shqipërisë dhe rajonit përreth.

Aftësia e Kufizuar dhe lidershipi

Personat me aftësi të kufizuara përballen me sfida të shumta, duke filluar nga mungesa e infrastrukturës mbështetëse dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm në sistemet arsimore, deri te mungesa e dukshmërisë në media, e cila shpesh nuk përfshin as transmetimin me gjuhën e shenjave.

Tre vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – janë bashkuar për të krijuar një aleancë me qëllim avancimin e reformave gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara.

Pas një analize të gjerë të legjislacionit kombëtar lidhur me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD), veçanërisht Nenin 9 (Aksesueshmëria) dhe Nenin 29 (Pjesëmarrja Politike dhe Publike), këto vende identifikuan shqetësime të përbashkëta.

“Pavarësisht reformave të vazhdueshme, të dhënat e besueshme dhe të përditësuara për personat me aftësi të kufizuara në Ballkanin Perëndimor mbeten të pakta,” shpjegoi znj. Kospiri.

Jacqueline Cruz-Aguila reflektoi mbi udhëtimin e saj në Programin “90 Zërat e Rinisë” [90 Youth Voices], të British Council, që u mbajt këtë korrik në Mbretërinë e Bashkuar dhe që mblodhi liderë të rinj premtues nga e gjithë bota.

“Fillimisht, ndihesha nervoze nëse mund të kontribuoja në mënyrë kuptimplotë në këtë aktivitet për shkak të aftësive të mia sociale të ndryshme,” shpjegoi Jacqueline. “Megjithatë, arrita ta shijoja përmbushjen nga angazhimi social.”

“Ndërsa e konsideroj veten me privilegje – një folëse autike, e diplomuar në nivel pasuniversitar, që zotëron një gjuhë të dytë dhe me përvojë profesionale – udhëtimi jashtë vendit dhe angazhimi në një rrjet ndërkombëtar për të diskutuar mbi sfida globale mbetet një përvojë sfiduese,” tha ajo.

Për liderët e rinj, rruga është shpesh e vështirë, duke lundruar në një botë të përqendruar tek të rriturit, dhe për të rinjtë me aftësi të kufizuara, barrierat shtesë janë të pranishme kur përballen me stigmatizimet shoqërore, diskriminimin dhe pengesat e aksesueshmërisë.

“Programi ’90 Zërat e Rinisë’ bashkoi lidera dhe kauza të ndryshme. Përtej të qenit një mundësi për të ftuar të rinjtë që sjellin ndryshime për të përfshirë perspektivën e aftësisë së kufizuar në iniciativat dhe punën e tyre, ishte një hapësirë për të rishikuar se si mund ta sjellim aksesueshmërinë në jetën tonë të përditshme,” rrëfeu Jacqueline.

“Momenti im ‘aha’, ishte kur pashë liderë të tjerë të rinj me aftësi të kufizuara në një hapësirë që nuk ishte ekskluzivisht për personat me aftësi të kufizuara. Kjo sepse tema e përfshirjes nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e mjediseve të përshtatura për një komunitet të veçantë, por për të angazhuar ato komunitete në të gjitha hapësirat e interesit të tyre dhe për t’i përfshirë në hapësira ku aftësia e kufizuar nuk është fokusi kryesor. Përfshirja e vërtetë nënkupton njohjen e personave me aftësi të kufizuara si qytetarë aktivë – dhe jo si subjekte të kujdesit, si dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje,” shtoi ajo.

Pavarësisht sfidave, vendet po bëjnë përparime drejt respektimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Në Shqipëri, ratifikimi i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në vitin 2013 shënoi dokumentin e parë që adreson çështjet e aftësisë së kufizuar, duke udhëhequr qasjen drejt respektimit të të drejtave të njeriut.

“Vitet e fundit, Shqipëria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar një shoqëri që respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe ndalon diskriminimin, me fokus të veçantë në respektimin e të gjitha të drejtave të personave me aftësi të kufizuara,” shpjegoi znj. Kospiri, e cila disa vite më parë ishte Zëvendës-ministre e Shëndetësisë në Shqipëri.

Thirrje për veprim

Koncepti i aftësisë së kufizuar ka evoluar me kalimin e kohës, i nxitur nga kërkesa e personave me aftësi të kufizuara për njohjen e të drejtave të tyre si qenie njerëzore. Lëvizja për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara ka ripërcaktuar se kush janë ata, duke krijuar një komunitet që sfidon dhe pyet qëndrimet e ndihmës sociale, qoftë nga qeveritë apo sektorët shoqërore, të cilët vazhdojnë të adoptojnë një perspektivë bamirësie ndaj tyre.

“Aftësia e kufizuar është pjesë e identitetit tonë, jo diçka që duhet fshehur, por jo të gjithë ne jemi”

– Jacqueline Cruz-Aguila.

Qeveritë që kanë ratifikuar konventa dhe kanë miratuar ligje të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara duhet të punojnë më shumë për t’i zbatuar ato dhe për të krijuar kushte të përshtatshme për këtë grup shoqëror.

“Këto akte ligjore dhe nënligjore ndikojnë personat me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë sektorë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, drejtësia, punësimi dhe trajnimi, kultura dhe fusha të tjera,” tha zonja Kospiri, duke theksuar ndërveprimin që duhet krijuar.

“Përdorimi i termave si Persona me Aftësi të Kufizuara nuk bën dallim në sigurimin e aksesueshmërisë apo garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave, por disa preferojnë një gjuhë që vendos personin të parin. Për mua, përdorimi i termit – i kufizuar – është një mënyrë për të advokuar se aftësia e kufizuar nuk është diçka negative dhe është e natyrshme për identitetin tonë,” shpjegoi Jacqueline.

Disa qeveri, pavarësisht miratimit të masave kombëtare, ende dështojnë të përmbushin detyrimet e tyre për reforma legjislative, administrative dhe të tjera për të mbrojtur të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Duke pasur parasysh se personat me aftësi të kufizuara në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në nivel evropian dhe ndërkombëtar, përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë, është e nevojshme të ndërhyhet në Standardet Kombëtare të Aksesueshmërisë,” tha znj. Kospiri.

“Programi ’90 Zërat e Rinisë’ riafirmoi se aksesueshmëria nuk është vetëm e mundur – por është thelbësore për të garantuar pjesëmarrjen e plotë sociale të personave me aftësi të kufizuara,” shpjegoi Jacqueline.

“Duhet të integrojmë perspektivën e aftësisë së kufizuar në të gjitha diskutimet – arsimimi, mjedisi, të drejtat në punë, shëndetësia – sepse hapi i parë drejt aksesueshmërisë është të shohim aftësinë e kufizuar edhe kur ajo nuk është e dukshme. Një qëndrim pozitiv nuk i zhduk aftësitë e kufizuara – në fakt, mund të rrisi diskriminimin e padukshëm,” përfundoi ajo.

Për të avancuar përfshirjen, duhet të njohim barrierat, të pranojmë përshtatjet e nevojshme dhe të tregojmë respekt.

Geri Emiri – Gazetar ©Foto: British Council
Geri Emiri – Gazetar ©Foto: British Council
Jacqueline Cruz-Aguila – Këshilltare për të rinjtë në aftësitë klimatike: Farat për tranzicionin. ©Foto: British Council
Bardhylka Kospiri – aktiviste për Personat me Aftësi të Kufizuara ©Foto: Bardhylka Kospiri

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109